Zona e mashtrimit ekonomik në Tetovë

E gjetur para një papunësie rekorde me mbi 30 për qind, Maqedonia nuk ka zgjedhur mënyra për të sjellë kapital të huaj. Zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale, të cilat investuesëve u ofrojnë lehtësime të shumta tatimore, janë pjesë e strategjisë për një zhvillim të shpejtë nëpërmjet së cilës mëtohet rimëkëmbja ekonomike e vendit. Vendimi që mori qeveria në vitin 2007 për hapjen e një zone ne Tetovë ngjalli shpresat për një zbutje të papunësisë në këtë rajon. Pas suksesit relativ me zonën e parë të hapur në vitin 2000 në afërsi të Shkupit, zona në Tetovë ishte e karta me rradhë.

E shtrirë në afër 95 hektarë tokë, kjo zonë është e vendosur një pozitë atraktive, ku kryqëzohen Koridori 8 dhe Koridori 10.

Partitë politike qeveritare propaganduan një parajsë investuese në këtë rajon, duke paralajmëruar hapjen e 7 mije vendeve të reja të punës qysh në fazën e parë. Por, çfarë në të vërtetë ndodhi me procesin e tenderimit dhe kush në fakt qëndron pas kompanisë fituese të tenderit për koncesionimin e zonës?

Një tender i dyshimtë
Për dallim nga zonat zhvillimore në Shkup dhe Shtip, ku si menaxhues është vet qeveria, për atë të Tetovës u vendos që të shkohet në bazë të parimit publiko-privat. Kjo nënkuptonte dhënien në pronësi të një kompanie private e cila do të menaxhojë zonën në 99 vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave zyrtare, në tenderin e hapur në shtator të 2012, oferta për Zonën e lirë ekonomike në Tetovë kanë dorëzuar dy kompanitë e kualifikuara nga faza e parë. Bëhet fjalë për konzorciumi turk “TBS Yonetim Isletme ve Insast Anonim Sirketi” i përfaqësuar nga kompania vendase “Pera Constraction Internacional doo Skopje”, si dhe kompania norvegjeze “Small Business Association of Norëay (SNS)”.  Kompania e regjistruar në Shkup e që përfaqësonte kapitalin turk, në bazë të dokumenteve të siguruara nga regjistri Qendror i Maqedonisë, është pronë e biznesmenit turk Halil Irfan Bumen, kurse më pak aksione kanë edhe biznesmenët vendas Ajdovan Ademovski dhe Dame Bozhinovski. Ndërkohë, firma norvegjeze në fakt është një shoqatë biznesesh që më vonë do të lajmërohet edhe në tenderët e radhës me emrin origjinal “Smaabedrifforbundet”.  Më vonë, zyrtarë të qeverisë, paralajmërojnë SNS-në si një “konzorcium i fuqishëm norvegjez”. Ky konzorcium, sipas njoftimeve, përbëhet nga korporata për zhvillim industrial të Norvegjisë SIVA (si themelues i se cilës qëndron off-shore kompania SIV Holding LTD, me adresë nëishullin Victoria), kompanisë “Innovation Norëay”, ”Normac Investment Group”, kompanisë për zhvillimit të biznesit të vogël “Smaabedrifforbundet”, kompanisë që merret me transport mallrash dhe investime “Tonnevold” si dhe të kompanisë së njohur amerikane “Blackard Group”.
 
Fërkimet midis grupeve të lobimit brenda partive qeverisëse thuhet të kenë bërë që ky tender të dështojë dhe më tetor të vitit të kaluar të shpallet menjeherë tenderi i rradhës. Ndër kushtet e konkurimit në tender ka qenë që të kenë të paktën 10 milionë euro të ardhura totale në vit në një nga vitet e fundit për të cilën ka të dhëna, si dhe përvojë të konsiderueshme në menaxhimin e këtyre zonave apo parqeve industriale. 

Për dallim nga thirrja e kaluar, në këtë tender ishte paraqitur vetëm një kompani: Normac Investment Group (NIG), e cila më parë ishte njoftuar të jetë pjesë e konzorciumit norvegjez SNS.

