Florent Osmani debuton me gol

Futbollisti shkupjan, Florent Osmani që këtë sezon i është bashkuar skuadrës turke të Ligës së katërt “12 Bingöl Spor”, sot kishte një debitim të mrekullueshëm, duke shënuar gol për skuadrën e tij dhe kështu duke i ikur disfatës në xhiron e tretë.

Ekipi i Osmani për kundërshtarë kishte Tatvan Gencerbirligispor të cilët kishin epërsi me 1:0, por trajneri mysafir vendos që Osmanin ta fusë në lojë në minutën e 65-të, që ka rezultuar të jetë lëvizje shumë e mençur e tij.

Osmani shënoi gol me kokë pas një krosimi e që i solli një pikë ekipit të tij, për të mbetur në kreun e tabelës, por tani në pozitën e dytë me 7 pikë të tubuara.
“Ishte një paraqitje e ëndrrave për mua, pasi që në debutim jo vetëm që tregova lojë të mirë, por edhe arrita të shënoj. Pikërisht këtë gol ja dedikoj trajnerit Ferdi Ismaili që për momentin po punon me ekipin e Fushë Kosovës”, ka thënë për “Portalb” Osmani.

Skuadra ku luan Florent Osmani pretendon që këtë sezon të arrijë kualifikimin në Ligën e Tretë, prej ku edhe fillon futbolli profesionist në Turqi. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button