Ndotja nuk ndalet, çdo vit 4.500 njerëz të rinj të sëmurë nga kanceri!

Vera Tushevska, e cila është në moshën e mesme, blen çdo ditë në tregun e vogël të improvizuar nga ku shtrihet një pamje drejt ish-kompleksit gjigant industrial Hekurana, ku në të kaluarën është shkrirë xehja, kurse sot, thotë ajo, nuk e dinë se çfarë prodhohet. Në këtë lagje ajo është që nga viti ’73-të, por nuk mban mend se dikur ka pasur aq shumë erë të keqe si tani.

“Më parë kishte tym, por nuk ndihej era e keqe. Është njohur se më parë shkrihej xehja në Hekuranë. Tani nuk dihet as kush punon në Hekuranë, e as çfarë shkrihet. E vetmja gjë që e dimë është se ndiejmë një ndjesi djegie në fyt dhe sy, kollitje…, tregon banorja e lagjes Hekuranë, ku qytetarët u mblodhën gjatë verës së kaluar për të protestuar për shkak të ndotjes së madhe nga rrethi i kompleksit, pasi kanë marrë garanci nga fabrika “Makstil” se do ta reduktojnë punën në 30 për qind dhe se do të punojnë ekskluzivisht gjatë natës. Megjithatë, Tushevska thotë se nuk është e qetësuar për shkak të premtimeve. “Tymi dhe era e keqe fillojnë të ndihen në mbrëmje rreth orës 19, 20, e ndonjëherë në orën 21. Ndonjëherë kur do të ngrihem gjatë natës dhe do të shikoj nëpër dritaren shihen re. Në të vërtetë si të ketë rënë një bombë atomike. Nuk mund ta përshkruaj atë. Valë tymi ngrihen lart. Ka raste kur e gjithë lagjja është me tym. Të gjithë komentojnë për këtë, por kur duhet të dilet në rrugë, të gjithë rrinë në shtëpi, me keqardhje konstaton ajo. Ajo ankohet se ka sëmundje të ndryshme, duke përfshirë edhe operacionin e syve, për të cilin thotë se “me siguri nuk e ka nga shkuarja në balet apo nga ulja në kafene”. Por, ajo që është veçanërisht shqetësuese për Tushevskën është rritja e kancerit të mushkërive në lagjen e saj. “Për një vit në lagjen time katër njerëz kanë vdekur nga kanceri i mushkërive. Kjo më duket alarmuese. Jam paraqitur në Ministrinë e Mjedisit për të denoncuar ndotjen, por a e dini se cilën përgjigje e kam marrë: Ja, edhe te ne është ndotur. Vallë është kjo përgjigje?”, thotë Tushevska. Ajo na tregon kodrën e madhe me mbetje industriale, për të cilën thotë se është krijuar në dy apo tre vitet e fundit, edhe pse më parë ato fusha kanë qenë ara ku është mbjellë shalqi dhe grurë. “Kjo kodër rritet dhe rrite pa ndërprerje. A është ekzaminuar se çfarë përmbajnë këto mbetje industriale? Unë as nuk dua të kritikoj, e as të lavdëroj, unë jam qytetare e këtij vendi dhe dua një jetë të mirë”, tregon me lot në sy Tushevska.

Numri mi i madh i njerëzve të sëmurë nga kanceri në katër vitet e fundit janë regjistruar në Shkup, ku vetëm në komunën Qendër vitin e kaluar ka pasur 800 njerëz të rinj të infektuar në krahasim me vitin paraprak (2012). Nga komunat e tjera, në krye të tabelës është Strumica, e pastaj vijojnë Manastiri, Velesi, Kumanova dhe Tetova

Në Maqedoni çdo vit paraqiten 4.500 raste të reja të kancerit të llojeve të ndryshme, edhe pse ekspertët ndërkombëtarë thonë se kjo shifër është shumë më e lartë, përkatësisht se bëhet fjalë madje për 7.000 raste. Megjithatë, aktualisht, institucionet shtetërore nuk bëjnë evidencë nëse me kancer sëmuren kryesisht njerëzit që jetojnë pranë fabrikave dhe shkritoreve, të cilat konsiderohen si ndotës më të mëdhenj. Vetëm regjistrohen numra të përgjithshëm.

