ANKTHI URBAN

Një romani “të mërzitshëm”, lexuar kaherë, kur nuk kishim probleme parkimi e gjelbërimi, ja kam harruar titullin, madje nuk me kujtohet as emri i autorit. Mjegulla e harresës ka fshirë gjithçka, por më është fiksuar një detaj ku flitet për vështirësitë e njerëzve me parkimin e pakontrolluar në metropolën gjigante, që u krijonte njerëzve depresione të mëdha urbane. Ky detaj më është fiksuar në kujtesë për të dëshmuar “marrëzinë” e shkrimtarit dhe jo se do të vinte koha kur do t’i jepja të drejtë atij. Ky detaj, i depozituar në skutë kujtese, tani bëhet domethënës në qytetin tim, i cili po e humb identitetin. Nuk i ke më ato pak rrugë me kalldrëm, as shtëpitë e vjetra, as pazarin e bukur, as pjesët e gjelbëruara. Në qytetin tim nuk gjen asnjë park ku mund të marrësh ajër të pastër.

Le të mos harrojmë se pranë një mali të bukur, po thithim ajrin më të ndotur në botë.

Le të mos harrojmë se pranë burimeve të shumta pimë ujë të ndotur.

Le të mos harrojmë se në një qytet relativisht të vogël, që nuk mund të quhet metropolë, përballemi me probleme serioze parkimi, për shkak të ndërtimeve të pakontrolluara.

Le të mos harrojmë se nuk e kemi idenë për urbanicidin që ndodh pranë syve tanë, sepse nga makuteria i kemi shkatërruar edhe parqet.

Librin të cilit ja kam harruar titullin e autorin do ta kisha lexuar me kënaqësinë më të madhe, sepse, me gjasë, flet për ndodh ankth urban si ky që e përjetojmë tani. Pasi më është fshirë nga kujtesa do t’i referohem veprës letrare “Udhëtim në ferret e shekullit” të Dino Buxatit, ku simbolikisht paraqitet qyteti postindustrial, me zhvillime teknologjike dhe me rënie marramendëse morale. Aty dehumanizmi ka arritur kulmin. Është humbur solidariteti njerëzor. Janë prishur ekuilibret ndërmjet njeriut e natyrës, prandaj priten vetëm ditë të vështira. Dhe bota ngjan me një ferr…

Papritur disa punëtorë metroje të Milanos e gjejnë një portë që çon drejt ferrit. Gazetarit Buxati i duhet të shkruajë për fenomenin e pazakontë dhe të pabesueshëm. Nëpërmjet portës zbret në ferrin nëntokësor ku çuditërisht gjithçka ngjan me jetën dhe botën tonë. Njerëzit fytyrëzymtë, të lodhur, të rënduar nga bezdia e mërzia e pafundme, ashtu si mbi tokë, ndjejnë ankth parkimi. Në ferrin e nëntokës, si në botën tonë, ka ndodhur tjetërsimi e dehumanizimi i skajshëm. Ferri, në kuptimin metaforik, ashtu si në botën e andejshme, ndjehet edhe në botën e  sipërme, në botën tonë. Në një farë mënyre, në analogji, edhe bota jonë është vetë ferri.

Ferri i Buxatit, sikurse thuhet, nuk i ngjan ferrit të Dante Aligierit te “Komedia Hyjnore”. Ferri i Buxatit është ai i qytetit – metropolës, i sajuar shkaku i zhvillimeve marramendëse teknologjike, që janë në përpjestim të zhdrejtë me humanen. Thjesht aty ka ndodhur degradimi moral, kemi hijezim të anës njerëzore. Qytet është i sëmurë dhe i pistë, sikurse qyteti i Sharl Bodlerit.

Personazhi, që jo rastësisht quhet Buxati, në analogji me Danten te “Komedia Hyjnore”, nuk udhëhiqet nga Virgjili (e bukura), as nga Beatriçja (dashuria), siç ndodh në veprën e autorit të pararenesancës. Ai nuk kalon as nëpër Purgator apo pastrimore (sepse nuk ekziston). Ai nuk arrin as në Parajsë. Buxati sheh vetëm copëza parajse. Kjo sepse pa e njohur parajsën nuk e njohim ferrin. Pa e njohur të mirën, nuk e njohim të ligën dhe anasjelltas. Ai parajsën, pra, e sheh në copëza, në detaje të vogla e domethënëse, që në botën e sipërme i kanë ikur vëmendjes së tij, thjesht i ka anashkaluar. I bën përshtypje një plakë që refuzon të shesë parkun e saj, sepse nuk dëshiron që idila të zhduket nga urbanizmi ngulfatës. Mrekullohet prej një fëmije që luan me lepurushin. Sheh, pra, një krijesë të njomë, të paqtë, humane, që ndjen kënaqësi teksa luan me një kafshë.

Në thelb, libri “Udhëtim në ferret e shekullit” i Dino Buxatit është klithmë pro natyrës dhe kundërshtim estetik ndaj shfrytëzimit të saj të tmerrshëm, me pasoja të paimagjinueshme për të ardhmen e njeriut. Një mesazh që ne e anashkalojmë. E anashkalojmë sepse jetojmë vetëm në “të tashmen e përjetshme”. Duke jetuar në “të tashmen e përjetshme” nuk merakosemi se çfarë do të na sjell e nesërmja. Dhe e nesërmja është më e zymtë nëse e shikojmë nga një tjetër perspektivë – gjithsesi jo nga perspektiva e atyre që janë në gjendje të bëjnë çmos vetëm që të plotësojnë apetitet e tyre të sëmura, madje duke na privuar edhe nga ajri e uji i pastër i këtij vendi të bekuar nga Perëndia dhe të shkatërruar nga mendjengushtësia njerëzore e cila edhe mbitokën po e shndërron në një ferr ku të gjithë po asfiksohemi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button