Ahmeti dhe ambasadori grek, diskutojnë marrëdhëniet Shkup – Athinë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Z. Ali Ahmeti, ka pritur sot në selinë e partisë në Tetovë Ambasadorin e Greqisë në vend, Z. Haris Lalakos.

Ahmeti dhe Ambasadori Lalakos biseduan për marrëdhëniet midis Shkupit dhe Athinës, zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe integrimet EuroAtlantike.

Kryetari Ahmeti foli për rëndësinë që kanë integrimet EuroAtlantike për Maqedoninë dhe kërkoi angazhim më të madh të komunitetit ndërkombëtar dhe ndërmjetësim midis Shkupit dhe Athinës në mënyrë që palët të ulen në tavolinë dhe të arrijnë kompromis.

Kompromisi është i domosdoshëm dhe është në të mirën e të dy vendeve tona, por edhe të rajonit, sepse vetëm një rajon i integruar në strukturat EuroAtlantike siguron paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mundëson zhvillim ekonomik.

Ambasadori Grek theksoi që politika e jashtme e Greqisë është e bazuar në integrimin e fqinjëve në NATO dhe BE  dhe ky parim mbetet i pandryshueshëm.

Për tu arritur kjo, doemos duhet të tejkalohet çështja e emrit. U diskutua edhe nevoja e krijimit të një klime të mirëbesimit midis fqinjëve nëpërmjet të qasjes konstruktive dhe deklaratave të matura që do të lehtësojnë dialogun midis Athinës dhe Shkupit.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Lalakos folën edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe raportin e progresit të Komisionit për Zgjerim të Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button