Ebola rrezikon edhe sistemet moderne shëndetësore

Priten më shumë raste të infektimit me virusin vdekjeprurës të Ebolës mes stafeve mjekësore, madje edhe në vendet e zhvilluara me sisteme moderne të kujdesit shëndetësor.

Një këshilltar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të priten më shumë raste të infektimit me virusin vdekjeprurës të Ebolës mes stafeve mjekësore, madje edhe në vendet e zhvilluara me sisteme moderne të kujdesit shëndetësor.

Profesor Peter Piot ka thënë se nuk ishte i habitur që infermierja spanjolle kishte marrë virusin e kësaj sëmundjeje. Ajo u bë personi i parë i njohur që është infektuar me virusin në fjalë jashtë Afrikës Perëndimore. Ajo kishte marrë në trajtim dy misionarë spanjollë të cilën ndërruan jetë nga Ebola në Madrid.

Infermierja, e identifikuar në raportimet në media si Teresa Romero, u kujdes për çiftin pasi ata ishin rikthyer në Spanjë nga Afrika Perëndimore. Ajo është aktualisht në karantinë, në kryeqytetin spanjoll, së bashku me të shoqin dhe 3 njerëz të tjerë. Rreth 50 njerëz në Spanjë po monitorohen.

Mediat spanjolle njoftojnë se fqinjët e infermieres së infektuar kanë kontaktuar urgjentisht me shërbimet e emergjencave, duke i kërkuar atyre se si t’i mbrojnë fëmijët e tyre pasi kishin ndarë hapësira të përbashkëta publike me të, si dhe ashensorin.

Rreth 3400 njerëz kanë vdekur gjatë kësaj kohe të përhapjes së Ebolas, teksa shumica e tyre janë shënuar në Guine, Sierra Leone dhe Liberi.
Profesor Pioti, një specialist botëror për Ebolën i cili është kontraktuar nga OBSH-ja si një këshilltar shkencor, paralajmëroi se qoftë edhe lëvizja më e thjeshtë, si fërkimi i syve tuaj, është një rrezik. “Gabimi më i vogël mund të rezultojë fatal”, ka thënë ai.

“Për shembull, një moment tepër i rrezikshëm është kur ju dilni nga njësia e izolimit, kur hiqni maskat mbrojtëse dhe jeni të djersitur”. Ai ka shtuar se raste si infermierja në Madrid mund të priten në masë në Evropë dhe në SHBA, edhe pse nuk pret që sëmundja të përhapet me aq shpejtësi sa në Afrikë./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button