Kompensimi i pronës së shkatërruar në Gjorçe mbetet në sirtarët e fjetur të gjykatave

 

Procedurat gjyqësore kanë hyrë në labirinte që duket se nuk do të kalojnë kurë për dëmshpërblimin e lokaleve të pronarëve shqiptarë të  shkatërruara në Gjorçe Petrov, pas shkatërrimit nga protestat që patën për pasojë vrasjen e të riut maqedonas.

Neglizhenca e organeve gjyqësore ka lënë pa punë për një kohë të gjatë familjen Kadrush Emini lokali i të cilit u shkatërruan plotësisht.

Pas protestave në Gjorçe Petrov kohë më parë, familja shqiptare Emini, ende nuk është dëmshpërblyer për thyerjen e dyqanit dhe demolimin e tij.

Kryefamiljari Kadrush Emini bën të ditur se avokati i angazhuar po vijon procedurat, mirëpo ato po shkojnë shumë ngadalë.

“Kemi angazhuar avokat për të kërkuar dëmshpërblim sepse protestuesit ma dëmtuan rëndë dyqanit, të cilin u desht ta rregulloj vetë, me paratë e mija. Por si zakonisht në Maqedoni shko shumë gjatë procedura gjyqësore dhe frikësohem se mos do më kushtojë dyfishi i dëmit”, tha për Portalb, Emini.

Gjithashtu edhe në raportin e fundit të KE-së u kritikua vonesa e procedurave gjyqësore si dhe ndikimi politik në to.

Dëmi material që iu bë kësaj familje kap vlerën e afër 10 mijë eurove, të cilat ata i kanë siguruar vetë dhe kanë arritur të rregullojnë sado pak dyqanin e tyre.

“Avokati na premton shumë, shpresojmë që do të realizohet diçka sepse nuk kemi hesap gjithmonë që maqedonasit na sulmojnë ne t’i riparojmë dëmet vetë. Qytetarët duhet të jenë të mbrojtur me ligj”, shtoi Emini.

Edhe pse kohë më parë MPB paralajmëroi se mbi 60 persona janë ndaluar deri tani nga nën dyshimin e shkaktimit të incidenteve në lagjen Gjorçe Petrov, asnjë pagesë nuk iu është bërë të dëmtuarve shqiptarë.

“Ne kemi kryer punën tonë duke i kapur personat e dyshuar, kurse sa i përket pjesës tjetër, lidhur me dëmshpërblimet vendos gjykata”, thonë nga sektori për informim i MPB-së.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button