Trekëmbësh

Në kërkim të përshkrimit të situatës aktuale dhe kontekstit politik në Maqedoni imponohet përdorimi i një fjale paksa të rrallë, por që duket tejet e qëlluar: trekëmbësh. Kjo pasi nëse analizohet sipas momentit se si funksionon ky shtet dhe në çfarë gjendje, sidomos nëse merren parasysh vlerësimet reale për të nga raporte të ndryshme ndërkombëtare sikur KE e cila përshkroi qorrsokakun e Maqedonisë, paraqiten tre shtylla konstante që mundësojnë funksionim të këtillë. Pra nuk flasim për kontekstin më të gjerë konstelacionin gjeopolitik apo raportin e forcave brenda shoqërisë në Maqedoni, por për vijat konstante nëpër të cilat vijon funksionimi i këtillë i një skeme pushteti.

Tre shtyllat e trekëmbëshit këtu janë klika ose klani i pushtetit që përbëhet politikisht nga partia DPMNE, me diku-diku vullnet politik pak të dukshëm edhe të partnerit shqiptar në qeveri BDI, opozita e dobët në krye me partinë LSDM dhe faktori ekzistues politik shqiptar i përfaqësuar në kuvend në tërësi; pra dyja partitë politike; BDI dhe PDSH.

Ashtu çdo përmbysje, ndryshim apo qoftë edhe vetëm çekuilibrim i kontekstit aktual është i mundshëm vetëm nëpërmjet çekuilibrimit të njërës prej këtyre tre konstantave. Prej tyre më pak të mundshme janë çekuilibrimi i dy të parave kurse më shumë ai i treti që ka të bëjë me përmirësimin e përfaqësimit politik të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

Kjo sepse klika udhëheqëse nuk ka asnjë zor që vetvetiu të përmirësohet ose të ndryshojë diçka nga skema shumëvjeçare e udhëheqjes. Pasi kjo qeverisje ka bërë disa vite përvojë ajo bile ka përparuar shumë dhe thellë në zaptimin e institucioneve shtetërore me të cilat lehtësisht mund ti bën ballë presionit të qytetarëve. Kështu ishte me rastin e grevës së fundit të paralajmëruar nga arsimtarët dhe të tjerët. U gjet mënyra që nëpërmjet kërcënimit për mosvazhdimin e marrëveshjeve të punës ajo grevë të mos mbahet, ndonëse kjo iniciativë për grevë ishte kohezive dhe e përbashkët nga arsimtarët në tërë vendin, por edhe i kishte shpëtuar politizimit, si asnjë iniciativë tjetër në vitet e fundit.

Njëjtë mosndryshim nuk ka dhe nuk duket edhe në shtyllën e dytë: opozitën e dobët. Se kemi të bëjmë me një opozitë të dobët mjafton të ceket se përkundër situatës kritike më të madhe bojkotimin e parlamentit nga ana e saj ajo nuk përparon aspak që kjo krizë të ngrihet në nivel të çekuilibrimit të konstelacionit aktual. Më shumë se kjo opozitës i mungon konsistenca me të cilën do trasonte rrugën e vet politike, por edhe i mungon ndonjë dalje prej qorrsokakut për Maqedoninë. Ashtu pushteti rrejshëm ia ka mbuluar opozitës, një apo dy dalje nga ky qorrsokak, duke i thënë se aty është ndryshimi i emrit, identitetit apo tradhtia, që sipas tyre do ishte kombëtare.

Ashtu prej tri këtyre vijave konstante ajo që më lehtë dhe me më pak mund ndryshohet apo edhe vetëm çekuilibrohet është përfaqësimi politik i shqiptarëve. Nëse do bëhet ndonjë lëvizje në drejtim të përmirësimit të përfaqësimit politik të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni kjo medoemos do sjellë çekuilibrimin e skemës të pushtetit.

Kjo mundësi duket se shpjegon edhe faktin se pse në raportet e fundit ndërkombëtare u futën sërish temat si; marrëdhëniet ndëretnike, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit etj., ndonëse të njëjtat disa vite me radhë merreshin si të absolvuara. Duket se me riaktualizimin e këtyre temave instancat ndërkombëtare kanë vërejtur mungesën dhe të çalat në këtë përfaqësim politik andaj duke i aktualizuar ato sikur potencojnë nevojën e përmirësimit të këtij përfaqësimi, qoftë edhe me iniciativa të reja politike.

Po ashtu shpjegohet edhe përkrahja imediate dhe e madhe që shfaqin qytetarët shqiptarë të këtushëm për iniciativat politike të sapodala si lëvizja reformatore e udhëhequr nga kryetari i Strugës; Ziadin Sela apo edhe lëvizjen e paralajmëruar “Besa”. Edhe kjo përkrahje shpjegohet njashtu me këtë nevojë dhe mundësi, e ajo është se qytetarët e vërejnë se tani për tani vetëm nëpërmjet këtij përmirësimi mund të realizohet ndonjë ndryshim në Maqedoni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button