Juventusi mundi Bixhon e Kumanovës

Ekipi i Juventus Serava ka shënuar fitoren e dytë në sezonin e ri të Ligës së Parë të Maqedonisë në futsall, duke e mundur ekipin e Bixho nga Kumanova me rezultat të pastër 4:0.

Djelmoshat nga Shkupi që ndeshjet e tyre i luajnë në sallën “Enver Idrizi”, kanë treguar shkathtësi dhe kualitet në lojën e tyre, që në asnjë moment nuk u dhanë hapësirë që të shënojnë në portën e tyre.

Në këtë ndeshje për Juventusin kanë shënuar katër futbollistë, Muharem Ajrulla, Qazim Sulejmani, Orhan Ibishi  dhe Artan Mustafa.

Me këtë fitore tani Juventus ngjitet në mesin e katër ekipeve më të mira, ndërsa të dielën e ardhshme do të luajë në Kavadar kundër ekipit “Crna Reka”.

Trajneri i skuadrës së Juventus Serava, Gafurr Hasani ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës, e cila është treguar si ekip i fortë për këtë sezon.

“Para se gjithash dua të uroj të gjithë futbollistët që dhanë kontribut të madh në këtë fitore dhe arritëm që të mos pranojmë asnjë gol. Këtë sezon besojmë se do jemi në mesin e tri ekipeve më të mira, pasi kemi kualitet dhe mundë të fitojmë secilën skuadër. Shpresojmë të kemi paraqitje të mirë edhe në Kavadar, ku gjithsesi na pret një ndeshje e vështirë”, tha për “Portalb” Hasani.

Të përkujtojmë se ekipi i Juventus Serava edhe këtë ndeshje ka luajtur pa praninë e tifozëve, ndërsa gjithsej ishte dënuar me gjashtë ndeshje pa publik, shkaku i një incidenti sezonin e kaluar me ekipin e Zhelezarec. Juventus duhet të luajë edhe dy ndeshje pa shikues dhe më pas do të jetë e kompletuar edhe në përkraje nga tifozët, të cilët si zakonisht e mbushin përplot sallën “Enver Idrizi”. /Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button