KE për Shqipërinë: Dialog politik dhe reforma

Komisioni Evropian kërkon bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës dhe kryerjen e reformave.

Sot pritet të dalë progresraporti për Shqipërinë, por ndërkohë në rekomandimet për Shqipërinë, të siguruara nga Zëri i Amerikës, komisioni vë sërish theksin te procesi i reformave që duhet të shoqërohen nga një dialog konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, dhe nënvizon se të dyja palët duhet të sigurojnë që debati politik të zhvillohet në parlament.

Raporti i këtij viti i KE-së për Shqipërinë do të përfshijë çështje që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe nevojën e një reforme tërësore të sistemit gjyqësor në konsultim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Reforma në drejtësi ka qenë vazhdimisht pjesë e rekomandimeve dhe prioriteteve për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në dokumentin që pritet të bëhet publik sot, Komisioni vlerëson përparimin e bërë nga qeveria dhe reformat e realizuara në vitet e fundit.

“Hapa të mëtejshëm janë ndërmarrë për reformën e sistemit gjyqësor. Qeveria ka dëshmuar vullnet politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Kuadri ligjor është përforcuar dhe politikat e koordinimit dhe monitorimit në nivel qendror janë përmirësuar. Lufta kundër krimit të organizuar solli rezultate pozitive në disa fusha, me një intensifikim të aktivitetit të forcave të rendit, veçanërisht në sekuestrimin e drogave, në krimet e lidhura me drogat, krimet ekonomike dhe trafikun e qenieve njerëzore”, vëren dokumenti i Komisionit Evropian.

Në lidhje me reformat në Shqipëri, raporti specifikon se në vend ka ende shumë mangësi, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës.

“Përpara ka shumë punë për t’u bërë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë sfida domethënëse. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje thelbësore dhe të qëndrueshme për të trajtuar zbatimin e përparësive kyçe të përcaktuara për hapjen e bisedimeve për anëtarësim”, nënvizon dokumenti.

“Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri për: vazhdimin e reformës së administratës publike me qëllim që të forcojë profesionalizimin dhe depolitizimin e saj; të ndjekë një reformë tërësore të gjyqësorit për të përforcuar pavarësinë e tij, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në konsultim të ngushtë me komisionin e Venecias; të intensifikojë përpjekjet antikorrupsion dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të vendosur në luftën kundër krimit të organizuar për të bërë të mundur rezultate të qëndrueshme në hetimet proaktive, ndjekjen penale dhe ndëshkimin, në të dyja fushat”, vëren dokumenti i Komisionit Evropian.

Në raport flitet edhe për lirinë e shprehjes dhe të medieve  duke kërkuar që “të gjitha funksionet statusore të Autoritetit të Medias Audiovizive të rivendosen, dhe pavarësia e tij të garantohet në praktikë”./VOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button