Pse “ECOLOG – THUAJ PO”?

Një hit i vërtetë në rrjetet sociale shqiptare javëve të fundit është bërë një fenomen mbështjeje klubi nën emrin “Ecolog – thuaj po”. Bëhet fjalë për një iniciativë të grupit të tifozëve të Shkëndijës, “Ballistëve”, të cilët zgjidhjen e problemeve financiare të ekipit e kërkojnë te sponzorimi nga firma e njohur tetovare “Ecolog”. Gjithçka filloi me një parollë të vendosur në qendër të qytetit para ca javëve dhe një apel firmës Ecolog para selisë së saj në Tetovë. Por me kohë fushata e këtillë morri dhenë, ashtu siç vështirë t’a kishin parafytyruar edhe vetë Ballistët. Në faqen e tyre tanimë çdo ditë postohen fotografi të reja nga fansa të klubit nga të katër anët e botës dhe në forma të ndryshme gjithnjë e më kreative, me mesazhin e njëjtë: “Ecolog – thuaj po”.

Të shumtët e kanë shkruar në letër, por ka edhe nëpër mure, tabela, rërë, të gjitha me një larmi të pafundme ngjyrash e stilesh, me laps, stilograf, ngjyra, shkumësa e çkamos tjetër. Dikush tjetër e ka shkruar mesazhin me gurë plazhi, një i tretë në picë, një i katërt me cigare, te një video mesazhi del si rezultat i një truku magjik të palosjes së një pesëqind denarëshi. Mesazhet vijnë nga çdokush e çdokund; përveç Tetovës e Ballistëve mesazhi është dërguar thuajse nga çdo qytet tjetër nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria, me gjithë grupet e tyre të tifove. Por mesazhi vjen edhe nga jashtë, nga të katër anët e botës. Fansa e miq të Shkëndijës e kanë postuar edhe para selisë së Ecolog në Dyseldorf, para restoraneve në Hamburg e Berlin, nga plazhet e pushimit në Kroaci, te një klub shqiptar futbolli nga Danimarka, nga Viena, qytete të Zvicrës, Njujorku, Katari, e madje edhe nga një bazë ushtarake e NATO-s në Afganistan.
Një vizitë në sajtin e fushatës është dëshmi më e mirë se si kjo çështje e Shkëndijës ka ngjallur shpirtin kreativ të shqiptarëve në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo poashtu shfaq një nivel vetëorganizimi dhe vetëiniciative, pa interes personal, të cilën partitë e shoqatat shqiptare politike, fetare, kulturore apo të tjera mund vetëm t’a kenë zili. Por pse gjithë kjo zhurmë rreth futbollit e Shkëndijës? Athua bëhet fjalë vetëm për një çështje të parëndësishme mbijetese të një klubi sportiv siç mund t’i duket dikujt, apo ka ndonjë domethënie më të madhe?

Mbaj mend një mbrëmje të vitit 1995, kur me padurim prisnim lajmet e mbrëmjes në TVM (ngaqë nuk ekzistonte televizion tjetër) që të shihnim reportazhin e ndeshjes me Tikveshin, ku kishim dëgjuar se Shkëndijës i ishte bërë një padrejtësi e madhe. Dhe u dha reportazhi me gjithë momentin e dyshimtë. Shuton një lojtar i Tikveshit, topi kalon afër shtyllës jashtë portës, ndërsa referi tregon se ishte shënuar gol. Nëse ka një gjë që definon më së miri historinë e ekipit nga fillimi i tij, ajo është padurimi që kanë treguar me të pushtetet e ndryshme, e që reflektoheshin në padrejtësi të papara në terren dhe jashtë tij. Rasti i golit të paqenë me Tikveshin është vetëm më eklatanti që nuk do harrohet asnjëherë. Por aty janë edhe padrejtësi tjera të panumërta, penallti të paqena, kartona të pamerituar, gola nga ofsajdi, dënime të shpeshta drakonike me dhjetëra loja jashtë Tetovës ose pa publik, e të tjera. E megjithatë gjithë këto padrejtësi sikur ua kanë shtuar përherë vullnetin lojtarëve e publikut. Për ata që kanë ndjekur klubin historia e Shkëndijës është pikë së pari histori mosbindjeje, sfide, rezistence, refuzim nënshtrimi ndaj pushtetit.

