Ministria i fsheh paratë për shtëpitë e studentëve

Derisa banorët e konviktit të studentëve “Goce Delçev” publikojnë fotografitë në të gjithë botën për kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë, autoritetet kompetente nuk duan të dërgojnë asnjë informacion se si dhe ku shpenzohen paratë për këto ndërtesa, qoftë nëse bëhet fjalë për mjete të buxhetit apo për pjesëmarrjen e vetë studentëve. Nuk bëhet fjalë për një dokument të klasifikuar. Në kërkesën tonë, Ministria na dha një përgjigje se nuk e posedojnë sepse ia kanë dhënë Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR)?!

Se askush nuk kujdeset për studentët banorë tregon edhe deklarata e inspektoratit kompetent për nevojat e këtij studimi, se kanë hequr dorë nga kontrolli i konvikteve.

Rreth 60.000 euro në muaj, ose më shumë se gjysmë milion euro në vit – kjo është shuma e parave që fitohen nga shtëpia më e madhe e studentëve “Goce Dellçev” në Shkup, në qoftë se shumëzohet numri i shtretërve (1.216) me një kosto të rrumbullakët prej 3.000 denarë në muaj, sa paguan për ushqim dhe strehim çdo student që pranohet në këtë konvikt.

Si dhe në cilën mënyrë shpenzohen këto para? Sipas Ligjit për standardin e studentëve (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 15/2013 dhe 120/2013.), detyrimet e Konviktit shtetëror të studentëve, gjegjësisht e Bordit të tij drejtues, ndër të tjera janë – ta përpilojë planin financiar vjetor për mënyrën se si do të shpenzohen paratë për vitin e ardhshëm, kurse Raportin e punës për vitin paraprak ta dorëzojë deri në Ministrinë më vonë deri më 31 janar të vitit aktual (neni 35 i Ligjit).

Në pajtim me Ligjin për qasje deri te Informatat, kemi kërkuar nga Ministria të na dorëzojë për shqyrtim planin financiar për dy vitet e fundit. Kemi dashur të shikojmë se sa para shkojnë për ushqim, sa për riparimet eventuale të dhomave, sa për qëllime të tjera … Pas një muaji pritje, përgjigjen të cilën e kemi marrë ka qenë “Raportet financiare për konviktet e studentëve nga tre vitet e fundit janë dorëzuar deri të personat përgjegjës në Entin e Revizion dhe prandaj ne nuk jemi në gjendje të jua dorëzojmë”. Nga Enti i Revizionit na kanë thënë se edhe në rast se e kanë dorëzuar deri te ata, Ministria përkatëse duhet t’i ketë këto raporte.

Sipas përgjigjes që e kemi marrë, ose Ministria e Arsimit nuk e di se si kompetentët i shpenzojnë paratë e studentëve ose shmang t’i japë këto dokumente që janë me interes publik? Nëse është kështu, pyetja e vetme e logjikshme që parashtrohet është – pse fshihen informacionet për paratë?!

Në mungesë të shifrave konkrete, financimi i qëndrimit dhe të ushqyerit të studentëve në konviktet bëhet në këtë mënyrë – Sipas Ligjit për standardin e studentëve (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 15/2013 dhe 120/2013.), Ministria e Arsimit dhe Shkencës për studentët të cilët janë të vendosur në një konvikt shtetëror të studentëve merr pjesë në çmimin e strehimit dhe ushqimit deri në 50% të çmimit të përcaktuar, ndërsa diferencën deri në çmimin e përgjithshëm e paguan studenti. Mjetet e financimit të konvikteve shtetërore të studentëve sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë në pajtim me Ligjin e buxheteve, Ligjin për kryerjen e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë, si dhe nga përdoruesit e shërbimeve, shkruan në ligj.

Pse nuk ka ujë të nxehtë, muret bien dhe ashensorët prishen?

Furnizimi i materialit shpenzues për higjienë, shërbimet për riparimin e instalimit të tubave, shërbimet për mirëmbajtjen dhe riparimin e rrjetit të ujit të nxehtë dhe të rrjetit të ujit të ngrohjes, shërbimet për mirëmbajtjen dhe riparimin e kaldajave dhe pompave, furnizimet për shërbimet e paparashikuara për riparimin e ashensorëve, dhe edhe një tjetër për shërbime shtesë dhe të paparashikuara – këto janë furnizimet në pjesën “kontrata të lidhura”, të cilat këtë vit i ka botuar Konvikti shtetëror i studentëve, kurse bëhet fjalë për furnizime të tjera përveç për ushqimin dhe pijet, tregojnë të dhënat e faqes së internetit të Byrosë së Prokurimit Publik. Furnizimet e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Byrosë, janë për materiale për mjeshtrat, mazut dhe lëndët djegëse të lëngshme, për material shpenzues dhe higjienë.

