Low: I zhgënjyer, por luajtëm mirë

Sfida e luajtur në Varshavë mes këtyre dy kombëtareve regjistroi humbjen e parë të Gjermanisë në një ndeshje zyrtare ndaj fqinjëve të tyre polakë.

Joachim Loew nuk ka mbetur plotësisht i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij në humbjen 2-0 ndaj Polonisë. Sipas numrit 1 të stolit të Gjermanisë, lojtarët e tij nuk është se zhvilluan një futboll të dobët, por problemi i vetëm qëndronte te finalizimi i aksioneve sulmuese. Sfida e luajtur në Varshavë mes këtyre dy kombëtareve regjistroi humbjen e parë të Gjermanisë në një ndeshje zyrtare ndaj fqinjëve të tyre polakë.

“Sigurisht që jam i zhgënjyer pasi humbëm ndaj Polonisë, por sinqerisht nuk mund të fajësoj skuadrën për futbollin e shfaqur. Vetëm një gjë shkoi keq për ne në këtë sfidë, dhe ajo ishte se nuk arritëm të kishim qartësinë e duhur në finalizim. Pasimi i fundit ishte një nga ato gjëra që na mungoi në këtë takim dhe për këtë arsye nuk arritëm dot të realizonim. Gjithsesi unë jam absolutisht i kënaqur me paraqitjen e djemve të mi. Skuadra luajti mirë dhe ne krijuam shumë raste, por Polonia u tregua më e saktë në finalizim dhe na ndëshkoi në rastin e saj të parë. Ndoshta ekipit tim i mungoi thellësia në minutat e fundit dhe ky ishte një tjetër faktor që ndikoi në humbjen e sfidës nga ana jonë”.

Më pas Loew u përqëndrua te ndeshja e radhës me Republikën e Irlandës, sfidë në të cilën sipas Jogit, Gjermania do të hedhë pas krahëve disfatën e Varshavës.

“Pas një humbjeje ne duhet të reagojmë gjithmonë. Jemi Gjermania dhe në sfidën e të Martës me Irlandën do të shihni gjithë forcën tonë. Unë mendoj se ashtu si Polonia, edhe Republika e Irlandës do të luajë në mbrojtje gjatë gjithë ndeshjes për të na ndëshkuar me ndonjë kundërsulm”.

Arkadiusz Milik dhe Sebastian Mila me dy rrjetat e tyre ishin përcaktues për Poloninë në takimin përballë pancerave dhe pas plotë 19 tentativave kombëtarja lindore ja doli të mposhtë Gjermaninë në një ndeshje zyrtare. Me këtë sukses Polonia kryeson grupin D kualifikues në kuotën e 6 pikëve po aq sa Republika e Irlandës, ndërsa Gjermania ndan vendin e tretë me Skocinë në kuotën e 3 pikëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button