FOTO: Kthehen nga Afganistani ushtarët e rotacionit të 14-të të ARM-së në misionin ISAF

“Kam nderin që sot ta pres kontingjentin e Armatës së Republikës së Maqedonisë, i cili u kthye në përbërje të plotë, gjallë e shëndoshë, pas një misioni të kryer me sukses”, tha ministri i mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në pritjen e rotacionit të 14-të, të pjesëtarëve të Armatës së Republikës  së Maqedonisë, të cilët sot arritën në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Petrovec.

Xhaferi shtoi se edhe ai personalisht, gjatë vizitës së tij në Afganistan, është vërtetuar në suksesin e kryerjes së detyrave në kuadër të misionit, dhe poashtu theksoi se për këtë kemi konfirmim edhe nga të gjithë përfaqësuesit e Komandës së ISAF-it.

Njëkohësisht, ministri tregoi për faktin se pikërisht puna dhe angazhimi i këtij kontingjenti do të jetë një motivim shtesë për misionin e sapofilluar të kontingjentit të dërguar kohëve të fundit, dhe ata, pas gjashtë muaj, të kthehen në Republikën e Maqedonisë, me një mision të kryer me sukses.

Komandanti i kontingjentit, nënkoloneli Stojanço Todorov, deklaroi se misioni është kryer me sukses dhe se ushtarët kanë dhënë gjithçka prej vetes të dëshmojnë se janë të barabartë me të gjitha vendet anëtare të Aleancës së NATO-s.

Lidhur me impresionet nga koha e kaluar në mision, ai tha se edhe pse rreziku është i madh, ndërsa përgjegjësia për sigurimin e bazës kryesore e madhe, të gjithë pjesëtarët e kontingjentit kanë përfaqësuar me dinjitet ARM-në dhe Republikën e Maqedonisë.

Në pyetjen e një gazetari lidhur me angazhimin e ardhshëm të ARM-së në misionet paqeruajtëse, ministri Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë mbetet e gatshme të vazhdojë pjesëmarrjen e saj në misionet ndërkombëtare për përkrahje të paqes, duke përfshirë edhe misionin e ri të NATO-s post-ISAF në Afganistan pas vitit 2014, aq sa është e nevojshme dhe në pajtim me kapacitetet tona.

Në rotacionin e 15-të, i cili prej pak kohësh është pjesë e forcave të ISAF-it në Afganistan, ARM merr pjesë me 156 pjesëtarë, apo me një tog të mekanizuar këmbësorik. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button