Deri në fund të vitit do të dihet e vërteta për vdekjen e Trajkovskit

Deri në fund të vitit do të përfundojë hetimi i ri që e zhvillon një ekip ndërkombëtar për fatkeqësinë ajrore që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004 pranë Rotimle në Mostar, ku jetën e humbën ish-presidenti i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski me bashkëpunëtorët dhe anëtarët e ekuipazhit, pohoi kryeprokurori dhe kryetar i Komisionit për aviacion pranë Ministrisë së Qarkullimit dhe Komunikimeve të Bosnjë e Hercegovinë, Omer Kuliq.

“Punojmë intensivisht. Plani është që të gjitha aktivitetet t’i kryejmë deri në fund të vitit. I kemi locuar mungesat të cilat i ka bërë komisioni paraprak dhe shkaqet për të cilat është hapur hetimi i ri. Këtë e kemi locuar dhe e dimë çka është problemi, por ende nuk i kemi vërtetuar shkaqet. Kjo do të vendoset në fund”, deklaroi Kuliq për agjencinë Anadolia, transmeton Mia.

Në pyetjen nëse në raportin e ekipit ndërkombëtar do të ketë dallim në raport me konkluzionin se ka ndodhur “gabim i pilotit” nga viti 2004, Kuliq u përgjigj se “disa dallime duhet të ekzistojnë, në çdo rast do të ekzistojnë”.

Në ekipin ndërkombëtar që e heton rastin “Trajkovski”, janë përfshirë ekspertë nga Amerika, Gjermania, Kroacia, Serbia, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Presidenti Trajkovski, gjashtë anëtarë të delegacionit të Maqedonisë, të cilët është dashur të marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare në Mostar, si dhe dy anëtarë të bordit, kanë humbur jetën kur, siç është vërtetuar, aeroplani është përplasur në mal për gabim të pilotit.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski në korrik të vitit të kaluar në Sarajevë i kanë prezantuar kolegut të tij nga BeH-ja, Damir Haxhiq dokument i cili përmban momente të reja për aksidentin.

Komisioni për hetimin e shkakut të fatkeqësisë, i formuar nga Këshilli i ministrave të BeH-së, atëherë konkludoi se shkak për rrëzimin e aeroplanit ka qenë gabimi procedurial i ekipit të pilotit në fazën e aterimit të aeroportit të Mostarit. Por, avokati i familjeve të disa prej të vdekurve pohoi se mbi Trajkovskin është kryer atentat, ndërsa anëtarët e tjerë të delegacionit janë gabim kolateral. Prokuroria e BeH-së nuk e ka akuzuar askënd për aksidentin ajror afër Mostarit.

Lajme të ngjashme

Back to top button