SKUP-Maqedonia bëri një studim se si dhe në çfarë mase ndotja e ajrit mund të lidhet me paraqitjen e kancerit te popullata. Gjetjet janë alarmante: Madje, dy të tretat e vitit jemi të ekspozuar ndaj ndotjes dhe vlerësohet se një e treta e rasteve të vdekjes janë nga ndotja e ajrit. Përqendrimet e larta të gazrave të dëmshme në vitet e fundit vërehen edhe në muajt e verës. Kur kësaj do t’i shtohet fakti se vijon sezoni i ngrohjes, vetëm mund të supozohet nëse do t’i kalojmë ndotjet rekorde të ajrit të cilat i pamë dimrin e kaluar.

Këtë verë, Banka Botërore doli me të dhëna zhgënjyese se ajri në Maqedoni është ndër më të ndoturit në Evropë dhe se ndotja me vite të tëra është mbi standardet evropiane. Maqedonia është e para në listën e Bankës, kur bëhet fjalë për ekspozimin e qytetarëve ndaj ndotjes së ajrit me grimca të ngurta. Ndërsa, vendi është në vendin e pestë sipas rasteve vjetore të vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit, përkatësisht nga grimcat PM 10.

Sipas Bankës Botërore, grimcat e ngurta janë përgjegjës për më shumë se 1.350 raste të vdekjeve në vit.

zagaduvanje3

“Vdekshmëria shumë e herët paraqitet nga sëmundjet kardiopulmonare dhe kanceri i mushkërive. Në vitin 2011, niveli i ndotjes nga grimcat e ngurta ishte kryesisht përgjegjës për 485 raste të reja të bronkitit kronik, 770 shtrime në spital dhe 15.200 vizita emergjente. Me uljen e PM 10 dhe PM 2.5 deri në vlerat kufitare evropiane do të shmangen më shumë se 800 raste të vdekjeve dhe shumë ditë të humbura pune, me çka do të realizohen kursime në shpenzimet shëndetësore prej 151 milionë eurosh në vit”, shkruan në raportin e Bankës.

Dragan Gjorgjev, një ekspert i ekologjisë shëndetësore nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili ka punuar në raportin e Bankës Botërore, thekson se rekomandimet e raportit, të cilat janë prezantuar para Qeverisë, duhet të merren seriozisht.

zagaduvanje5

“Shihet se përqendrimet e ndotjes së ajrit gjatë vitit janë në një përqindje më të madhe mbi limitet e lejuara. Përqindja më e madhe e ndotjes është në Shkup, por edhe vetë mund të shihni se nga viti në vit edhe në qytete të tjera si në Tetovën, Kavadarin, shpeshherë në Kumanovën, Manastirin, ka ndotje. Këto janë qytete që janë seriozisht të ndotura”, thotë Gjorgjev. Ai thekson se në Shkup dhe Tetovë si qytete kryesore, tani, ndotja, e cila është mbi përqendrimin e lejuar, në vende të caktuara është 60-70 për qind.

zagaduvanje-tabela

“Në fakt, vetëm 20 ose 30 për qind e vitit kemi përqendrime nën ata 50 mikrogramë të grimcave PM 10. Këto janë përqendrime shumë të mëdha. Është ndonjë tolerancë që më së shumti 20-30 ditë të lejohet që ndotja në vit të jetë mbi përqendrimet e lejueshme, por të keni 150, 200 ose më shumë ditë ndotje, këto janë shifra frapante. Ky është një presion i tmerrshëm i të jetuarit. Në Evropë, nëse ka një gjë të tillë, menjëherë ndërmerren masa për sanim”, mendon Gjorgjev. Sipas vlerësimeve të tija, vetëm në Shkup nga rreth 5000 rasteve të vdekjeve që regjistrohen në vit, 1200 supozohet se janë nga ndotja e ajrit.

Gjatë studimit, ekspertët nga Banka Botërore kanë bërë edhe të ashtuquajturit skenarë, sipas të cilëve në qoftë se reduktohet ndotja vetëm për 5 mikrogramë, në vit do të shpëtojnë mbi 120 jetë vetëm në Shkup.

