Rritet numri i azilkërkuesve shqiptarë në BE

Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet me numrin më të madh të azilkërkuesve në Bashkimin Evropian.

Numri i aplikuesve për azil në BE është rritur me 22% në tremujorin e dytë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në raportin e fundit të publikuar nga Eurostati, vendi ynë renditet në mesin e shteteve me më shumë kërkesa.

Për tre muajt e fundit të këtij viti të përfshira në raport (prill, maj, qershor) numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet anëtare të BE-së është 3970, ndërsa në 12 muajt e fundit kjo shifër shkon në 14 530 kërkesa.

Në këtë raport janë përfshirë 30 shtete nga Evropa Juglindore, Afrika dhe Lindja e Mesme. Në zyrat e emigracionit të vendeve pritëse në 3 muajt e fundit kanë mbërritur 122 030 kërkesa, pra rreth 21 860 kërkesa më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Listën e kryeson Siria me mbi 21 mijë kërkesa, pastaj vjen Eritrea, Afganistani, Pakistani etj.

Ndër vendet e rajonit, Serbia është vendi më problematik. Mbi 4600 serbë  kanë kërkuar statusin e azilantit në disa shtete të BE-së.

Nga Kosova janë 2460, ndërsa numri i atyre nga Maqedonia është ulur në 1765, krahasuar me një vit më parë.

Të preferuarit e azilkërkuesve mbeten Gjermania me 37900 kërkesa, Belgjika me rreth 4700 aplikime, Franca me 15 375 mijë, Italia me 14 380,  Holanda me 8355 mijë, Suedia me rreth 18 mijë, Mbretëria e Bashkuar me gati 7 mijë etj./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button