FSHF i përgjigjet Serbisë: Duam bileta pa kushte

Federate Shqiptare e Futbollit i është përgjigjur me një letër Federatës Serbe të Futbollit, për kushtet e vendosura nga ana e kësaj të fundit sa i takon udhëtimit të tifozave kuqezi në Beograd.

Federate Shqiptare e Futbollit i është përgjigjur me një letër Federatës Serbe të Futbollit, për kushtet e vendosura nga ana e kësaj të fundit sa i takon udhëtimit të tifozave kuqezi në Beograd për ndeshjen e 14 tetorit, me palën serbe që kërkonte që drejt kryeqytetit të këtij vendi të udhëtonin vetëm tifozë me pasaporta shqiptare dhe jo ata me pasaporta kosovare apo maqedonase. Një kërkesë, e cila është cilësuar si e pakuptimtë nga ana e FSHF, që shkruan:

“Federata Shqiptare e Futbollit, i quan kushtet e vendosura nga ju, për praninë e tifozëve shqiptarë në Beograd, të parealizueshme nga ana jonë. Së pari, Ne nuk mund të listojmë dhe të marrim të dhëna personale nga tifozët. Së dyti, ne nuk kemi asnjë arsye ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe së treti, Federata Shqiptare e Futbollit, nuk ka infrastrukturën e nevojshme dhe as kohën në dispozicion, për të bërë të tilla regjistrime. Në praktikën tonë të komunikimit, me të gjitha Federatat e tjera anëtare të UEFA-s dhe FIFA-s, për organizmin e ndeshjeve të futbollit (zyrtare apo miqësore), kushte të tilla nuk janë vendosur kurrë dhe me to, njihemi për herë të parë. Ekipi kombëtar shqiptar, është shoqëruar nga tifozët e tij, kudo në Europë madje edhe jashtë kontinentit si në Argjentinë apo SHBA. Për vetë situatën që ka kombi ynë, bashkëkombasve tanë, që jetojnë në Greqi, Gjermani, Angli, SHBA, etj, nuk mund t’ua privojmë të drejtën për të ndjekur ndeshjet e kombëtares tonë.

Vënia e kushteve të tilla, mendojmë se ka ndikim jo të mirë, në krijimin e një fryme pozitive, bashkëpunimi dhe besimi reciprok, në organizmin e aktiviteteve futbollistike dhe jo vetëm. Ideja juaj, për organizmin e ndeshjes miqësore mes veteranëve të të dyja vendeve, e përshëndetur dhe miratuar nga ana jonë, do të jetë një nga ato sinjale të uljes së tensionit dhe bashkëpunimit të sinqertë mes dy federatave, që së bashku, do të përcjellim tek tifozët.

Për arsyet që përmendëm më lart, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon pajisjen me bileta për tifozët shqiptarë, pa kushte. Biletat e vëna në dispozicion nga ana e Federatës tuaj, ne do t’ua shpërndajmë shoqatave të tifozëve tanë, për të ndjekur ndeshjen Serbi – Shqipëri, në Beograd më 14 tetor.

Duke shpresuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, ju urojmë punë të mbarë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button