Ermira Mehmeti: VMRO luan rol cinik me euro-integrimet (Intervistë)

Nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme por zgjidhje, përderisa VMRO është cinike dhe emocionale rreth çështjes së emrit BDI tenton ta sensibilizojë faktorin ndërkombëtar mbi pozicionet e shqiptarëve të Maqedonisë për sa i përket urgjencës së integrimit të vendit në NATO dhe BE. Kështu mes tjerash shprehet Ermira Mehmeti-Devaja, deputete e Bashkimit Demokratik për Integrim, shefe e Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë parlamentare të NATO-s, në një intervistë për PortAlb.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Maqedonia nuk mori datën e bisedimeve dhe nuk është përmendur fare në Samitin e fundit të BE-së. Milloshoski kërkoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Besimi që është ministër nga radhët e partisë suaj. Është përgjegjëse BDI, si subjekt politik, për mossuksesin në këtë proces?

?.MEHMETI-DEVAJA: Pa dashur të keqkuptohem, do të thosha se përshtypja ime është se qasja e partnerit tonë në bashkëqeverisje lidhur me këtë problem është më së paku cinike. Duket sikur ata u ndjenë të lehtësuar në momentin kur ne morëm përsipër portofolet euroatlantike në Qeveri sepse në këtë mënyrë në çdo moment do mund të hidhnin përgjegjësinë për procesin mbi supet tona. Por, unë do thosha se përgjegjësia për këtë proces bie mbi ata të cilët e kane personalizuar dhe emocionalizuar një çështje të cilën duhet trajtuar si pragmatike dhe realiste. Këtë qasje sigurisht se nuk e ka as BDI dhe as ndonjë subjekt tjetër politik shqiptar.

PORTALB: Dolët me ultimatumin e radhës për ta zgjidhur emrin për debllokimin  e euro-integrimeve. Deri më tani kemi parë një sërë ultimatumesh por ata kanë kaluar në heshtje. Cilat janë hapat e juaja konkrete në këtë drejtim?

?.MEHMETI-DEVAJA: Nuk besoj se qasja jonë është ultimative. Në fakt, mendoj se qasja jonë ka qenë dhe ngelet pragmatike dhe në shërbim të interesave të qytetarëve dhe të shtetit. Për më shumë, qëndrimet tona kanë qenë dhe ngelen në vijë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë- SHBA, BE, NATO.

PORTALB: Flitet se planifikohen zgjedhje parlamentare në pranverë. Komenti juaj?

?.MEHMETI-DEVAJA: Unë besoj se Maqedonisë nuk i nevojiten zgjedhje por zgjidhje.

PORTALB: Çfarë pritni nga ofensiva diplomatike e z.Ahmetit? Mendoni se BDI ka fuqi për të iniciuar zgjidhe të emrit?

?.MEHMETI-DEVAJA: Mendoj se kjo nismë politiko-diplomatike e kryetarit Ahmeti është një aksion i qëlluar për të sensibilizuar qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare mbi pozicionet e shqiptarëve të Maqedonisë për sa i përket urgjencës së integrimit të vendit në NATO dhe BE. Në instancë të fundit, mendoj se partnerët ndërkombëtarë kanë nevojë që nga dora e parë të dëgjojnë edhe mbi shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë. Përveç kësaj, ky është po ashtu një demonstrim real i rolit shtet formues që ka BDI si subjekt shqiptar në Qeveri. Logjika e mëhershme politike në Maqedoni sikur kishte imponuar një rol dytësor të partnerit shqiptar, duke i lejuar që të merret vetëm me temat etnike, ndërsa BDI ka imponuar cilësi të re të sjelljes dhe përgjegjësisë politike. 

PORTALB: Pse duhej që BDI ta zbulojë propozimin e ndërmjetësit Nimetz, nga ana tjetër pala maqedonase të hesht? A është i pranueshëm për BDI emri ‘Republika e Epërme e Maqedonisë’?

?.MEHMETI-DEVAJA: Është e kuptueshme – për maqedonasit kjo është bërë çështje emocionale, nuk është vetëm politike. Sa i përket BDI, ne kemi bëre të ditur se për ne nuk janë të pranueshme formulime të cilat përmbajnë referenca sllave apo jugosllave apo të ngjashme.

PORTALB: Pse zvarritet implementimi i MKO-së në decentralizim edhe pse afatet për realizimin e tij kanë qenë paraprakisht të përcaktuara?

