Asnjë padi për huliganët që rrahën Jusufin

Huliganët që rrahën Jusuf Islamin fundjavën e kaluar nuk janë as në polici, as në gjykatë! Edhe pse policia u lavdërua me kapjen e 7 huliganëve dhe zbardhjen e shpejtë të këtij rasti brutal, dhunuesit janë lëshuar menjëherë pas marrjes në pyetje në stacion policor. Policia thotë se ka dorëzuar materialin në Prokurorinë Themelore të Shkupit dhe këtu kanë përfunduar kompetencat e saj lidhur me këtë rast.

Megjithatë, në komunikimin zyrtar me Prokurorinë e Shkupit, Alsat M mëson se deri tani ,në prokurori nuk ka mbërritur ndonjë lëndë në lidhje me rrahjen e Jusuf Islamit në lagjen Aerodrom. Eksperti juridik Naser Raufi, situatën e tillë të hedhjes së fajit mes policisë dhe prokurorisë e sheh të dyshimtë.

“Nuk është sipas meje e mundshme që prokuroria të mos ketë informacion apo të mos jetë e involvuar në këtë rast. Policia sipas ligjit është e detyruar që këtë lëndë tërësisht t’ia dorëzojë prokurorisë, për ta proceduar te vetë gjyqi dhe këtu mbaron edhe detyra e MPB-së, me atë që ia dorëzon si lëndë prokurorisë”, deklaroi për Alsat-M, Naser Raufi, ekspert juridik.

Raste të tilla si thyerja e nofullës dhe lëndime të tjera të rënda ndaj Jusuf Islamit, trajtohen si vepra penale “shkaktim i lëndimeve të rënda trupore”, që sipas Kodit Penal dënohet me burg nga 6 muaj deri 5 vjet. Nëse lëndimet shkaktojnë probleme apo shenja të përjetshme, siç mund të ndodh tek Jusuf Islami, atëherë vepra e njëjtë dënohet me burg nga 1 deri 10 vjet.

Sipas Raufit, transmeton Alsat-M, në vepra të tilla penale, zakonisht caktohet masë paraburgimit. Si krahasim, ai përmend protestat e shqiptarëve të muajit mars, kur dhjetëra personave mes tyre edhe të mitur, iu caktua masa e paraburgimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button