SKUP-Maqedonia kërkoi informacione nga Instituti i Shëndetit Publik se si lëvizet numri i njerëzve të sëmurë me kancer nëpër komunat. Sipas raportit të këtij institucioni, numri mi i madh i njerëzve të sëmurë nga kanceri në katër vitet e fundit janë regjistruar në Shkup, ku vetëm në komunën Qendër vitin e kaluar ka pasur 800 njerëz të rinj të infektuar në krahasim me vitin paraprak (2012). Pastaj vijojnë komunat Aerodrom, Çair, Gjorçe Petrov, Karposh dhe Gazi Babë. Ndërsa, nga komunat e tjera, në krye të tabelës është Strumica me 3491 raste të regjistruara të njerëzve të sëmurë nga kanceri, që është për 400 më shumë se një vit më parë. 400 raste të reja të njerëzve të sëmurë vetëm për një vit, në vitin e kaluar janë regjistruar edhe në Manastir dhe Veles. Kurse, qindra raste të reja të njerëzve të sëmurë paraqiten edhe në Kumanovë dhe Tetovë.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Shkup, d-r Millan Ristevski thotë se çdo vit në shtet regjistrohen 4.500 njerëz të rinj të sëmurë me kancer. Nga viti në vit rritet numri i rasteve të njerëzve të sëmurë me kancer të mushkërive, ndërsa si arsye kryesore ai i cek pirjen e duhanit dhe ndotjen.

I pyetur nëse mund të bëhet një korrelacion ndërmjet paraqitjes së kancerit dhe ndotjes së ajrit, Risteski përgjigjet:

“Gjithsesi, sidomos në korrelacion me ato të frymëmarrjes. Kur grimcat PM 10 dhe PM 2.5 do të hyjnë në organizëm, ato nuk do të shkaktojnë kancer menjëherë. Së pari, ato duhet të shkaktojnë një mutacion në ndonjë vend të caktuar saktë. Pra, nuk ka kancer pa pasur mutacion. Duhet të ndodhë një mutacion gjenetik”, shpjegon d-r Ristevski. Ai shton se sëmundjet malinje ndodhin pas disa vitesh, kurse rreziku i paraqitjes së tyre rritet edhe me moshën e njerëzve.

Sezoni i ngrohjes ende nuk ka filluar, kurse këto ditë përqendrime të larta të ndotjes janë të regjistruara në Karposh, Gazi Babë, Tetovë, Veles, Lisiçe dhe Kavadar. Në faqen e internetit (http://airquality.moepp.gov.mk/?page_id=2) të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndotja monitorohet përmes 17 stacioneve të matjes, por jo të gjitha funksionojnë. Kompetentët nuk mund të thonë me siguri se cilët ndotës janë “të meritueshëm” për këto përqendrime të larta. Ata bindin se dy vjet më parë është formuar grupi ndërministror për zvogëlimin e ndotjes.

“Ne dy vjet më parë kemi formuar një grup ndërministror nga të gjitha ministritë relevante, ku i kemi marrë vesh masat afatshkurtra dhe afatgjata për reduktimin e ndotjes. Saktësisht e dimë gjendjen e ndotjes dhe për këtë arsye ndërmarrim masa. Më parë shkritoret kanë punuar me mazut dhe naftë, tani të gjithë punojnë me gaz dhe kjo është një masë e madhe për të ulur nivelin e ndotjes. Furnizimi i autobusëve të rinj po ashtu ndikojnë në pjesën e trafikut. Këtu ka një ndikim të madh edhe trafiku, ne përpiqemi të aplikojmë standarde më të larta për importin e veturave të vjetra. Një ndikim të madh ka edhe sektori i ndërtimit. Kemi dhënë rekomandime për kompanitë e ndërtimit që t’i lajnë rrotat gjatë daljes nga vendet e ndërtimit për shkak se ai është një lloj pluhuri që ndikon mbi shëndetin e qytetarëve. Pastaj, kemi rekomanduar që të përdoret transporti publik”, shpjegon Sasho Sekullovski, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë, ekspertët në Institutin e Shëndetit Publik dyshojnë në zbatimin e masave për zvogëlimin e ndotjes që janë dhënë dimrin e kaluar për shkak të ndotjes së madhe që u regjistrua. Dhe shtojnë se masat do të duhej të aplikoheshin në mes të dy sezoneve të ngrohjes, e jo para fillimit të menjëhershëm të sezonit të ngrohjes.

Cilët janë ndotësit më të mëdhenj?

