Shkëndija gati për derbin ndaj Vardarit

Disa ditë para duelit me Vardarin në kuadër të xhiros së 11-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, në taborin e Shkëndijës ekziston mobilizim maksimal. Futbollistët përgatiten si para çdo sfide tjetër, duke shënjestruar qartë tre pikë nga dueli me rivalin nga Shkupi, ndërkohë kryesia është duke marrë të gjitha masat për organizim të mirëfilltë të këtij takimi.

Pas miqësores të së dielës me Skënderbeun në Korçë, stafi teknik në krye me Ardian Koznikun në plan të parë kanë hedhur duelin me Vardarin. Përgatitet formulë fituese, megjithëse të gjithë janë të vetëdijshëm se do të jetë e vështirë. Vardari disfatën e vetme këtë sezon e ka pësuar pikërisht në Tetovë, kur u mund 2:1 nga Shkëndija në kuadër të Kupës, mirëpo në taborin ‘kuqezi’ thonë se ai takim i takon të së kaluarës, secila ndeshje është ndryshe dhe kërkon impenjim maksimal, kështu që të dielën të gjithë janë të gatshëm të japin më të mirën e tyre për të rrëmbyer tre pikët.

Bilansi shëndetësor është pozitiv dhe jashtë skuadrës janë vetëm Bejtullai dhe Selmani të lënduar paraprakisht. Të gjithë tjerët punojnë në maksimumin e tyre dhe janë të gatshëm që të japim në shumë se 100% për të sjellë suksesin e radhës dhe tre pikë që ekipin do e përforconin në pozitat për të sulmuar vendin e parë. Në këtë drejtim vlerë të madhe ka mbështetja që do të ketë ekipi nga tribunat, pasi ‘kuqezinjtë’ kanë edhe lojtarin e tyre të ‘12’-të ‘Ballistët’, por pa anashkaluar edhe mijëra tifozë tjerë që mbushin shkallët e stadiumit.

Kryesia kërkon mobilizim edhe nga tifozët, të anohet në mënyrë korrekte, mos përdoret gjuha e urrejtjes dhe ofendimeve nacionale, pasi Federata e futbollit parasheh dënime të rigoroze. S’do mend se publiku tetovar, por edhe gjithë shqiptarët e kanë dëshmuar shumë herë se dinë të kultivojnë vlera dhe se janë të denjë për të organizuar ndeshje futbolli dhe spektakle sportive në frymën e fair-playt dhe korrektësisë maksimale, duke respektuar kundërshtarin, por njëkohësisht duke dhënë gjithçka në teren për suksesin e ekipit të vet.

Ndeshja e të dielës me Vardarin pritet të jetë festë futbolli, ku do të mbizotërojë atmosfera që dinë të krijojnë vetëm ‘Ballistët’, me shpresë që në fund të gjithë së bashku t’i gëzohemi fitores dhe tre pikëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button