Selmani: Lufta e Selës dhe Thaçit shkon në favor të BDI-së

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, më pas kryetar i Demokracisë së Re, i cili i pari bëri edhe shkëputjen më të madhe brenda PDSH-së në vitin 2009, Imer Selmani, tani pas pesë vitesh thotë se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë nevojë për një forcë të tretë politike. Kjo, sipas tij, do të ishte vetëm një dekor i pasuksesshëm, ndërsa kërkon frymë të re brenda subjekteve aktuale dhe krijimin e një force të parë dhe të vërtetë të shqiptarëve. Por këtë frymë të re ai nuk e sheh as në iniciativën e Ziadin Selës, për të cilin thotë se nuk ka një ofertë konkrete.

“Nuk mund të prognozoj se a mund të ketë sukses Ziadin Sela me iniciativën, sepse mendoj se ende është herët për shkak se kontura e profilit të njerëzve ende nuk është e dukshme. Sa do të ketë sukses, them se nuk mund që tani të prognozohet, sepse duhet të shihen figurat, njerëzit, ekipi dhe vizioni e koncepti. Ne ende nuk kemi realisht një ofertë nga kjo lëvizje, se cila do të ishte oferta konkrete ndaj shqiptarëve dhe ndaj votuesve, por vetëm kemi një grindje brenda strukturave se kush do të jetë kryetar i ardhshëm dhe kush do ta udhëheq opozitën”, thotë në një prononcim për KOHA, Imer Selmani.

Kacafytjet e Selës me kryetarin aktual, Menduh Thaçin, sipas Selmanit, shkojnë në favor të partisë shqiptare në pushtet – Bashkimit Demokratik për Integrim. Ato, shton më tej Selmani, vetëm se defokusojnë opinionin nga problemet reale.

“Mendoj se do të vazhdon kacafytja dhe fatkeqësisht, edhe një herë do të tregojë në pah grindjet dhe interesat e karakterit personal dhe inatet e kapricot personale, të cilat do të mbizotërojnë edhe disa muaj në Maqedoni dhe do të defokusohet vëmendja nga problemet reale, qoftë të interesit të shqiptarëve – qoftë shtetërore, dhe kjo është edhe një humbje kohe. Me këtë vetëm i bëhet favor forcës politike në pushtet – BDI-së, e cila do të vazhdojë me komunitetin e vetë të demonstrojë udhëheqjen politike. Nga ana tjetër, në mungesë reale të opozitës shqiptare me zë të fuqishëm, në fund fiasko do të ketë për vetë shqiptarët”, shprehet Selmani. Ai, më tej shton se ndasitë e fundit dhe zhvillimet brenda PDSH-së i kanë dhënë një goditje të rëndë kësaj partie dhe kanë dëshmuar se e njëjta tanimë i takon të kaluarës së shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button