Lirim Jakupi-Nacisti të enjten në gjykatë. Dyshohet edhe për vepra penale në Shkup dhe Tetovë

Është arrestuar në javën e dytë të këtij viti. Që nga 13 janari, Lirim Jakupi i cili ishte arrestuar me të dalë nga burgu i Dubravës, është kthyer sërish në burg. Nëntë muaj ai ka qëndruar nën masa të rrepta të sigurisë. Me këto masa të rrepta të sigurisë do të përcillet edhe sjellja e tij për në Prishtinë. Në sallën e improvizuar të kinemasë ABC1 të enjten është planifikuar të mbahet një seancë paraprake ndaj Lirim Jakupit. Seanca do të mbahet me dyer të mbyllura ngase sipas zëdhënëses së EULEX-it, Dragana Nikolic Solomon, kështu ka urdhëruar gjyqtari i rastit, njofton Zeri.

Jakupi është duke u hetuar nga prokurori special, Andreë Carney. Ky i fundit tash e disa muaj është duke zhvilluar hetime, por ende nuk është ngritur aktakuza ndaj Jakupit, i cili dikur ka qenë ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e më pas edhe i UÇPMPB-së në Luginë të Preshevës.

Por pavarësisht të kaluarës së tij prej një luftëtari, ai dyshohet se ka kryer disa vepra penale në Shkup dhe Tetovë të Maqedonisë, madje në fund të vitit 2004.

Nga burime të saj gazeta ka mësuar se aktakuza ndaj Jakupit do të ngrihet brenda disa javëve dhe atë për disa vepra penale që rëndojnë mbi te.

Veprat penale për të cilat është i dyshuar Jakupi, janë të renditura edhe në faqen zyrtare të Misionit EULEX në Kosovë, në pjesën ku janë të shkruara oraret e seancave gjyqësore.

Sipas faqes së internetit të misionit EULEX i cili edhe është duke e hetuar Jakupin, ky i fundit dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, veprën penale lëndim të rëndë trupor, veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, atë të mbajtjes në pronësi të paautorizuar të armëve si dhe veprën penale të furnizimit, prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të armëve.

Mbi këto dyshime Jakupi është arrestuar edhe më 13 janar të këtij viti, madje me të dalë nga burgu i Dubravës ku ishte mbajtur për një kohë të gjatë. Në ditën kur edhe është arrestuar, ndaj tij ishte mbajtur një seancë në selinë e qendrës korrektuese në Dubravë, dhe ndaj Jakupit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ashtu që ai prej atëherë po mbahet në paraburgim.

Lirim Jakupi (1979) nga Bujanoci ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe UÇPMB-së. Në vitin 2003, Jakupi ishte plagosur nga policia maqedonase në konfliktin e armatosur me të vrarë e të plagosur në objektet e Universitetit të Tetovës prej nga ai çuditërisht arriti të arratisej.

Aty ishte vrarë studenti Liridon Dermaku nga Kamenica, ndërsa Jakupi i plagosur kishte arritur të shpëtojë, edhe pse i plagosur rëndë dhe është arratisur duke çarë rrethimin.

Jakupi ishte arrestuar më 20 dhjetor të vitit 2004, ndërsa në shkurt të vitit 2007, i akuzuar nga prokurorja e UNMIK-ut, Cecilia Tiliada, për tri vepra penale të detyrimit, katër vepra penale të rrëmbimit dhe tri vepra penale të shtrëngimit, ai ishte dënuar me gjithsej gjashtë vjet heqje lirie. Pak muaj pas shpalljes së verdiktit, në gusht të 2007-s Jakupi ishte arratisur nga burgu i Dubravës në ditën e arratisjes spektakulare të një grupi të burgosurish me ç’rast ishin arratisur edhe Faton Hajrizi, Burim Basha, Amir Sopa, Astrit Shabani, Xhavit Morina e Ramadan Shyti.

Pas tri vitesh të kaluara në arrati, Lirim Jakupi në shtator të vitit 2010 ishte arrestuar në qendër të Prishtinës dhe sërish ishte kthyer në burg për të vazhduar vuajtjen e dënimit. Gjatë qëndrimit të tij në burg Jakupi ishte akuzuar edhe për një vepër penale të terrorizmit mirëpo përkitazi me këtë vepër ai është shpallur i pafajshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button