Gjatë përgatitjes së raportit të Bankës Botërore, ekspertët i kanë përcaktuar edhe ndotësit e industrisë për të cilët kanë kërkuar përqendrimet e gazrave nga fabrikat.

“Kemi bërë një vlerësim se cilët janë ndotësit më të mëdhenj dhe ata janë KEM Manastir (REK Bitola), Oslomej, gjegjësisht ata që prodhojnë energji, në përgjithësi janë ndotësit më të mëdhenj. Në nivel të qyteteve, ai është procesi i ngrohjes, trafiku, tani është edhe urbanizimi, ky pluhur që ngrihet, dhe industria, varësisht nga ajo se ku gjendet industria dhe për cilën industri bëhet fjalë”, thotë Dragan Gjorgjev nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas tij, grimcat nuk janë të lidhura vetëm me një industri të veçantë, por janë pjesë e emisioneve të gazrave që vijnë nga djegia e lëndëve djegëse që përdoren në trafikun, ngrohjen dhe fabrikat.

Megjithatë, si një ekspert i ekologjisë shëndetësore, ai vë në dukje se në botë nuk ka nevojë për vlerësime të tilla për të ndërmarrë masa dhe për të vendosur për të mbyllur një objekt.

“Për shembull, është e qartë se fabrika Makstil ndot, sepse është vendosur në një zonë banimi. Keni komplekse industriale siç janë fabrika Makstil, Fabrika e çimentos Usje, të cilat janë vendosur në një zonë banimi që është jashtë të gjitha rregulloreve. Duhet të keni një zonë të madhe të mbrojtur me gjelbërim rreth këtyre objekteve për të zvogëluar ndotjen e ajrit. Kështu, niveli i grimcave PM 10 dhe PM 2.5, për shembull, në nivelin e lagjes Lisiçe është një konglomerat i më shumë komplekseve industriale, por me një matje të drejtuar do të gjeni se nga vjen ndotja. Ajo që gjithashtu duhet të bëhet, e nuk bëhet rregullisht, është matja e emisionit në pikën ku janë gazrat e emetuara. Nga ato matje që bëhen në Inspektoratin e Mjedisit, për të cilat kam informata, emisionet janë të larta. Nuk duhet ndonjë lidhje të veçantë: Ata ndotin, emisionet e tyre janë të larta, ata duhet të reduktohen”, është decid Gjorgjev.

Ai thekson se në botë, por edhe këtu tek ne në Ligjin për mjedisin jetësor ka një autorizim të faktorëve politikë dhe sipas masave të paralajmërimit të mbyllin ndonjë objekt nëse konsiderohet se ai është një burim potencial i ndotjes. “Pra, nuk duhet të dëshmoni në gjykatë se ai objekt ndot, por mund të mbyllet për shkak të masave të paralajmërimit. Ndotësit dihen, askush nuk mund të parandalojë dikë për të ndërmarrë masa”, thotë Gjorgjev.

Sipas tij, nuk ndërmerren mjaft masa për të ndaluar ndotja. “E njëjta gjë është edhe me trafik. Është e qartë se Shkupi nuk mund të pranojë aq automjete, kurse ne i zgjeruam rrugët.

Në vend të bëhet një kufizim të trafikut, fokusi të jetë në transportin publik, ne e quajmë automjetet për të ardhur në Shkup. Pastaj, vendet e ndërtimit. Masat për të larë rrotat e automjeteve kur dalin nga vendet e ndërtimit, këto masa nuk zbatohen në mënyrë rigoroze. Këtu keni një burim të madh të pluhurit. “Në mënyrë më të vështirë kontrollohet ngrohja e qytetarëve, nuk dihet se kush me se ngrohet”, shton Gjorgjev.

Ende pritet të startojnë filtrat e fabrikave “Makstil” dhe “Jugohrom”

Një muaj para përfundimit të afatit të prolonguar për furnizimin me filtra e fabrikave “Makstil” dhe “Jugohrom”, ende nuk ka një konfirmim zyrtar se deri ku është procesi që edhe këto dy kapacitete industriale të marrin lejen e nevojshme të integruar A. Siç dihet, ata paraprakisht nuk e kanë plotësuar kushtin për të blerë filtrat deri më 1 prill të këtij viti, afati deri te i cili të gjitha kapacitetet industriale është dashur ta marrin lejen e integruar A. Qeveria mori vendim që vetëm për këto dy fabrika ta prolongojë afatin për blerjen e filtrave deri në fund të muajit.

