Trupi gjykues për rastin “Monstra” ka kompletuar aktgjykimin

Gjykata Themelore Shkupi 1 Shkup njoftoi se trupi gjykues i angazhuar në rastin “Monstra”,  tashmë ka kompletuar aktgjykimin.  Duke arsyetuar vonesën një muaj e njëjavëshe, zyra e informimit pranë Gjykatës Penale ka njoftuar se aktgjykimi tashmë i është dorëzuar punonjësit të gjyqit që ka për detyrë të njëjtin t’ua dorëzojë avokatëve të të dënuarve, që ato të nisin përgatitjen e ankesave që do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit, si gjykatë e një shkalle më të lartë, shkruan gazeta Koha.

“Duke u nisur nga interesimi i madh i mediave, duam t’ju informojmë se trupi gjykues kompletoi aktgjykimin e rastit që mori emrin Monstra. Gjykata në fakt kishte nevojë për më shumë kohë për kompletimin e aktgjykimit në fjalë për arsye se bëhet fjalë për një proces mjaft të komplikuar, në kuadër të të cilit u morën parasysh shumë materiale. Gjithashtu, nuk duhet harruar edhe vetë natyra e rastit. Për sa u përket pyetjeve të shumta që i adresuan avokatët e këtij rast në adresën e gjykatës, që kishin të bëjnë me shkeljen e afatit të paraparë për përgatitjen e aktgjykimit, mund të them se bëhet fjalë për një të drejtë legjitime të çdo avokati”, tha Dejan Ristovski, zëdhënësi i Gjykatës Penale të Shkupit.

Po sipas sqarimeve të zyrës së informimit, gjykatësi i rastit Monstra ka pasur për obligim ligjor dhe moral arsyetimin e detajuar të të gjitha aspekteve të aktgjykimit, duke vlerësuar në mënyrë objektive dhe të paanshme faktet dhe rrethanat që u prezantuan gjatë procesit gjyqësor që zgjati rreth 18 muaj dhe duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve.

“Asnjë afat nuk është më i rëndësishëm se fatet e njerëzve. Pikërisht për këtë arsye të gjitha përpjekjet për t’i bërë presione gjykatës, që ajo të përgatiste me shpejtësi aktgjykimin, i hedhim poshtë si joserioze”, njoftoi të martën Gjykata Penale.

Lajme të ngjashme

Back to top button