Sa herë në vit Qendra shtetërore e studentëve riparon ashensorë, tuba ujësjellësi, instalime elektrike, nëse i ka ngjyrosur dhomat, kur është hera e fundit kur ka blerë shtretër, dyshekë, batanije? Nëse furnizimet janë të rregullta, kurse riparimet bëhen me kohë dhe në mënyrë përkatëse, pse studentët ankohen se tualetet dhe banjat nuk mund të përdoren, nuk ka ujë të nxehtë, ashensorë prishen, ushqimi nuk mjafton?

Për këto pyetje kemi kërkuar përgjigje nga Konvikti Shtetëror i Studentëve – Shkup dhe nga drejtoresha Daniella Temelkova. Ajo nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje. Ka qenë në pushim, edhe pse kur kërkuam një takim për këtë temë, nuk ishte në pushim. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, thjesht, injoruan pyetjen se sa para mblidhen në vit nga konviktet e studentëve në Shkup dhe si shpërndahen ato.

“Si Qeveri në disa vitet e fundit kemi investuar rreth 200 milionë denarësh për të përmirësuar standardet e akomodimit në konviktet e studentëve. Qeveria aktuale është e vetme deri më tani e cila ka vendosur për ndërtimin e kapaciteteve të reja – objekteve të reja në konviktin e studentëve “Stiv Naumov”, si dhe për rikonstruksionin e objekteve ekzistuese siç është konvikti i studentëve “Goce Delçev”. Projekti parasheh një rikonstruksion të plotë të konviktit, i cili përfshin zëvendësimin e dyshemeve, mobilieve, riparimin e mureve, nyejve sanitare, instalimit elektrik dhe të gjitha pajisjet e tjera”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në “Goce Delçev” ka katër blloqe. Për një dhomë standarde me dy shtretër studentët paguajë 3.445 denarë për një shtrat. Çmimi për një dhomë me një shtrat është 3.645 denarë. Drejtoria i vendos studentët edhe në të ashtuquajturat kuzhina, hapësira të cilat ndoshta ndonjëherë e kanë pasur këtë qëllim, me një çmim prej 3.145 denarë për një student. Në këtë çmim, krahas strehimit janë përfshirë edhe një numër të caktuar të kuponëve për ushqim. Kur vendosen, ata paguajnë 250 denarë për JKA (Jetën kulturore argëtuese). Nëse duan të shkojnë në diskotekën e konviktit, domosdo duhet të paguajnë për biletën. Bëhet fjalë për shuma me të cilat mund të rinovohet nga një dhomë në javë, por ku shkojnë këto para, pyesin studentët?

Në janar të vitit të kaluar, pas një sërë incidentesh në konviktet e studentëve, dorëheqjen e tij e ka dhënë Kreshimir Paviq, drejtori i atëhershëm i Qendrës së studentëve. Dorëheqja e Paviqit, i cili ishte në këtë funksion më shumë se pesë vjet, kaloi pothuajse pa u vërejtur – vetëm me një kumtesë nga Ministria e Arsimit. Në vendin e tij erdhi Temelkova, ish edukatore dhe drejtoreshë e një kopshti të fëmijëve në Aerodrom. Nga ajo nuk është dëgjuar as zë për problemet në konviktet e studentëve.

Inspektorët të pafuqishëm para mizërisë në “Goce”

Konvikti i studentëve “Goce Delçev” është në një gjendje të keqe sanitare – teknike. Për shkak se bëhet fjalë për një objekt shumë të madh, edhe rinovimi i tij është një investim i madh, nuk ka paralajmërim se do të ndërmerren masa për përmirësimin e gjendjes. Kjo është pjesë e Raportit të fundit të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor për vitin e kaluar 2013.

Derisa e bënim këtë studim, na kanë thanë se raporti i këtij viti do të përgatitet në të ardhmen. Arsyeja është se inspektorët sanitarë dhe shëndetësorë i bëjnë kontrollet në fund të majit dhe qershorit, kurse në shtator kontrollojnë se sa janë sanuar mangësitë gjatë verës për të përgatitur objektin për vitin e ri shkollor.

Në shtator të vitit të kaluar, kur është dashur për të rishqyrtuar gjendjen, inspektorët kanë shkruar: “Sa i përket konviktit të studentëve “Goce Dellçev”, për të cilin është marrë një vendim, i njëjti nuk është kontrolluar, sepse janë dhënë afate më të gjata, por atje bëhet fjalë për një investimi shumë të madh dhe me vite gjendja nuk ka ndryshuar”.

