Maqedonia e pa fat me Ukrainën

Në një ndeshje tejet dramatike deri në minuta e fundit, Maqedonia ka përjetuar dhe disfatën e dytë në ndeshjet kualifikuese të Grupit C për Euro 2016, pasi në stadiumin Lviv u mund nga Ukraina me rezultat 1:0. Ndeshja ishte luajtur në një atmosferë të zjarrtë që kishin krijuar tifozët vendës, e që ishin rreth 35 mijë veta.
Ukraina golin e fitores  e shënoi në kohën shtësë të pjesës së parë përmes Sydorchuk. Ndërsa në pjesën e dytë kishim mundësi që të rrisin epërsinë në 2:0, por Yarmolenko nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.

Të përzgjedhurit e seleksionuesit Boshko Gjurovski edhe pse pësuan disfatë, kanë treguar lojë burrërore, ku kanë dhënë maksimumin për të nxjerrë rezultat pozitiv, por nuk dolën, ndonëse krijuan shumë raste të mira, sidomos vlen të përmendet mundësia që pati sulmuesi Jahoviç, i cili doli vetëm me portierin Pyatov.

Më i rrezikshëm te reprezentacioni i Maqedonisë edhe në këtë ndeshje ishte futbollisti shqiptar Besart Abdurrahimi, i cili në disa moment provonte me gjuajtjet e tij nga distance, por pa sukses, ndërsa vetëm disa minuta para fundit ishte në rast ideal për të shënuar, por para se të godiste, mbrojtësi ukrainas Shevchuk largoi topin në rivënie këndore.

Në përgjithësi Maqedonia tregoi një paraqitje shumë më të mirë sesa ajo kundër Luksemburgut dhe kjo është për të përshëndetur. Pas ndeshjes së tretë, Maqedonia mbetet me tre pikë aq sa ka edhe Spanja por një ndeshje më pak, ndërsa Ukraina tani ka 6 pikë. Më 15 nëntor, Maqedonia në Shkup e pret ekipin e Sllovakinë që ka 6 pikë nga dy ndeshje, reprezentacion ky që ka mundur Ukrainën në transfertë dhe Spanjën në shtëpi të saj. / Portalb/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button