fbpx

Trajanovski: Ligji për emërtimin e rrugëve dhe objekteve pengon shqipen

Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski , mos respektimin e gjuhës shqipe gjatë emërtimit të rrugëve dhe Objekteve të ndryshme infrastrukturore e arsyeton me lëshimet në Ligjin për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe urave, i miratuar në vitin 2004.

Edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Qytetin e Shkupit janë të qartë dhe garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe, Trajanovski kapet pikërisht tek Ligji për emërtimin e objekteve infrastrukturore, që nuk e përkufizon shqipen si gjuhë zyrtare në gjithë Qytetin e Shkupit, por vetëm në komunat e saj me mbi 20% shqiptarë. Kreu i Shkupit pranon se ky Ligj është në kundërshtim me ligjet e tjera dhe Kushtetutën, por thekson se është i obliguar ta respektojë për aq kohë sa nuk pëson ndryshime në Parlament, transmeton Alsat M.

Edhe kryetari i Komunës së Çairit dhe nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti theksoi se Ligji për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe urave është anti-kushtetues dhe i duhet nënshtruar ndryshimeve.

“Përveç rrugëve dhe urave gjithçka tjetër, siç pranoi edhe z. Trajanovski, duhet të jenë në dy gjuhë, gjuhën shqipe dhe maqedonase në mënyrë të barabartë. Mirëpo edhe përkundër kësaj, mendoj se ligji që e përmendi z. Trajanovski për rrugët dhe urat nuk është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, nuk është në frymën e Kushtetutës së re të Maqedonisë, dhe duke pasur parasysh se ne jemi ata që mbajmë përgjegjësi dhe duhet t’i kultivojmë vlerat multi-etnike, t’i kultivojmë vlerat e dy etniteteve në Qytetin e Shkupit, mendoj se edhe ai ligj duhet të pësojë ndryshime dhe t’i përshtatet ligjit për Qytetin e Shkupit, që të vendosë në mënyrë të barabartë gjuhën shqipe dhe maqedonase”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close