Ndryshim i sistemit –nevojë e politikës shqiptare në Maqedoni

Prandaj, kur tani është ngritur çështja e ndryshimeve kushtetuese, është më se e nevojshme unifikim i faktorit shqiptar për ndryshim të sistemit politik, nëpërmjet të cilës do të arrihej baraspesha dhe kontrolli (chek and ballance), si dhe ndarja e barabartë e pushtetit midis elitës politike maqedonase dhe shqiptare

Nëse Maqedoninë e krahasojmë me shtetet të cilat kanë përbërje demografike të ngjashme apo të përafërt, përfundimi është se ka dallim të madh rreth çështjes së respektimit të të drejtave të popujve të tjerë jo shumicë si dhe rreth funksionimit të mirëfilltë të ndarjes së barabartë të shtetit dhe pushtetit. Sa për ilustrim, do t’i numëroj disa prej tyre, si: Belgjika, Zvicra, Finlanda, Kanada, Irlanda, Bosnja e Hercegovina,Kosova dhe shum shtete të tjera. Këto shtete jo vetëm që kanë shoqëri multietnike, por e njëjta pasqyrohet edhe në manifestimin e shtetit si shtete multietnike. Kjo nënkupton se edhe përfaqësimi i drejtë, përdorimi i gjuhëve dhe simboleve, ndarja e buxhetit bëhen në mënyrë ta drejte dhe barabartë.

Jeta politike në Maqedoni në njëzet vitet e fundit tregon për (mos)funksionim dhe është e pamundur të arrihet funksionaliteti i shtetit modern multietnik, duke u penguar nga vet elita maqedonase. Sa për ilustrim, në fillim të tranzicionit ky shtet u ndërtua mbrapsht, ku edhe përpos kërkesave të vazhdueshme të partive politike shqiptare, nuk u arrit të ndërtohet një shtet shumë-etnik. Edhe pse literatura të ndryshme në shkencat politike rekomandojnë që nëse përveç popullit shumicë në një shtet jeton edhe një numër i konsiderueshëm i popullatës jo shumicë, shteti duhet të ndërtohet në parimet e shumetnicitetit, në të kundërtën vazhdimisht do të ketë konflikte, madje edhe mund të vijë deri te shpërbërja e shtetit. Megjithatë, ky sistem politik u refuzua nga elita politike maqedonase. Fatkeqësia më e madhe qëndron në atë se shumica e atyre që përpiluan kushtetutën ishin dhe profesorë pikërisht të fakulteteve të shkencave politike, sot madje disa prej tyre janë edhe më të zëshëm, duke komentuar se që atëherë është bërë gabim dhe se është dashur të dëgjohet zëri i shqiptarëve (siç ishte rasti i ish-kryeparlamentarit Stojan Andov, pastaj ish kryemnistri Gerogievski) apo nevojë për një avancim më të madh të shqiptarëve, madje edhe duke u bërë më shqiptar se shqiptarët (rasti i profesorit Fërçkovski). Profesorë dhe ish funksionarë të këtillë ka plot, dhe ne po të vazhdojmë të kemi një sistem ku elitat politike maqedonase i vendos në pozicion më të favorshëm në pushtet krahasuar me ato shqiptare, mund të ndodh që edhe pas dhjetë vjet ndonjë nga elita aktuale maqedonase të thonë se duhej që atëherë (e kam fjalën për kohën e tashme) të plotësohen kërkesat e shqiptarëve.

Dhe, kur jemi te literatura,  mu ajo që referon literatura politike dhe ndodhi në Maqedoni, konflikti i vitit 2001, sidomos elitës politike maqedonase iu dha një shans që Marrëveshjen e Ohrit  të përdoret për zhvillimin e një shoqërie dhe shteti multietnik.

Megjithatë, sot 13 vjet pas nënshkrimit,  Marrëveshja synonte t’i jepte fund diskriminimit sidomos të shqiptarëve, zbatimi i disa prej pikave nga vet elita maqedonase është ngadalësuar, madje edhe i shpërfillur. Edhe pse viti 2005, si datë e caktuar për finalizimin e marrëveshjes nuk u respektua, sot edhe 13 vjet pas, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore vazhdon të mos gjejë përdorim në praktikë, përfaqësimi i drejtë dhe barabartë po shndërrohet në mision i pamundshëm. Dhe, për shkak të fuqisë brenda pushtetit që ka elita politike maqedonase (për shkak se në bazë te modelit zgjedhore fitues dhe  mandatar gjithmonë janë maqedonasit, pozicionet kryesore gjithmonë janë udhëhequr nga maqedonas) ende ekziston diskriminim institucional, sidomos ndaj komunave shqiptare duke gjetur instrumente të ndryshme si dhe zbrazëtira ligjore si arsye.

Për shkak se praktika vërteton se politika dhe politikbërja është pothuajse jofunksionale  midis shqiptarëve dhe maqedonasve për çështje që promovojnë shumetnicitetin dhe nëse ngelemi me sistem të njëjtë politik, kjo praktikë do të vazhdojë edhe më tej, pavarësisht cila parti shqiptare dhe maqedonase do jetë fituese, kurse çështjet e rëndësishme do varen nga vullneti i mire i politikanëve maqedonas dhe baraspeshës dhe ndarjes së pushtetit. Prandaj, kur tani është ngritur çështja e ndryshimeve kushtetuese, është më se e nevojshme unifikim i faktorit shqiptar për ndryshim të sistemit politik, nëpërmjet të cilës do të arrihej baraspesha dhe kontrolli (chek and ballance), si dhe ndarja e barabartë e pushtetit midis elitës politike maqedonase dhe shqiptare.

Në të kundërtën partitë politike shqiptare do të ballafaqohen me dështim që të artikulojnë një vizion të ri për shqiptarët në Maqedoni, dhe përveç elitës politike (edhe atë një numër i vogël),  shqiptarët do të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në kuadër të shtetit, madje duke e bërë të parëndësishme daljen në zgjedhje të votuesve shqiptarë, si dhe duke e ulur numrin e deputetëve shqiptarë etj.

Lajme të ngjashme

Back to top button