Por, kësaj rradhë vetë kompania NIG u paraqit si një konzorcium që përbëhet nga 5 kompani norvegjeze, prej të cilave 3 janë private dhe 2 shtetërore.
“Bëhet fjalë për një konzorcium, i cili ka përvojë të madhe në menaxhimin me zonat e lirë ekonomike dhe pas vetit ka 100 projekte të realizuara në këtë lëmi që do të thotë më në fund do kemi zhvillim ekonomik edhe në rajonin e Pollogut si dhe hyrje të kapitalit të lirë gjegjësisht hapjen e vendeve të reja të punës”, tha më 15 janar ministri i ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, duke folur për kompaninë NIG, që fitoi tenderin të menaxhojë me zonën zhvillimore në Tetovë.

Mashtrimi me konzorciumin
Përveç ministrit Saraçini, edhe drejtori i Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Viktor Mizo, siç qëndron në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, ka thënë  se bëhet fjalë një konzorcium. “Konsorciumi Normak Investment Group  është i përbërë nga katër shoqata afariste norvegjeze dhe një amerikane që merret me patundshmëri në sektorin industrial”, citohet të ketë thënë Mizo. Megjithatë, SCOOP erdhi deri te dokumentet e Regjistrit të Kompanive Norvegjeze ku shihet se NIG nuk është konzorcium që përbëhet nga 3 kompani shteërore e dy private, të gjitha nga Norvegjia. NIG është një kompani e vogël e regjistruar më më 8 mars 2012 me një kapital prej vetem 30 mijë krunave norvegjeze apo afër 4 mijë eurove. Si themelues të kësaj kompanie figurojnë shtetasit e Norvegjisë Lars Rise dhe Signe Marid Prestegard dhe shtetasi i Maqedonisë, Aki Etemi. Në dokumentet zyrtare që janë të lidhura me fituesin e tenderit për zonën zhvillimore të Tetovës nuk mund të gjenden emrat e 5 kompanive tjera norvegjeze, të cilat gjoja përbënin konzorciumin.

Menjëherë pasi ka fituar tenderin, më 1 shkurt të këtij viti NIG ka themeluar në Maqedoni kompaninë “Normak Investment Group AD Tetovo”, me kapital fillestar prej 50 mijë eurove. Në dokumentin e siguruar nga Regjistri Qendror i Maqedonisë nuk figuron asnjëra nga kompanitë norvegjeze apo amerikane që përmenden nga zyrtarët qeveritarë.

Në fakt, kjo kompani nuk ka asnjë përvojë me menaxhimin e zonave të lira, as nuk plotëson kushtin prej 10 milionë euro të ardhura totale në vit dhe është regjistruar disa muaj para se të hapet tenderi për zonën e Tetovës. Kjo shton dyshimet se themelimi i kësaj zone është bërë me qëllim të tjetërsimit të afër 95 hektarëve tokë industriale në afërsi të Tetovës.    
Thuhet se anëtarët e bordit dhe drejtuesit e kësaj firme në Maqedoni janë njerëz të afërt me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), parti kjo që përbën koalicionin qeverisës. Emri i njërit nga anëtarët e bordit të drejtorëve paraqitet edhe në dokumentet e Entit Shtetëror të Revizionit, ku janë renditur donatorët e BDI-së në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.
Norvegjezi 58-vjeçar Lars Rise, që figuron edhe si drejtor i NIG, duket të ketë pasur një biografi të bujshme në politike. Nga viti 1997 e deri në vitin 2005 ka qenë deputet i Partisë Demokristiane në Parlamentin norvegjez kurse para kësaj periudhe ka mbajtur edhe disa poste të rëndësishme qeveritare.

Derisa njerëzit e Normac Investment Group fërkon duart nga tenderi i fituar, të rinjtë e Tetovës dhe Gostivarit ende mbajnë shpresa për një boom investues në këtë rajon. Partneriteti publiko-privat, i zbatuar për herë të parë në këtë zonë,  mbase nuk do të tregohet i suksesshëm. Disa muaj pas përfundimit të procedurave të tenderimit, as shteti e as partneri privat nuk kanë filluar punët për vënien në funksion të zonës zhvillimore. Por, të papunët thonë se është herët për t’i humbur shpresat.

Autor: Xhelal Neziri

(Shkrimi është mbështetur nga Qendra e gazetarisë Hulumtuese – SCOOP Maqedoni)

Lajme të ngjashme

Back to top button