Shkelën rregullat e qarkullimit, u hiqet patenta Spahiut e Bogdanit

Bllokut të gjobave të Policisë Rrugore nuk i kanë shpëtuar as emrat e njohur dhe personalitetet e ndryshme në vendin tonë. Masat e ndërmarra së fundmi nga forcat e policisë rrugore kanë treguar se jo vetëm njerëzit e thjeshtë e shkelin ligjin dhe ndëshkohen, por e njëjta gjë ndodh edhe me njerëz të njohur të politikës, biznesit dhe rendit në Shqipëri.

Listës së personave që jo vetëm janë gjobitur nga autoritetet e policisë, por edhe që u janë marrë lejet drejtuese të mjeteve, nuk i kanë shpëtuar as deputetë, gazetarë, avokatë dhe personalitete të tjera të vendit tonë. Sipas policisë, në sajë të masave të ndërmarra nga organet e rendit, vetëm për muajin tetor janë marrë shumë patenta të këtyre personave, ndërkohë që edhe gjobat kanë qenë të shumta në numër, kryesisht për deputetët.

Rastet e ndëshkimit

Masës ndëshkuese të marrjes së patentës nuk i ka shpëtuar as deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Sipas policisë, deputeti i djathtë ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke mos respektuar sinjalet e semaforit. Një tjetër deputet që nuk i ka shpëtuar gjobvënies nga policia rrugore është edhe ai i LSI-së, Agron Çela. Ky i fundit, disa ditë më parë është evidentuar duke ecur në kundërvajtje dhe për këtë arsye është ndaluar nga efektivët e policisë. Mësohet se deputeti Çela, në fillim i ka kundërshtuar forcat blu, gjë që i ka shkaktuar atij edhe gjobitjen me 3 mijë lekë të reja. Masës penalizuese të heqjes së lejes së drejtimit për shkak të thyerjes së rregullave të qarkullimit i janë nënshtruar edhe persona të tjerë, mes të cilëve edhe njerëz publik.ë Mësohet se patenta i është marrë Elis Mimillarin, i cili rezulton si shofer i një prej deputetëve të LSI-së, por edhe për Paris Prengajn, i cili rezulton si shofer i deputetes së qarkut Lezhë, Albina Deda. Kjo e fundit, pohojnë burimet e policisë, ka qenë në makinë në momentin që makina është ndaluar nga forcat e policisë për mosrespektim të semaforit dhe për pasojë shoferi është gjobitur. Edhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu është kapur me shkelje gjatë drejtimit të mjetit të tij dhe për pasojë i është marrë patenta. Por, kësaj mase nuk i kanë shpëtuar as ish-shefat e qarkullimit rrugor në Tiranë, siç është rasti i ish-efektivit Gjon Hasani, të cilit i është marrë leja drejtuese për një periudhë më shumë se 6 muaj. Edhe avokatët dhe prokurorët janë kapur me shkelje gjatë drejtimit të mjetit, siç është rasti i avokates I. Aleksi, avokatit Idajet Beqiri, si edhe prokurorit të Rrethit të Krujës, Agron Gjana, të cilëve iu është marrë patenta. E njëjta masë është ndërmarrë për shefin e njësisë operacionale të SHIK-ut, A. Xhuti, apo edhe për doganierin në Rinas Ilir Shahu, si edhe për drejtorin e përgjithshëm të Antikontrabandës, Mustafa Cena. Patenta i është marrë edhe diplomatit Syl Mustafaj dhe pedagogut të Ekonomisë, R. Prifti. Ndërkohë, sipas nenit 144 të Kodit Rrugor, kushdo që shkel rregullat e qarkullimit duke vazhduar lëvizjen e mjetit edhe pse semafori e ndalon këtë gjë, ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë, si dhe me masë plotësuese administrative, me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj. Vetëm ditën e djeshme, nga ana e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor Tiranë, grupi i Task-Forcës ka bërë arrestimin e 10 personave për shkelje të ndryshme. /BW

Lajme të ngjashme

Back to top button