Ministri i Mjedisit, Nurhan Izairi në fillim të muajit të kaluar ka vizituar fabrikën “Jugohrom”, ku ka konstatuar se fabrika vonohet me zbatimin e planeve për plotësimin e kushteve për blerjen e lejes ekologjike.

Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit edhe pas katër muajsh nuk i zbardh rezultatet e monitorimit të ndotjes së instalimeve në “Makstil”, të cilat sipas tyre, që në korrik janë dërguar në një laborator të akredituar. Edhe pse dy pajisjet mobile për pesë ditë matnin ndotjen në fabrikë gjatë verës, rezultatet ende nuk zbardhen me arsyetim se të bëhen krahasime të rezultateve, të cilat, gjoja, janë marrë nga laboratori i huaj i akredituar.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me menaxhmentin e dy kompanive. Shpjegimi se pse deri më tani nuk janë vendosur filtra ishte se investimet janë  shumë të mëdha për to. Rreth 10-11 milionë eurosh duhet të ndajë fabrika Makstil për të ashtuquajturin kapak për pranimin e këtyre grimcave PM 10, gjegjësisht për pranimin e pluhurit. E njëjta gjë vlen edhe për fabrikën Jugohrom, tek ata problemi ishte se pronësia është në një proces transferimi dhe procedurat qëndronin në vend”, shpjegon Sasho Sekullovski, zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Banorët e lagjes Hekuranë, të cilët këtë verë kanë protestuar për shkak të gazrave e emetuara që janë lëshuar në rrethin e Hekuranës, gjithnjë e më pak besojnë se do të plotësohen premtimet për vendosjen e filtrave për të parandaluar ndotjen.

“Në mbrëmje dhe në mëngjes nuk mund të hapni dritaren. Ndjehet një erë të padurueshme, re, nuk shihet asgjë. Si është e mundur të mos kolliteni kur merrni frymë një ajër të tillë. Vetëm askush nuk dëshiron ta dëgjojë popullin në këtë shtet. Siç ka filluar të sillet shteti me shtyrjen e filtrave, nga një muaj deri në një vit, ndoshta në fund do të na çojnë në Butel derisa të vënë filtër”, thotë një banor më i moshuar i lagjes Hekuranë, i cili banon në afërsi të kompleksit industrial Hekuranë.

Zhgënjim ka edhe te organizatat joqeveritare.

“Ndotësit konkretë Makstil dhe Jugohrom nuk e kanë respektuar afatin kohor për pajtueshmëri të teknologjisë me teknikat më të mira që janë në dispozicion për reduktimin e ndotjes deri në prill të vitit 2014, përkatësisht nuk i kanë zbatuar të gjitha masat dhe aktivitetet e planeve operative për të zvogëluar ndotjen. Fabrika Makstil premtoi se plotësimi i masave dhe zbatimi i masës kyçe, ndërtimi i kapakut të kulmit për pranimin e emetimeve, do të jetë gati deri në dhjetor të vitit 2014. Për fat të keq, përveç premtimit dhe disa shpalljeve nga Ministria e Mjedisit se u ka shqiptuar gjoba për shkak të shkeljes së afatit së fundit (edhe pse kurrë nuk janë publikuar të dhëna se Ministria i ka dënuar), deri më tani nuk ka të dhëna se fabrika Makstil punon në kryerjen e kapakut të kulmit”, thotë Aleksandra Bujaroska nga organizata joqeveritare “Fronti 21/42″, të cilët ndjekin ndotjen e kapaciteteve industriale. Për “Jugohrom”, Bujaroska konstaton se situata me zbatimin e masave është edhe më e komplikuar. “Operatori nuk ka zbatuar një pjesë të madhe të masave për reduktimin e ndotjes dhe me arsyetim, duke pasur parasysh gjendjen financiare, shtrohet pyetja nëse ky operator do të jetë fare në gjendje t’i zbatojë masat për zvogëlimin e ndotjes ose i njëjti do të duhet të mbyllet” konsideron Bujaroska.

(Storia është përkrahur nga QGH SCOOP Macedonia në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).

Lajme të ngjashme

Back to top button