Raporti i KE-së pritet të jetë jo aq i mirë për Maqedoninë

Raporti më i ri i Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë në procesin eurointegrues Komisari për Zgjerim, Shtefan Fyle do ta shpallë nesër (8 tetor) në Bruksel, pritet të ketë përmbajtje shumë më negative se vitet e kaluara duke e pasur situatën politike në vend. Edhe pse Maqedonia ende nuk ka datë konkrete bisedimesh me BE-në, megjithatë vendi ka marrë rekomandim për fillim të tyre, por këtë vit frika është e madhe edhe nga humbja e rekomandimit.

Drejtoresha e Insitutit për politikë evropiane, Malinka Jordanova për Portalb thotë se ky raport do të jetë kryekëput negativ dhe se shpreson që Maqedonia nuk do të humb rekomandimin.

“Shumë rëndë mund të thuhet se do të kemi raport pozitiv për Maqedoninë, e sidomos në kohën e fundit, madje shpresoj që nuk do të humbim rekomandimin, duke pasur parasysh se në çfarë gjendje jemi”, tha për Portalb, Jordanova.

Ajo shtoi se ka ngecje të madhe në reforma dhe që nëse kësaj radhe nuk humbet rekomandimi, duhet që shumë seriozisht të mendohet për të ardhmen e Maqedonisë.

“Ngecja e madhe e reformave në gjyqësor, bashkëjetesë, në qeveri, bojkoti i opozitës, problemet e shumta nacionale bën që Maqedonia të mos ecë përpara. Duhet të punohet shumë dhe nëse nuk e humbasim rekomandimin duhet të jemi serioz në atë se çfarë duhet të bëjmë dhe ku duam të arrijmë”, tha Jordanova.

Po ashtu edhe profesori Bekim Kadriu për Portalb ceki se ngecja e dialogut politik mes qeverisë dhe opozitës, kritikat e shumta për lirinë e mediave, reformat në gjykata dhe drejtësia në vend,  janë shkaqet kryesore për të cilat do të kemi raport negativ.

“Momentalisht nuk jemi në gjendje të mirë dhe duke u bazuar në këto pika, edhe këtë vit presim raport negativ nga Komisioni Evropian. Shpresoj që të mos e humbasim edhe rekomandimin për fillimin e negociatave”, tha për Portalb, Kadriu.

Opozita pesimiste, Fatmir Besimi optimist

Nga radhët e PDSH-së, Luan Tresi bën të ditur për Portalb, se kjo parti po ashtu vlerëson se ky raport do të jetë negativ.
“Ne si PDSH presim që të vazhdojë trendi i raporteve negative sa i përket Maqedonisë”, tha për Portalb, Tresi.

Ndërkaq, zv/ministri për eurointegrime, Fatmir Besimi kohëve të fundit ka zhvilluar takime me korin diplomatik dhe ministritë e tjera të vendit dhe në secilën nga këto takime është shprehur se vendi meriton datën dhe do të merr rekomandim. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button