Amaneti i axhës në autobus

Ishte ditë e enjte dhe i gjithë autobusi ishte i mbushur me nëpunës shtetëror, të lodhur dhe të rraskapitur nga udhëtimi dhe puna për ato katër ditë të javës. Dukej në sytë e tyre se mezi e prisnin të Premten. Kishte shumë pak vende të lira dhe diku aty afër ishte i ulur një plak me qeleshe i veshur pastër dhe me shije. U ula dhe i buzëqesha me mirësjellje e ai ma ktheu me të njejtën mirësjellje. Zakonisht gjatë udhëtimit Shkup-Tetovë, preferoj të lexoj se çka ka interesant në internet dhe atë fillova ta bëj. Në një moment zotëriu në krah më pyeti, me axhën dukesh i lodhur, a i ke bërë mirë sot dikujt?

I zënë ngusht nga kjo pyetje fillova të mendoj se çka ka ndodhur sot me mua. I thash “po axhë, sot në mëngjes në autobus kam qëndruar në këmbë për të ja liruar vendin një të moshuarit”. U ndjeva mirë më këtë, edhe pse e kisha harruar prej në mëngjes. Më buzëqeshi dhe më tha “shumë mirë o bir, por të lutem më trego se si ka ndikuar kjo te shoqëria?” U shtanga dhe nuk e dija se si të përgjigjem, por i thash se i moshuari është shoqëria. Më shikoi dhe filloi të më japë këshilla që më në fund mi la si amanet që ti ndajë me ju. Për tre ditë kam provuar të ruaj në kokë të gjithë bisedën pasi ai nuk pranoi që ta regjistrojë bisedën e të njejtën ta kem si fakt.

O bir, unë kam punuar 30 vjet në Gjermani dhe tani marr pension nga Gjermania. Në Maqedoni kam lindur, jam rritur dhe dua të vdes por diçka aspak nuk më pëlqen me ju, qytetarët e Maqedonisë e në veçanti ju si rini. Unë jam nga Tetova dhe isha në Shkup për disa dokumenta dhe shumë më vjen mirë që pash pak të rinj që punonin nëpër institucione shtetërore. Në kohën kur unë kam qenë si ti, deri 25 vjet kam punuar si mësues fshati dhe më ka pëlqyer shkolla shumë por jeta më dha një detyrë tjetër. Në kurbet për 30 vjet e kam ndjekur se si zhvillohet dhe punon rinia dhe me shumë keqardhje ju them njerëzve se për rezultate dhe për shkollim, ju si rini nuk mund të krahasoheni as me rininë e viteve 90 në Gjermani. Ju prisni shumë nga shteti dhe baballarët, e asnjehërë nuk punoni për shoqërinë. Më mirë ju vjen të rini në kafe dhe të shisni mend se të punoni diçka pa para por për shoqërinë.

Në kohë të zgjedhjeve ju aktivizoheni dhe mendoni se politikanët janë Zotat tuaj që do të ju rregullojnë ardhërinë. Po, e di se sot gjithcka varret nga politika por duhet ta dini se edhe vetë mund të bëni shumëçka. Për shembull me axhën, nëse skeni punë pse nuk i punoni arat dhe nuk punoni me bagëti? Sot ju krejt doni që të punoni në zyra shteti. Epo me axhën në Gjermani rinia punon nëpër ferma por ka para në dorë dhe asnjëherë nuk është në krizë. Ato nuk e kanë problem se çfarë punojnë por e kanë problem se a janë duke punuar. Gjithashtu, me shkollën që e bëni mundoheni të bëni edhe gjëra që mendoni se funksionojnë, por duhet shumë punë, vullnet dhe motivim.

Duke dashur që të ja bëjë me dije axhës se edhe unë punoj dhe kam punuar më herët në shumë punë të ndryshme që të mos varem nga askush, ai më ndërpreu duke më thënë e di me axhën por desha ta nxjerr atë të keq që e kam brenda në shpirt kur ju shoh juve këtu në mëshirë të kohës dhe politkanëve. Në një moment më pyeti se çka kam mbaruar dhe çka punoj. Si shumica, edhe ai nuk e bëri dallimin e komunikimit dhe gazetarisë. Me axhën, pasi qenke gazetar, desha që këto fjalët ti shpërndash me shokët, miqët dhe të afërmit e tu që edhe ato të gjejnë një punë dhe të ju ndihmoni prindërve tuaj që të mbajnë shtëpinë se këtu shumë krizë e madhe qenka.

E kuptova shumë mirë axhën dhe ia dhash fjalën se ju do ta lexoni shqetësimin e tijë për gjendjen tonë si shoqëri. Më falemnderoi shumë dhe më tha ta kërkoj në vendin ku jeton se donte shumë të bisedojmë. E sigurova se do të pinim kafe në Tetovë, ndonjë ditë. Unë zbrita dhe mendova se a është kaq zi jeta tek ne apo është vetëm reflektim i një njeriu që ka jetuar në kushte dukshëm më të mira se tek ne dhe tani, në mungesë të këtyre kushteve shpreh mllef dhe shqetsim për ne si rini dhe shoqëri. Ju, të nderuar lexues dhe rini, keni opinionin tuaj dhe nëse ju duket keq rregullojeni gjendjen tuaj e nëse ju duket mirë në zonën e komfortit atëherë vazhdoni. Mos harroni se gjithçka varret nga ajo se si ju vendosni të jetoni. E çka do që të bëni, mos harroni se nga ju duhet të ketë fitim edhe shoqëria. Unë për vete e kam zgjedhur drejtimin.

Lajme të ngjashme

Back to top button