fbpx

A keni problem real?

Pas ndeshjes futbollistike midis Shqipërisë dhe Serbisë, në Beograd, ku ndodhën shumë incidente, mediat maqedonase nuk ndalen së ofenduari në mënyra të ndryshme shqiptarët e Republikës së Maqedonisë. Sikur të ishin duke luajtur Shqipëria me Maqedoninë dhe sikur shqiptarët e Maqedonisë të kishin fajet se pse, u provokua e gjithë situata e krijuar në Beograd.

Janë patetik shumica e publicistëve dhe analistëve prej tyre, të cilët shprehen se me Marrëveshjen e Ohrit, shqiptarëve të Maqedonisë u dhamë tepër. Ndoshta edhe më tepër se ç`duhej dhënë. Ky lloj patetizmi, krijon një lloj frike prej shqiptarëve, frikë e panevojshme, ndërsa në vetvete është shndërruar në kauzë ditore e medieve dhe politikës. Sa më shumë që të krijohet frikë dhe panik, aq më shumë politika maqedonase do të ketë arsyetime për ta shtrënguar kravatën në fytin e shqiptarëve.

Papunësia në nivel të frikshëm për publicistët dhe analistët maqedonas nuk është frikë e problem. Ajo madje edhe nuk ekziston në sytë e tyre. Unë jam i bindur se edhe në realitetet e tyre, papunësi të këtillë të frikshme nuk ka. Por, në sytë e opozitës si dhe të nacionaliteteve tjera jashtë maqedonase që jetojnë në këtë vend, papunësia është një kafshatë zor kapërdyese.

Ndeshja Serbi-Shqipëri na hapi sytë edhe njëherë shqiptarëve të Maqedonisë, se në çfarë gjendje të mjerueshme gjendemi. Të gërvishtësh pak në fytyrat e këtyre intelektualëve do të dalin fjalë dhe terme ndër më ofendueset dhe më banalet për një popull që llogaritet shtet formues. Maqedonasit dhe shqiptarët në këtë shtet, termin bashkëjetesë si duket prej zorit e kanë shndërruar në fobi ose frikë, diçka e ngjashme me atë foton ku një burokrat barkmadh ushqehet nga luga e popullit kocë përjashta.

Korrupsioni i politikanëve tanë, si duket është ngazëllyer prej këtyre publicistëve që ndoshta ushqehen prej kafshatave të tilla, për të helmuar opinionin publik me lloj-lloj fjalësh e helmesh nga më të ndryshmet. Gjuha raciste është gjuhë e dënueshme me ligjet e Maqedonisë, por edhe me ligjet e të gjitha vendeve tjera të botës. Nëse në ndonjë vend tjetër të botës, ndodh ndonjë incident, vizualiteti i atij incidenti nuk duhet vezulluar edhe në mesin tonë, për të krijuar incidente të panevojshme dhe për të nxjerr në pah formën vet mbrojtëse.

Publicistët maqedonas dhe shqiptarë në Maqedoni, duhet që të kanë një mision të përbashkët, luftimin e korrupsionit, luftimin e papunësisë, luftimin e ndarjeve ndër etnike, e jo të janë urë lidhëse ose bombë e politikës për të ndezur incidente të panevojshme midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

E di se ato që nisen nga parimi se peshku i madh duhet të haj peshkun e vogël, e kanë të vështirë ta kuptojnë atë që po e kërkoj. Por, në një truall të përbashkët, vend për të cilin kontribuojmë të gjithë me taksat dhe mundin tonë, është mirë që të mos rrënojmë për një natë, atë që ndoshta na duhen vite të tëra për ta ndërtuar.

Nëse paska ndodhur një incident në stadiumin e Partizanit në Beograd, ky incident mund të interpretohet prej shqiptarëve dhe serbëve, protagonist të incidentit. Maqedonasit nëse e quajnë veten si një popull i veçantë, prej popujve tjerë sllavë, me karakteristika të veçanta, nuk kanë se çka të përzihen. Përndryshe mund të dyshojmë në identitetin e tyre nacional. Ndoshta është identitet i rremë, ose edhe i vjedhur prej identiteteve tjera ballkanike.

Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close