Nga sot mund të jeni shtetas edhe i Shqipërisë

Institucionet e Republikës së Shqipërisë nga sot (e enjte) fillojnë me dhënien e nënshtetësisë së dyfishtë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të këtij shteti, përjashtuar ata të Kosovës.

Kryeministri në largim, Sali Berisha, disa muaj më parë e ka ndërmarrë iniciativën që t’iu japë nënshtetësi shqiptare edhe qytetarëve që nuk jetojnë në shtetin amë, por disa javë më pas kosovarët u hoqën nga “lista”, ndërsa për të jetësuar këtë nismë ishte miratuar ligji përkatës, i cili tashmë ka hyrë në fuqi.

Si rrjedhojë, përpos shqiptarëve të Kosovës, të cilët janë “privuar” nga shtetësia shqiptare, ata shqiptarë që kanë lindur apo jetojnë në shtetet përreth (që e kanë njërin prind shqiptar) do ta kenë këtë të drejtë. Po ashtu pasaporta shqiptare i takon të gjithë shtetasve shqiptarë të botës, që kanë nënshtetësi të vendeve që janë në BE, e që nuk rrezikojnë nga liberalizimi i vizave.

Në Prishtinë ndërkaq ekziston përshtypja se Tirana zyrtare i ka diskriminuar kosovarët, për të cilët ka vendosur të mos japë shtetësinë e dyfishtë.Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, thotë se është mirë që shqiptarët që jetojnë në shtetet përreth Kosovës do të marrin nënshtetësi shqiptare, por ai thekson se ndaj shqiptarëve të Kosovës po bëhen padrejtësi të mëdha.

“Padrejtësitë ndaj kosovarëve po vazhdojnë në vazhdimësi, tash e njëqind vjet. Pasi shqiptarët e kanë paguar lirinë e vet, pasi e kanë paguar që të respektohet vullneti i tyre, ata nuk e kanë as lirinë, as nuk e kanë të respektuar vullnetin e tyre. Vullneti i shqiptarëve është që të jenë të gjithë të bashkuar dhe t’i kenë të drejtat e barabarta”, thotë ai.

Sipas tij, më shumë se Tirana zyrtare duhet të fajësohet Prishtina, meqenëse, sipas tij, janë politikanët e Kosovës të cilët ia kanë vënë themelin, ndërtimit të kombit kosovar dhe shpartallimit të atij shqiptar.“Padrejtësia ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk është padrejtësi vetëm ndaj tyre, por është padrejtësi ndaj gjithë shqiptarëve për shkak se në këtë rast shkëputet dhe mohohet e drejta e një pjese të kombit që ta ketë të drejtën që e ka një shqiptar tjetër”, nënvizon ai.

Edhe qytetarët e rëndomtë të Kosovës po ndihen të hendikepuar, që nuk po kanë mundësi të marrin shtetësi shqiptare, edhe pse fajin për këtë ia hedhin ndërkombëtarëve.Rexhep Gërbeshi thotë se po të pyetej vetëm vullneti i Tiranës zyrtare, që sot do të fillonte dhënia e pasaportave, gjegjësisht dyshtetësisë edhe për shqiptarët e Kosovës.

“Ka pengesa të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare për këtë çështje, unë kështu mendoj. Ne e kemi shtetësinë tonë, është dëshira e çdo individi edhe e imja për bashkim kombëtar, mirëpo sigurisht janë ato pengesat e bashkësisë ndërkombëtare, pengesa të padrejta nga ndërkombëtarët, jo nga institucionet e Shqipërisë”, thotë ai.

Ky gjashtëdhjetëvjeçar kujton se sikur kosovarët të fillonin t’i merrnin pasaportat e Republikës së Shqipërisë, ata do të ishin shumë të privilegjuar. “Padyshim sepse për neve nuk ekziston lëvizja e lirë”, nënvizon Gërbeshi.

Nga ana tjetër, dhënia e nënshtetësisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës konsiderohet si hap shumë pozitiv për shqiptarët që jetojnë në tri komunat shqiptare në Serbi.Analisti politik nga Presheva, Belgzim Kamberi, thotë se ky hap i Tiranës zyrtare do të ndikojë direkt në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

“Në një anë është mirë sepse i ofron edhe më shumë në praktikë shqiptarët e Luginës së Preshevës me shtetin amë. Më konkretisht, nënshtetësia për shqiptarët e Preshevës mund të hapë perspektiva qoftë për punë, qoftë për investime, qoftë për çështje tjera që legjislacioni shqiptar e parasheh që duhet të jetë shtetas i Shqipërisë për të pasur disa të drejta. Edhe në aspektin shpirtëror i ofron shqiptarët e Luginës së Preshevës me shtetin amë”, thotë ai.

Kamberi kujton se në vitet 2008-09 organizata që ai e drejton, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut së bashku me disa organizata tjera shqiptare që patën përbërë Rrjetin e Organizatave Shqiptare, patën ndërmarrë aksion duke kërkuar që atëherë të jepet nënshtetësia shqiptare.

Qeveria e përgjumur!

Gjatë ditës së mërkurë “Zëri” është përpjekur të marrë një qëndrim nga zyrtarët e Qeverisë së Shqipërisë, por për shkak të ndryshimeve që janë duke u bërë në ekzekutivin shqiptar, (ndërrimit të ministrave), kontakti me ministrat në largim ka qenë i pamundur.
Sikurse ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Noka, edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Llauka, nuk janë përgjigjur në telefon./Zëri 

Lajme të ngjashme

Back to top button