?.MEHMETI-DEVAJA: Unë konsideroj se MO nuk duhet trajtuar si dokument me afate, përkundrazi: MO është pjesë e Kushtetutës, është vetë Kushtetuta dhe ajo nuk ka një afat të prerë. Kushtetuta duhet të reflektojë dhe përmbush nevojat e qytetareve të një shteti ashtu siç ato evokuojnë dhe siç ndryshon shoqëria. Po të nisemi nga fakti se MO kishte qellim themeltar t’i jepte fund konfliktit, natyrisht që do të flasim për afatet e saj. Por, sot MO është proces i reformimit të shtetit dhe duhet trajtuar në këtë kornizë. 

PORTALB: Duket se zgjidhja ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe nuk i përmbush nevojat e qytetarëve, është përmendur edhe ndryshimi i Kushtetutës që përdorimit të shqipes t’i jepet më shumë hapësirë ligjore për përdorim. E konsideroni ju çështje të mbyllur, ashtu siç e konsideron për shembull Silvana Boneva, çështjen e përdorimit zyrtar të shqipes?

?.MEHMETI-DEVAJA: Natyrisht se një politikan shqiptar dhe një politikan maqedonas asnjëherë nuk do të kenë qëndrime të njëjta lidhur me tema siç është përdorimi i gjuhës. Prandaj, në politikë është krijuar instrumenti i quajtur kompromis, si mekanizëm që mundëson lëvizjen përpara sidomos në shtete etnikisht të përziera çfarë është Maqedonia. Unë them se avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe është proces që do të vazhdojë. Në këto dhjetë vite, BDI arriti ta sjellë deri në nivelin aktual. Besoj se kemi dhënë prova të mjaftueshme se mund ta bëjmë duke qenë se vetëm ne kemi bërë avancimet e shqipes deri më tani dhe qytetarët duhet të besojnë se ky proces do të vazhdojë.

PORTALB: Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet vendore është bërë mollë sherri midis palëve, sepse shqiptarët konsiderojnë se nuk janë të përfaqësuar sa duhet në institucione, kurse maqedonasit e konsiderojnë të padrejtë  synimin që me çdo kusht, komunitetet të përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe adekuate, ndërsa kryeministri tha se nuk zgjidhet kuadri i mjaftueshëm kualitativ. Si do t’u përgjigjeshit ju këtyre pretendimeve?

?.MEHMETI-DEVAJA: Unë besoj se Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit ka një strategji dhe plan aksioni lidhur me këtë çështje. Për më shumë, Sekretariati ka iniciuar një analize kuantitative dhe kualitative të këtij procesi. Të shohim cilat do të jenë konstatimet e tyre institucionale dhe shkencore. 

PORTALB: Zonja Mehmeti, edhe çështja e pozitës së Bashkësive fetare në vend, shpesh po shtrohet si një formë e pabarazisë midis komuniteteve të ndryshme fetare. BFI po ankohet se shteti nuk po i trajton njëlloj këto bashkësi. Feja tek ne është e ndarë nga shteti, por këto pretendime nuk duhet të kalojnë pa u vërejtur, sepse ndikojnë në harmoninë fetare në vend. Apo jo?

?.MEHMETI-DEVAJA: Unë besoj se koncepti më i mirë për shtetet me diversitet etnik e fetar është koncepti sekular i ndarjes së plotë të shtetit dhe fesë. Çdo pretendim tjetër është paraprakisht i dënuar të dështojë.

PORTALB: Çfarë mendoni për opozitën maqedonase, sidomos për LSDM-në, tani me udhëheqësi të re?

?.MEHMETI-DEVAJA: Besoj se konsolidimi sa më i shpejtë i opozitës do ta ndihmonte pushtetin në politikat e veta, duke qenë se do të kishim një korrektor serioz dhe aktiv. Konsolidimi do të ndihmonte edhe në rivendosjen më të shpejtë të dialogut politik, sidomos në Parlament, ku duket se nuk ekziston fare komunikimi midis mazhorances dhe opozites. Kjo ka rrënuar potencën e Parlamentit dhe besoj se do të ndikojë për ta dobësuar rëndësinë politike te pushtetit përfaqësues. Këtë besoj se nuk guxon ta lejoje një demokraci që të pretendon të bëhet anëtare e BE dhe NATO-s. /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button