Blerës të apartamenteve në Vlorë, 90% shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë

“90 për qind e blerësve të apartamenteve në këtë kompleks janë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia”, thotë Erjoni, një nga ortakët e kompleksit “Oslo”, më të riut dhe më të preferuarit që janë ndërtuar në bregdetin e Ujit të Ftohtë në Vlorë, transmeton ATSH. Sipas tij, pjesa tjetër e klientëve, janë qytetarë nga Tirana, të cilët bëhen pronarë të këtyre apartamenteve, për të kaluar pushimet dhe fundjavat në qytetin e Vlorës.

Në fakt, ky realitet është shfaqur prej së paku 3 vjetësh në qytetin jugor bregdetar, me shtrirjen e ndërtimeve përgjatë vijës bregdetare.

Dy vjet më parë, Memeti, një miku im shqiptar nga Kroacia, bleu një apartament të vogël, shumë pranë vijës bregdetare në afërsi të godinës së Akademisë së Marinës.

“Do të vij herë pas here këtu në Vlorë, sepse më pëlqen qyteti, më pëlqen që të vij e të rri me ditë të tëra, jo vetëm në verë por edhe në periudhat e tjera të vitit”, më thoshte ai, ndërkohë që shtonte se kishte edhe plane të tjera për të ardhmen në këtë qytet, duke u shprehur se Vlora mbetet një mjedis urban ku mund të pushohet mjaft mirë.

Kësaj tabloje i shtohet edhe Hashimi, një 47 vjeçar nga Prishtina (Kosovë), i cili u bë pronar i një apartamenti në qytezën e Orikumit, 20 km në jug të Vlorës, në katin e tretë të një pallati të ri, në pjesën perëndimore të qytezës. Hashimi thotë se i pëlqen bregdeti i jugut të Shqipërisë, por Orikumi në veçanti.

Prej 3-4 vitesh vjen për pushime këtu dhe ka mbetur mjaft i kënaqur. Ai e vlerëson këtë veprim të tijin edhe për faktin tjetër se, prej Orikumit mund “të hidhet” edhe në Himarë edhe në Sarandë, ndërkohë që Vlora është shumë pranë. Prandaj dhe vendosi të blejë një apartament në këtë qytezë bregdetare, ku do të mund të qëndrojë më shumë në verë, por të vijë herë-herë edhe për fundjavë.

Këto shembuj, nuk janë as rastet e vetme dhe aq më tepër të veçuara, në realitetin e tregut të banesave në qytetin e Vlorës. Mjaft shqiptarë nga Kosova, si edhe mjaft qytetarë maqedonas, shqiptarë dhe jo shqiptarë, janë bërë pronarë të apartamenteve në pallatet e reja, që janë ndërtuar gjatë viteve të fundit në Vlorë e Orikum. Ky fenomen tashmë po njeh dimensione të reja.

Dhjetëra apartamente në këto qendra urbane, mes të cilave edhe garsoniera, janë regjistruar në pronësi të shtetasve nga këto dy vende. Kjo ka bërë që aktualisht, çmimet në tregun e banesave, të mbeten të larta. Ato shkojnë në varësi të pozicionit gjeografik dhe të elementëve të tjerë, nga 600 në 800-1000 euro metër/katror.

“Shqiptarët nga Kosova e rajoni, si dhe maqedonasit janë shndërruar në një lloj injeksioni në tregun e banesave”, thotë G.Gj, një ndërtues i njohur në Vlorë. Ai sqaron se, përballë rënies së dukshme të kërkesës në tregun e banesave në qytetin e Vlorës, shitshmëria e tyre në Orikum dhe në pjesën përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, krijon një lloj ekuilibri.

“Në Vlorë zotëroj apartamente të pashitura, ndërkohë që në Orikum kam arritur të shes mjaft të tilla tek shqiptarët nga Kosova e me çmime mjaft të leverdisshme”, thotë F.XH, një tjetër ndërtues.

Përballë këtij realiteti, për mjaft ndërtues periudha e verës shërben edhe si një mundësi për të qenë aktivë në tregun e banesave, për shkak të ardhjes së pushuesve nga Kosova, Maqedonia e vende të tjera të rajonit, ku identifikohen persona të interesuar për të blerë apartamente banimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button