fbpx

Ngrohtorja nuk i bën hesap shkupjanët

Banorët e ndërtesave në komunën e Çairit dhe disa të Butelit, ankohen për shërbimet e ngrohtores Shkup Veri. Ata që duan të kyçen në rrjetin e ngrohtores, duhet ët jenë pjesë një numri më të madh klientësh, në të kundërtën duhet të paguajnë tarifa të larta, ndërsa ata të cilët janë të ç’kyqur, paguajnë nga 600 denarë në muaj vetëm pse uji i ngrohtë kalon nëpër gypat që gjenden në banesat e tyre.

Ata thonë se nuk janë të kyçur në rrjet por prapë se prapë paguajnë nga 600 denarë për ujin e ngrohtë që kalon nëpërmjet tubave në shtëpitë e tyre.

“Ka disa vite që jemi ç’kyçur nga rrjeti i ngrohjes mirëpo paguajmë nga 600 denarë në muaj shkaku se nëpër tubat tonë kalon uji i ngrohtë që përçohet tek komshinjtë. Kjo nuk është e drejtë se ne nuk kemi rrugëdalje tjetër vetëm të çmontojmë tubat dhe të ngelen edhe komshinjtë pa ngrohje. Kjo është absurde ato as që ndikojnë në ngrohjen e hapësirës mirëpo e kemi të obliguar që të paguajmë përndryshe do na bllokojnë xhirollogarinë”, tha për Portalb, Afrim Tahiri, banor në lagjen Veri në Shkup.

Njoftim Ngrohtorja Shkup Veri 1

 

Drejtori i Ngrohtores Shkup Veri, Igor Popovski bën të ditur për Portalb se sipas rregullores të cilën e ka sjellë Komisioni rregullator i energjetikës parashikon që ata persona që largohen nga rrjeti do të duhet të paguajnë shumë ta caktuar parash në muaj.

“Sipas rregullores që kemi, të cilën e ka sjellë Komisioni rregullator i energjetikës në muajin korrik të vitit 2011, ata të cilët ç ‘kyçen nga rrjeti, por uji i ngrohtë kalon nëpër tubet e tyre, duhet të paguajnë nga 600 denarë në muaj. Kjo ndodh për shkak se nëse nuk paguhet atëherë humb dhe dëmtohet ngrohtorja. Kjo rregullore vlen për të gjitha kompanitë që përçojnë ngrohje në Maqedoni”, tha për Portalb, Popovski.

Nga ana tjetër ndërtesat e reja të komunës së Çairit të cilat duan të kyçen në rrjetin e ngrohtores, duhet të jenë pro 80 për qind e banorëve që kërkesa e tyre të aprovohet dhe të bëhet instalimi falas.

“Në ndërtesën tonë asnjë nga banorët nuk është i kyçur në ngrohtore, mirëpo unë jam i interesuar, por kjo më pamundësohet. Nuk më treguan se sa është pagesa nëse dua të kyçem i vetëm por më treguan për ofertat që ekzistojnë nëse kyçen 80 deri në 100 për qind të banorëve”, tha për Portalb, Mentor Limani, banor i komunës së Çairit.

Njoftim Ngrohtorja Shkup Veri 2

Ai shtoi se kjo nuk është në rregull, por ja që nuk ka rrugëdalje tjetër.

“Po të ngrohemi me rrymë bëhet shumë shtrenjtë, në ndërtesë s’ke si të ngrohesh me drunj dhe patjetër ne duhet të lidhemi me ngrohtoren e cila fatkeqësisht vendos kushte të cilat pothuajse gjithmonë janë të pamundura të realizohen”, tha Limani.

Ndërkaq në njoftimin e Ngrohtores Shkup Veri tregohen ofertat dhe lirimet të cilat do ti kenë konsumatorët nëse kyçen mbi 80 ose 100 për qind të banorëve.

Drejtori i Ngrohtores Shkup Veri, Igor Popovski thotë se se sa i përket kyçjes, sa më shumë konsumatorë, aq më lirë do të paguhen faturat.

“Sipas rregullores sa më shumë banorë të kyçen në rrjet aq më lirë do të kushtojë pagesa mujore. Po mundet të lidhet edhe vetëm një banor mirëpo shuma e pagesës në muaj do të jetë shumë e lartë”, shtoi Popovski.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close