Maqedoni: Integrimi, jashtë prioriteteve të qeverisë

Qeveria e Maqedonisë nuk është e interesuar për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, duke komentuar raportin e progresit të Komisionit Evropian, i cili për të gjashtën herë me radhë i jep Maqedonisë rekomandimin për nisjen e negociatave, por shoqëruar me kritika si asnjëherë më parë.

Vërejtjet e shumta, sipas ekspertëve, dëshmojnë se Maqedonia nuk ka bërë thuajse asgjë në përmbushjen e kritereve të kërkuara duke dëshmuar kështu mosinteresimin për integrimin evropian, shkruan REL.

Fushat ku ajo mori kritika janë, gjyqësori, dialogu politik, liria e mediave dhe çështja e emrit. Në këto fusha jo vetëm që nuk është shënuar përparim, por madje institucionet kanë bërë hapa pas.

“Maqedonia ke ngelur në zotimet deklarative se është për integrimin, por që në fakt nuk bën asgjë për arritjen e këtij synimi. Këtu është Maqedonia. Ajo shprehet se është për integrimin, por de-facto nuk bën asgjë për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe përmbushjen e reformave, për asnjë milimetër nuk ka lëvizje”, thotë Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës.

Se Maqedonia nuk ka bërë thuajse asgjë në përmbushjen e reformave, pajtohet edhe Llazar Llazarov, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit.

Ai thotë se pa një qasje serioze të institucioneve dhe pa ndryshimin e mentalitetit politik, vendi edhe për shumë kohë nuk do të lëvizë nga pozicioni i tanishëm.

“Shumë punë varen prej vetë neve, se si do të sillemi pasi është e vërtetë se te ne asgjë nuk funksionon, nuk ka as sundim të së drejtës, nuk jemi shtet juridik, nuk ka as liri të mediave, liri të shprehjes, raportet mes pushtetit dhe opozitës dihet se si janë, pra, nuk kemi dialog politik, nuk kemi Kuvend funksional, kemi debat me vetveten…”, vlerëson Llazarov.

Profesori Bekim Kadriu, nga ana tjetër, thotë se kriteret për Maqedoninë po shtohen dita-ditës, jo se kërkohet diçka e re, por se vendi po shënon ngecje edhe në ato sfera që kishte përparime të vogla, vite më parë.

Ai konsideron duhet punuar në të gjitha sferat dhe jo vetëm në zgjidhjen e çështjes së emrit, për të cilën thuajse nuk ka asnjë lëvizje mes palëve, e në veçanti nga Maqedonia.

“Jo vetëm që nuk ka pasur lëvizje në drejtim të dhënies së ndonjë propozimi konkret, por nuk ka pasur as takime. Maqedonia nuk ka shprehur një seriozitet më të madh në drejtim të zgjidhjes së kontestit me Greqinë dhe e dimë se pa zgjidhjen e këtij kontesti, nuk do të ketë fillim të negociatave”.

“Ky është momenti i parë, ndërsa sa i përket çështjes së reformave, duhet theksuar se çështja e emrit nuk duhet ta ndalë Maqedoninë në përmbushjen e reformave tjera si në gjyqësor, dialogun politik, lirisë së shprehjes e kështu me radhë. Edhe në këtë drejtim Maqedonia ka ngecur në përmbushjen e reformave”, thekson Kadriu.

Derisa ekspertët flasin për ngecje të Maqedonisë, partitë politike, nga ana tjetër, kanë vazhduar me akuzat se kush është fajtor për gjendjen e tillë në të cilën ndodhet vendi.

Opozita, Raportin e progresit e ka quajtur “regres në procesin e integrimit” duke akuzuar pushtetin për bllokimin e procesit dhe përkeqësimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit.

Nga ana tjetër, partitë në pushtet shprehen të kënaqura për, siç theksojnë dështimin e skenarit të opozitës për humbjen e rekomandimit.

Kryeministri Nikolla Gruevski, pas marrjes së raportit nga ambasadori evropian, Aivo Orav, tha se Maqedonia do të vazhdojë kursin e reformave dhe përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit, angazhime këto që nga ekspertët vlerësohen vetëm si deklarative, por jo edhe të sinqerta pasi zotime të tillë siç thonë ata, dëgjohen tash e gjashtë vjet me radhë.

Lajme të ngjashme

Back to top button