Yahoo: Kosova ka makiaton më të mirë në botë

Mjafton vetëm pak kohë që kosovarët të fillojnë e të krenohen me aftësinë e vendit të tyre për përgatitjen e makiatos perfektë.

“Pavarësisht se ku shkon në Kosovë, do të gjeni makiato shumë më të mirë se të Italianëve”, thotë kamerieri Armend Bytyçi, derisa autorja e tekstit për Yahoo Travel, Jo Piazza darkon në hotelin “Çarshia e Jupave” në Gjakovë, transmeton Indeksonline.

“Italianët bëjnë vetëm qumshtë dhe kafe. Ne e ziejmë kafen, e bëjmë krem dhe ia vendosim sipër qumështit”, thotë më tej Bytyçi.

Përcjellësi i gazetares së Yahoo Travel, Petrit Riza e ka shikuar atë si të çmendur kur e kanë diskutuar pse kosovarët e bëjnë këtë krahasim me italianët.

“Në pyetje është kreativiteti jonë”, thotë Riza.

“Makiato jonë është thjeshtë perfektë. Ne e kemi shkumën perfektë. Ne e bëjmë këtë shkumë duke e përdorur makinën për espresso”, thotë më tej ai.

Artikulli i publikuar sot në Yahoo Travel thotë se makiatot e mira mund t’i gjesh kudo, edhe në pompa benzini ndërsa ato janë të lira.

Jo Piazza më tej e citon Lura Limanin, një autore e një libri guidash për Kosovën e cila thotë se edhe vet italianët kur shkojnë për vizitë në Kosovë, ‘çmenden’ nga brendi kosovar.

Autorja më pas shkruan duke thënë “sinqerisht, ato (makiatot) janë tejet të shijshme. Kokrrat (e kafesë) asnjëherë nuk janë të djegura, ndonëse kafeja përmban shijen e fuqishme të espressos. Qumështi është i ëmbël, ndërsa shkuma e kafesë është më e lehtë se sa ajri”.

Jo Piazza ka publikuar edhe disa tekste të tjera rreth Kosovës, të gjitha tejët pozitive duke bërë reklamë të shkëlqyeshme zonave turistike dhe zeje interesante të Kosovës.

Një nga shkrimet e publikuara flet për filigranët e Prizrenit, ndërsa një tjetër ishte edhe për butikun e Prishtinës që mban emrin e ish sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button