Gjermania ia ‘vjedh’ Maqedonisë mjekët dhe punëtorët kualitativ

Gjermania nga 1 shtatori pritet t’i hapë dyert për punëtorët, profesionet e të cilëve janë deficitarë në këtë vend të zhvilluar. Në këtë grup bëjnë pjesë mjekët, profesionistët e teknologjisë informative dhe punëtorë të tjerë teknikë, si elektricistë, instalues uji, nxehjeje etj.

Nëpërmjet konceptit të ashtuquajtur kartoni i gjelbër, në këtë vend do të mund ta fitojnë shansin për punësim kuadro me arsim të lartë dhe punëtorë të tjerë të specializuar në profesionet që përmendëm më lartë.

Maqedonia ka marrëveshje për punësim me Gjermaninë Katarin dhe Slloveninë

Nga ana tjetër, aktualisht Maqedonia ka marrëveshje për punësimin e qytetarëve të saj me Gjermaninë, Katarin dhe Slloveninë, por siç kanë deklaruar në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale,  qytetarët më së shumti janë të interesuar që të gjejnë punë në Gjermani, për të cilin vend kuotat e punësimit rriten për çdo vit dhe gjithnjë e më shumë po plotësohen. Këtë vit kjo kuotë arrin numrin e 570 të punësuarve potencialë.

Ndërkaq, praktika e punësimit në shtetet perëndimore dhe më konkretisht në Gjermani, nuk ka munguar as deri më tani. Në këtë vend më së shumti janë kërkuar punëtorë shëndetësorë dhe disa prej tyre nga Maqedonia, tanimë kanë zënë të punojnë nëpër institucionet e ndryshme shëndetësore të këtij vendi.

Kohëve të fundit po spekulohet se shumë mjekë nga vendi po largohen drejt Gjermanisë për të ushtruar profesionin e tyre, por sidomos për të krijuar kushte më të mira jetese për vete dhe për familjet e tyre, në kushtet kur kjo mundësi në Maqedoni nuk ekziston, ose është vështirë të realizohet.

A do të largohen kuadrot tona deficitare?

Dr. Osmon Murtezai, specialist në Institutin për Nefrologji në Strugë, shprehet i interesuar për mundësinë e punësimit në Gjermani. Ai thekson se këtë do ta bënte më së shumti për shkak të profesionalizimit të mëtutjeshëm të tij, por edhe për të përmirësuar gjendjen sociale të familjes.

“Do të shkoja të punoj në Gjermani, për shkak të kushteve që ofron ky vend për ushtrimin e profesionit tim, por edhe për të përmirësuar gjendjen sociale të familjes sime, në kushtet kur kjo në Maqedoni është shumë e vështirë të realizohet. Megjithatë, ka probleme për realizimin e këtij angazhimi dhe një nga problemet kryesore është mosnjohja sa duhet e gjuhës gjermane”, thekson dr. Murtezai.

Ai thekson se një kolege e tij, tanimë ka kaluar testin e gjuhës dhe atë  profesional dhe është akomoduar në punë në qytetin Ulm të Gjermanisë. Megjithatë, sipas informacioneve që ka ai, numri i atyre mjekëve që kanë përfituar nga kjo mundësi është i vogël.

Në disa raste kuadrot janë refuzuar

Kjo sepse, ka patur raste që mjekë të veçantë janë refuzuar, kur kanë aplikuar për punë në Gjermani dhe kjo mbase për shkak të mosnjohjes së gjuhës në nivelin që kërkohet, por edhe për shkak të kushteve tjera që duhet të plotësojë punëtori shëndetësor që të punësohet në institucionet shëndetësore gjermane.

Dr. Selami Zhaku është një mjek tjetër që gjithashtu ka dëgjuar për punësimin masiv të mjekëve nga vende të ndryshme të botës në shtetin gjerman. Por, ai thotë se vetë nuk është i interesuar për të ndërmarrë këtë veprim.

“Kam dëgjuar se shumë mjek nga Maqedonia po gjejnë punë në institucionet shëndetësore gjermane. Ndonjë të tillë ka edhe nga Struga, ku jetoj edhe unë, por unë personalisht nuk jam i interesuar të ndërmarrë një veprim të tillë”, thekson Dr. Zhaku.

Kur, përgjigjet kështu, ai radhit shkaqet e mos interesim të tij, të cilat kryesisht janë familjare. Dr. Selami Zhaku thekson se nuk është i sigurt për statusin që mund të gëzoj ai, si i punësuar në institucionet shëndetësore të Gjermanisë, por edhe familja e tij.

Gjithsesi edhe ky mjek thekson se ka kolegë të tij janë refuzuar, për arsye të ndryshme, kur kanë vendosur të ndërmarrin këtë hap. Ndërkohë që ai nuk është i sigurt se si do të shkojë ky proces pas 1 shtatorit, kur është paralajmëruar hapja e dyerve nga shteti gjerman, për punësimin e kuadrove me arsim të lartë dhe profesionistëve tjerë deficitarë në këtë vend.   

Lajme të ngjashme

Back to top button