Maks Velo tërheq fyerjet ndaj myslimanëve dhe veriorëve

Masko Velo, është tërhequr nga deklaratat fyese ndaj verioreve dhe myslimaneve që sollën një reagim të ashpër në mbarë opinionin publik, madje ai, për këtë gjë ka kërkuar edhe falje publike.

Përmes një letre dërguar gazetës MAPO, Velo u kërkon falje dhe tërhiqet nga thëniet fyese ndaj myslimanëve, të cilët sipas tij jetojnë me punë të ndershme, respektojnë ligjin dhe jetojnë në paqe.

Velo, shprehet se ka gabuar kur ka bërë përgjithësime për myslimanët shqiptarë, dhe deklaron se “tërheq nga intervista ato pjesë që kanë prekur myslimanët paqësorë, të ndershëm dhe punëtorë, qytetarë të denjë të Shqipërisë”.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të Maks Velos:
Duke parë reagimin e mjaft lexuesve dhe kërkesën e Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi:

Ju lutem të botoni në Gazetën tuaj, në të cilën edhe dhashë intervistën, këtë tërheqje publike për disa nga deklaratat e mija të botuara aty.

TËRHEQ PUBLIKISHT DISA PJESË TË INTERVISTËS.
Kam parasysh intervistën e dhënë gazetarit Alfred Lela në MAPO weekend të datës 6-7 Shtator 2014. Bëhet fjalë për pyetjet 2 dhe 3.

Në përgjigjen për pyetjen 2, unë jap disa fakte që janë reale, (sepse asnjë nuk i rrëzoi), por gabimi im qëndron në atë se nuk kam theksuar në mënyrë eksplicite se këto vepra i kanë kryer persona të përveçëm, të ndëshkuar nga ligji.

Jo pjesa tjetër e komunitetit, jo ata (që janë shumica dërrmuese) që janë njerëz të ndershëm dhe jetojnë me punë, dhe respektojnë rendin dhe ligjin.

Për këtë iu kërkoj falje gjithë atyre që janë prekur, dhe i tërheq ato argumente ashtu si janë shkruar.

Po ashtu në përgjigjen e pyetjes së tretë doja të thosha se jam kundër pjesës terroriste të islamit si Al Kaeda, Nusra apo ISIS.

Jam me deklaratën e Komunitetit Mysliman Shqiptar që i dënon këto organizata. Jam pro vendimit të OKB-së, dhe koalicionit ndërkombëtar kundër shtetit të deklaruar të ISIS-it.

Nuk mohohet se aty ka edhe persona nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Shteti Shqiptar dhe ai Kosovar kanë aprovuar edhe ligjet përkatëse.

Nuk kam asgjë dhe jam në paqe me Komunitetin Mysliman në vendin tonë.

Tërheq nga intervista ato pjesë që kanë prekur myslimanë paqësorë, të ndershëm dhe punëtorë, qytetarë të denjë të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button