Shtoja këtyre padrejtësive nga gjyqtarët edhe jotolerancën e klubeve dhe tifozëve tjerë. Më të vjetrit me siguri mbajnë mend rastet e panumërta kur në ndeshjet si mysafirë tifozët e Shkëndijës detyroheshin të paguajnë çmime katër apo pesë herë më të larta se ato të vendasve, e ndodhte që edhe të sulmoheshin fizikisht. Historia e Shkëndijës është pra edhe histori konkurence jo të barabartë në vija etnike dhe histori sakrifice, si të lojtarëve ashtu edhe të publikut të saj.
Janë aty edhe dëshpërimet e shumta gjatë njëzet e ca viteve. E kush nuk e mban mend ndjenjën e hidhur të rënies në ligën e dytë në dy raste, apo të ankthit kur klubi bie në kriza financiare siç ndodh edhe këtë rradhë? Të mos lëmë pa përmendur edhe disfatat e hidhura nga rivalët e përbetuar, barazimi me Vardarin në ndeshjen e fundit të sezonit 1996 kur na duhej fitore për të ngelur në ligë, e sidomos lotët e dëshpërimit të humbjes në finalen e kupës të vitit 2005.

Por nga ana tjetër historia e klubit është mbi të gjitha histori ndjenjash pozitive. Te dyert në hymje të stadiumit harrohet çdo gjë nga jashtë, sepse ndeshja e Shkëndijës është përherë rrëfim në vete. Aty nuk ka më anëtarë të kësaj apo asaj partie, të pasur a të varfër, të shkollë e pa shkollë, qytetarë ose fshatarë, apo çfarëdo lloj ndarje tjetër; brenda në stadium çdokush është vetëm tifoz i Shkëndijës dhe kurgjë më tepër. Aty nuk ka as ndarje krahinore; edhepse klub nga Tetova, Shkëndija përherë ka qenë klub i të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë. Në tribinat e stadiumit nuk kanë munguar kurrë gostivarasit, dibranët, struganët, shkupjanët e kumanovarët, e madje as kosovarët e preshevarët. Prezencë fikse janë edhe studentët që studjojnë në Tetovë, ndër tifozët më të zellshëm e të flaktë, që kur kthehen në vendlindje marrin me vete edhe dashurinë e përjetshme ndaj Shkëndijës. Mbillet kështu fara e tifozerisë edhe atje dhe nëpërmjet tyre klubi jeton çdokund ku ka shqiptarë. Historia e klubit pra është edhe histori pajtimi e uniteti.

Dhe më në fund, edhe përkundër diskriminimit sistematik, pengesave, padrejtësive brenda dhe jashtë terrenit, historia e klubit është edhe histori triumfi. E ndaluar nga pushteti në vitin 1981, Shkëndija arriti të riformohet përsëri. Duke filluar nga liga më e ulët ajo arriti të ngjesë të gjitha shkallët, nga një në vit, që të arrijë në ligën e parë dhe në fund t’a kurorëzojë mundin dhe sakrificën me titull kampioni në vitin 2011 dhe pjesëmarrjen në kupat europiane dy vitet e ardhshme. Disa ndeshje megjithatë veçohen nga të tjerat dhe do të ngelen përgjithmonë në kujtesë. Janë këtu sidomos loja me Fortunën për ngjitje në ligën e dytë në vitin 1993 dhe ndeshja e fundit e 2011 me Metalurgun kur edhe zyrtarisht Shkëndija u shpall kampione.
Kjo pra është historia e shkurtë e Shkëndijës, histori diskriminimi, padrejtësie, shkelje, dënimi, por edhe histori sfide, mosbindjeje, rezistence, guximi, shprese dhe triumfi. Në thelb, historia e Shkëndijës është miniaturë e historisë së shqiptarëve të Maqedonisë në përgjithësi. Por për dallim nga institucionet tjera, si për shembull partitë politike, besimi te Shkëndija nuk ka humbur asnjëherë. Në fund të fundit, në këto kohëra konfuze kur nuk i zihet besë asgjëje, Shkëndija ngelet i vetmi ideal i afërt e i mirë, e vetmja që është e të gjithëve dhe e vetmja gjë ku mund të mbështetesh sigurtë, sepse ajo do të jetë përherë aty. Prandaj Shkëndija është më tepër se një klub futbolli; ajo përherë ka qenë dhe do të jetë një ide, një koncept, një ëndërr, një vizion i përbashkët i të gjithëve.

Mu për këtë fushata “Ecolog-thuaj po” ka bërë gjithë atë jehonë. Në fund të fundit ajo nuk ka të bëjë edhe aq me kompaninë Ecolog, por vetëm e vetëm me Shkëndijën, me dëshirën për t’a parë atë shëndoshë e mirë, me dëshirën për t’a parë atë triumfale. Shkëndija ka qenë në situata të këtilla edhe herë tjera dhe i ka tejkaluar. Ashtu do të bëjë edhe këtë herë, sepse ndryshe s’ka si bëhet. Nëse jo Ecolog sivjet, atëherë do të gjendet dikush tjetër në mot dhe Shkëndija një ditë do t’u ngjitet majave të reja të lavdisë. E megjithatë, kur do të shkruhet ndonjë histori e saj pas pesë apo dhjetë vitesh, ne do të donim që si vit i ringritjes dhe ripërtëritjes së klubit të shënohej viti 2013. Ja pse bëhet fushata “Ecolog – thuaj po”.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button