Kobani është “gati të bjerë”

Shteti Islamik është gati të marrë Kobanin në mënyrë që të forcojë kontrollin e rajonit kufitar dhe të konsolidojë territorin që e ka zaptuar në Irak dhe Siri në muajt e fundit.

Presidenti i Turqisë ka thënë se Kobani është “gati të bjerë”, pasi luftëtarët e grupit xhihadist Shteti Islamik në Irak dhe Siri (ISIS) kanë avancuar drejt jugperëndimit të qytetit sirian të banuar nga kurdët, duke theksuar se një agresion trejavor i ka marrë jetën rreth 400 njerëzve.
Reuters ka raportuar se mundësia që qyteti sirian në kufi me Turqinë të bjerë nën kontrollin e militantëve e ka rritur trysninë ndaj Turqisë, e cila ka ushtrinë më të fuqishme në rajon, që t’i bashkohet një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar kundër ISIS-it, transmeton gazeta Tribuna.

Shteti Islamik dëshiron të marrë Kobanin në mënyrë që të forcojë kontrollin e rajonit kufitar dhe të konsolidojë territorin që e ka zaptuar në Irak dhe Siri në muajt e fundit. Sulmet ajrore të prira nga amerikanët deri më tani kanë dështuar që të parandalojnë avancimin e ISIS-it drejt Kobanit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se bombardimet nuk janë të mjaftueshme për të mposhtur Shtetin Islamik, dhe se vendi i tij e ka bërë të qartë se do të nevojiten masa shtesë.

“Problemi i ISIS-it… nuk mund të zgjidhet nëpërmjet sulmeve ajrore. Tani… Kobani është gati të bjerë”, ka thënë ai, gjatë një vizite në një kamp të refugjatëve sirianë në territorin e Turqisë.

“Ne e kemi paralajmëruar Perëndimin. Ne kemi dashur tri gjëra: një zonë të ndalim-fluturimit, një zonë të sigurt paralele me të, dhe trajnimin e kryengritësve të moderuar sirianë”, ka thënë ai.

Presidenti turk ka theksuar se Turqia do të ndërhyjë në rast të kërcënimeve ndaj ushtarëve turq që mbrojnë një vend historik në Siri, të cilin Ankaraja zyrtare e konsideron si territor të vetin. Por, deri më tani, Turqia nuk ka bërë asnjë lëvizje për t’u përfshirë në luftimet matanë kufirit./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button