Nisma qytetarë “dridhin” institucionet

Nismat qytetare në Maqedoni mund të ndikojnë ndaj institucioneve, që të reflektojnë në punën e tyre dhe të marrin parasysh kritikat lidhur me zhvillime dhe dukuri të ndryshme në shoqëri.

Nisma qytetare “Duam Çair të pastër” e dëshmoi pikërisht këtë, edhe atë vetëm përmes një fan page në rrjetin social Facebook madje duke qenë nxitje për grupe të caktuara sociale që të adresojnë tek institucionet lokale dhe qendrore problemet reale.

“Duam Çair të pastër” pastron komunën  

Lidhur me interesimin e magazinës online Inbox7 rreth nismës dhe qëllimit të saj, nga kjo nismë në një shkresë u përgjigjën se “Nisma ‘Duam Çair të pastër’ u lind si ide për shkak se në një sipërfaqe shume të vogël sa ka komuna shiheshin hapur mbeturinat! Popullata e priti me shumë entuziazëm nismën tonë, na vinin shumë mesazhe falënderimi, kështu që kur i lexonim inkurajoheshim edhe më tepër që të punojmë për një Çair më të pastër dhe më të denjë për të jetuar”!

Por ka qenë pikërisht nisma qytetare “Duam Çair të pastër” të ndikojë që komuna së bashku me Ndërmarrjen Publike ‘Higjiena Komunale e Shkupit’ të ndërmarrin hapa konkrete, duke realizuar aksionin në tërë territorin e komunës, gjatë së cilit u hoqën pjesa dërmuese e mbeturinave!

Nga kjo organizatë njoftuan se do të vazhdojnë aktivitetin e kësaj nisme, me shpresë se do të hasin në mirëkuptim tek organet kompetente! “Kritikat tona janë ekskluzivisht të natyrës higjienike, të natyrës së ambientit të pastër, të mbrojtjes së gjelbërimit! Prandaj, do të shfrytëzojmë rastin, që nëpërmjet jush t’u dërgojmë mesazh të gjithë atyre që mendojnë se punojmë për inat të dikujt”! Nga nisma tregojnë gatishmëri për bashkëpunim me të gjithë, që ambienti ku jetojmë të marrë pamje tjetër, që të kemi vullnet për të dalë me fëmijët dhe të shëtisim në ajër të pastër dhe gjelbërim!

Jugohromi nuk respekton “Stop ndotjeve kancerogjene” 

Një nismë që ka për qëllim mbrojtjen e ambientit jetësor është edhe “Stop ndotjeve kancerogjene” e cila është ndërmarrë nga 7 qytetarë me qëllim që të ndikojë në ngritjen e vetëdijes kundër ndotjes së rëndë të ajrit që i shkaktohet Tetovës me rrethinë nga ana e disa ndotësve që ne arritën ti identifikojnë: deponitë e egra dhe pronarët e pandërgjegjshëm të disa kompanive.

Ariantit Xhaferipërfaqësues i Këshillit të protestave thotë për Inbox7 se lëvizja filloi të funksionojë meqë organizata të shumta ekologjike të Tetovës ishin në gjumë të thellë dimëror dhe se matjet nga dikasteri i ekologjisë, gjatë dimrit të kaluar tregonin shifra të trishtueshme përkatësisht prani të grimcave kancerogjene PM10 në ajër deri 20 herë mbi të lejuarën. “Lufta jonë ka qenë e drejtuar në dy fronte: e para, për t’i treguar qytetarëve dallimin midis mjegullës dhe ndotjes, sepse dikush mundohej t’i hutojë dhe e dyta, për tu bërë presion autoriteteve që të ndikojnë tek ndotësit të cilët janë zotuar që do ndërmarrin masa mbrojtëse, dhe një gjë të tillë nuk po e bëjnë”, thotë Xhaferi.

Sipas kësaj nisme kontrata e kësaj kompanie me qeverinë e Maqedonisë parasheh që kombinati të vendosë filtrat për të pastruar gazrat që emeton në ajër, por kjo nuk është bërë.

Ish-ministri i Ekologjisë, Abdilaqim Ademi, disa here me radhë u dha afate dhe pastaj i prolongoi të njëjtat, por zgjidhja nuk u gjet dhe deri në këtë moment akoma nuk duket se është gjetur. Ne mendojmë se nisma do trokasë edhe në ndërgjegjen e ministrit aktual të Ekologjisë, Nurhan Izairi, që të mos i lejojë askujt të helmojë ajrin që ne dhe vet ai e thithim bashkë në këtë qytet dhe rrethinë”, nënvizoi Xhaferi.

Sipas Xhaferit nisma në të ardhmen do të fokusojë energjitë për të edukuar masën e gjerë me këto probleme, ndërsa shpreson se autoritet do ta kryejnë punën dhe do t’i detyrojnë ndotësit të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe të mos ketë nevojë për radikalizimin e protestave. “Nëse ‘Jugohromi’ do vazhdojë para hundës së autoriteteve të na helmojë, atëherë do duhet që ne të mbrojmë veten dhe familjet tona në çfarëdo mënyre që do e shohim të udhës”, u shpreh Arianit Xhaferi, përfaqësues i Këshillit të protestave.

