Të shtunën takim Ahmeti – Zaev

Pas aktiviteteve diplomatike, kreu i BDI-së Ali Ahmeti do të vazhdojë takimet edhe me aktorët politik në vend. 

Në kuadër të takimeve me krerët e forcave politike, Ahmeti të shtunën do të realizojë takim edhe me kreun e partisë më të madhe opozitare maqedonase, Zoran Zaev, njofton Alsat-M. Nga BDI-ja njoftojnë se takimi Ahmeti-Zaev ka për qëllim ta nxisë dialogun politik në vend dhe t’i kanalizojë përpjekjet e subjekteve politike rreth integrimeve euro-atlantike të vendit. Në takimin e tyre të parë, bashkëbiseduesit do të flasin edhe rreth zhvillimeve të fundit politike duke përfshirë çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 

Nga BDI-kja thonë se kjo parti dëshiron të gjejë gjuhë të përbashkët me faktorët politikë, qofshin ata në pozitë ose opozitë, rreth çështjeve kyçe në vend, siç janë zgjidhja e çështjes së emrit dhe integrimet në strukturat euro-atlantike.

Me qëllim të zhbllokimit të proceseve integruese, Ahmeti ka nisur tashmë edhe një fushatë letrash drejtuar figurave të rëndësishme nga skena ndërkombëtare, nga të cilët kërkon ndihmë për vendosjen urgjente të çështjes së Maqedonisë në qendër të komunitetit ndërkombëtar, si dhe angazhimin e tyre për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button