Terminet mjekësore, kaos dhe pritje të gjata, qytetarët kërkojnë sistem më funksional

Për një termin për kontroll tek mjeku duhet të pritët me muaj, qytetarët ankohen se kjo pritje është shumë e gjatë dhe se detyrohen të shkojnë në klinika private në të cilat pranohen menjëherë.

Buajr Jaji, ka ngelur pa termin të lirë për kontrollin e fëmijës së tij dhe i revoltuar kritikon Ministrinë e Shëndetësisë për këtë gjë.

“Kam dërguar fëmijën tek mjeku amë dhe duhet t’i caktojë kontroll po ja që nuk tregon sistemi termin të lirë. Provova ta dërgoj vetë pa caktuar termin në spital mirëpo më kthyen më thanë se nga mjeku amë duhet te caktoni termin. Kjo është e tmerrshme Ministri i Shëndetësisë duhet të reagojë të përmirësojë këtë gjendje sepse njerëzit mund vdesin për një intervenim të vogël, për të cilin duhet të presin me muaj”, tha për Portalb, Jaji.

Ai shton se  fëmija i tij ka probleme që në lindje por ja që për kontroll e ka të vështirë që të shkojë për shkak të vonesës.

“Fatmirësisht me mjeken qe e udhëheq fëmijën tim jemi në raporte shoqërore. Dhe dy herë kam qen për të caktuar termin dhe nuk kemi hasur në sistem që të ketë termin të lirë po qoftë ai edhe pas shumë muajsh. Kemi ngelur pa termin”, theksoi Jaji.

Nga ana tjetër mjeku Sedat Lumani sqaron se terminët mund të zgjasin varësisht nga agjenda e mjekëve.

“Mjekët mund të jen të lirë dhe atëherë termini caktohet menjëherë, por ndodh që agjenda e tij të plotësohet menjëherë dhe kështu pacientët janë të detyruar të presin me muaj të tërë”, tha për Portalb, Lumani.

Pacientët mund të caktojnë terminet e tyre online, si dhe të shikojnë datat e lira për realizimin e tyre.

Megjithatë, qytetarët kërkojnë një sistem mjekësor më funksional duke u ankuar se edhe paguajnë sigurim shëndetësor, edhe prapë janë të detyruar të drejtohen drejt klinikave private.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button