Në shtetet demokratike jehon zëri i qytetarit

Në shtetet me demokraci të zhvilluar nismat qytetare kanë ndikim të jashtëzakonshëm ndaj institucioneve të shtetit. Në këtë drejtim Zvicra është shtet, në të cilin për çështjet të ndryshme shoqërore, nëse qytetarët mbledhin 100 mijë nënshkrime shpallet referendum. Irfan Agushi, gazetar që jeton në shtetin zviceran përmend një shembull, kur në shprehje ka ardhur vullneti i qytetarëve. “Vitin e kaluar qeveria zvicerane kërkoi të rritë çmimin e pagesës rrugore nga 40 në 100 franga në vit dhe populli votoi kundër këtij vendimi. Vite më herët ka pasur një nismë nga një bllok partish politike për ndalimin e ndërtimit të minareve të xhamive dhe populli vendosi pro ndalesës së ndërtimit të minareve. Sot e hapur është mundësia nëse dikush dëshiron të ndërmarrë një nismë kundër këtij vendimi”, shprehet Agushi duke shtuar se për dallim nga Maqedonia, ku qytetarët shumë pak konsultohen lidhur me vendimet qeveritare, në Zvicër populli, e jo vetëm pushteti, vendos për të ardhmen e vet. Sipas kushtetutës zvicerane parashikohet pjesëmarrja e drejtpërdrejt e qytetarëve në vendimmarrjen politike. Zvicra zbaton demokracinë direkte që është e lidhur me të drejtën e referendumit dhe peticionin si mekanizma kushtetues, me çka rritet ndikimi direkt i qytetarëve në vendimmarrje dhe kështu qytetari bëhet kontrollues i nismave qeveritare dhe ligjeve që kanë të bëjnë me të mirën publike.

Ndërsa Faton Arifi, gazetar nga Struga ka vendosur që jetën ta vazhdojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Ai mendon se në Maqedoni dora e  zgjatur e pushtetarëve i ka kapur edhe organizatat joqeveritare. “Në të ardhmen pikërisht nismat qytetare do të mbajnë nën presion politikën. Falë anonimitetit që sigurojnë rrjetet sociale, qytetarët marrin guximin të thonë atë që mendojnë dhe madje duke shënuar rezultate. Dua të veçoj nismën “Duam Çair të pastër” që zgjoi nga gjumi pushtetin lokal në Çair dhe dha një shembull për tu ndjekur edhe nga qytetet tjera”, thaArifi.

Rexhail Ramadani me profesion është mjek, por pasion ka studimin e historisë botërore dhe ideve politike e ekonomike. Aktualisht jeton dhe punon në Gjermani dhe si shumë intelektualë të tjerë ka vendosur të vazhdojë karrierën në këtë vend evropian. Ramadani mendon se qytetari në demokraci duhet të ndërgjegjësohet për fuqinë që ka, duhet të tregojë se ai është sovrani dhe nismat janë një instrument i shprehjes së fuqisë së tij. Ai mendon se sovraniteti nuk ka nevojë t’i besohet asnjë politikani ose partie por vetëm drejtësisë shoqërore, ku qytetari gjithmonë ka vigjilencë për mbrojtjen e saj. “Ky mosndërgjegjësim për fuqinë që kanë vetë qytetaret si bartës të sovranitetit është rrënja ë skllavërimit të tyre dhe kthimi i tyre në shërbëtorë të politikanëve të papërgjegjshëm dhe egoist. Sa më pasiv janë qytetaret , sa më luajal ndaj partisë aq më të mëdha janë demagogjia dhe premtimet boshe. Politikanët kur gjejnë qytetarin pasiv dhe luajal ndaj partisë aq më tepër ulin respektin për qytetarët dhe kërkesat e tyre sidomos në mjedisin në Maqedoni ku tek klasa politike nuk ekziston etika e përgjegjësisë dhe përkushtimi ndaj detyrës si obligim ndaj tatimpagueseve.”, thotë Ramadani.

Sipas tij qytetari duhet të jetë i sinqertë ndaj interesit publik dhe racionalisht në mënyrë të organizuar duhet t’i formulojë kërkesat publike dhe në këtë këndvështrim shoqatat civile marrin pjesë aktive në ngritjen e cilësisë së demokracisë, sidomos kur ka deficit të saj.

Shoqëria civile sot në arealin tonë duhet të jetë më aktive, të angazhohet për çështje të interesit publik sepse pushteti dhe partia si bartëse e pushtetit gjithnjë e më shumë bëhen të shurdhra në kryerjen e detyrimeve që kanë ndaj qytetarëve, për arsye se qytetari është tatimpagues dhe shteti ka detyrimet si në garantimin e të drejtave dhe lirive qytetare, ambientit të pastër ekologjik, ndërtimin e infrastrukturës, garantimin e shëndetit publik në institucionet shëndetësore, etj”, është decid Ramadani.

Ai sqaroi se kushtetuta gjermane i vendos theks të veçante dinjitetit të njeriut, lirisë dhe organizimit politik të qytetarëve për të shprehur kërkesat e tyre legjitime që kanë të bëjnë me interesin publik. “Në shtetet ku ka deficit të demokracisë siç është Maqedonia, me qëllim të disiplinimit të qytetarëve që të jenë sa më pasiv dhe luajal ndaj propagandës se nënës parti, atje ku mediat janë të komercializuara dhe të dominuara nga propagandat qeveritare, politikanët nuk e kanë etikën e përgjegjësit dhe janë të zhveshur nga çdo moral qytetërues”.

Bashkëbiseduesit kërkojnë që qytetaret të marrin pjesë në shoqatat civile dhe të jenë konsekuent në kërkesat e tyre legjitime dhe tu bëjnë sa më tepër presion autoriteteve politike që të detyrohen ti kryejnë obligimet ndaj qytetarëve./Inbox7

 

Lajme të ngjashme

Back to top button