Xhevxhes Shaqiri, drejtor i Inspektoratit i ka konfirmuar gjetjet e inspektorëve.

“Në konviktin e studentëve “Goce Delçev” nuk është intervenuar me vite. Menaxherët nuk kanë pasur mundësi të intervenojnë duke marrë parasysh se kishte nevojë për shumë para, të cilat Qendra Shtetërore e Studentëve nuk i ka. Deri më tani nuk është investuar asnjë denarë në këtë konvikt të studentëve. Ju e dini, ai u ndërtua në kohën e Jugosllavisë, dhe nga jashtë ndoshta duket se është i bukur dhe i shkëlqyeshëm, por brenda gjendja është e keqe. Nga ajo që ne e kemi kërkuar, atje është intervenuar me gëlqerosje, ngjyrosje, riparimin e ujësjellësit dhe kanalizimeve etj., por nuk është bërë asgjë tjetër më themelore”, deklaroi Shaqiri.

Ai beson se gjendja do të rregullohet me rinovim të cilin e paralajmëroi Qeveria.

“Më gëzon ajo që shteti ka ndarë para për renovimin e këtij konvikti, si dhe për konviktin “Nevena Gjeorgjieva – Dunja” ose konviktin e popullarizuar Medicinar, për të cilën unë jam veçanërisht i lidhur, sepse atje kam kaluar dy vjet të jetës. Është intervenuar edhe në konviktin në Autokomandë, “Stiv Naumov”, kështu që gjendjet ngadalë fillojnë të përmirësohen”, mendon Shaqiri.

Nga ky raport del se inspektorët sanitarë kanë konfirmuar gjendjen e keqe sanitare dhe teknike në konvikt, kanë dhënë vërejtje për këtë dhe si të kenë hequr dorë – është aq e keqe, saqë nuk mund të riparohet derisa nuk rinovohet tërësisht nga zero.

Radhë për 200 gramë biftek

Derisa presin që qeveria të fillojë të realizojë premtimin se do të rinovohet konvikti, studentët tregojnë se edhe këtë vit shkollor janë të detyruar të strehohen në kushte të padurueshme. Në mars të këtij viti, disa prej tyre janë organizuar në iniciativën “Operacioni konvikti i studentëve”. Me moton “Na ka ardhur mbi indeksin!”, kanë arritur “një famë” botërore kur fotot e konviktit kanë dalë në mediat botërore. Ata thonë për SCOOP: “E kemi ngritur zërin, por jetojmë njësoj siç kemi jetuar më parë”.

“Derisa zhvillohej “Operacioni”, kishte shumë kontrolle në konvikt. Hynin nëpër dhomat, shikonin nëse mblidheshim më shumë njerëz, kërkonin librezat e konviktit. Në shitoren  ku blinim me kuponë arriti më shumë ushqim se zakonisht. Janë sjellë në mënyrë Intensive dërgesa me ushqim, por kur kaloi zhurma, përsëri mbetën konservat me mish të prerë të prodhuesit “Hedis” që nuk ekziston, një javë para skadimit të afatit”, thonë studentët në pyetjen se çfarë ka ndryshuar këto disa muaj pasi zërat e tyre arritën deri te opinioni.

Vitin e kaluar shkollor ata e kaluan me probleme me ashensorët e prishur, korridore të errëta, banja dhe tualete të padurueshme, pa ujë të mjaftueshëm të nxehtë, në dhoma me mure të mykura, ushqim që është i njëjtë dhe me sasi të pamjaftueshme…. Nga ky shtator, situata me lagështinë, mykun dhe mungesën e ujit të nxehtë është e njëjtë.

“Më shumë ushqim ka në shtator dhe tetor. Pastaj ai fillon të zhduket. Nga mishi, këtë vit kishte vetëm biftek. Në mensën kishte një fletë të ngjitur se çdonjëri mund të marrë vetëm nga 200 gramë biftek. Vendosemi në radhë dhe presin nga 40 minuta për një copë biftek dhe një porcion patate të fërguara. Patatet e fërguara i hamë me lugë, sepse në mensën nuk ka mjaft pirunë. Vitin e kaluar, në bufenë ka pasur lëngje – këtë vit, mungojnë edhe frigoriferët. Uji i ngrohtë dhe ngrohja qendrore janë të rralla. Në asnjë kat nuk ka aparate zjarri. Macet dhe qentë nëpër korridoret janë si në shtëpi. Në katin ku jam unë, tualetet dhe kabinat për dysh nuk kanë dyer. Kjo nuk është e këndshme, por duhet t’i përdorim se tjetër zgjidhje s’ka. Në çdo bllok ka nga dy ashensorë. Për një ashensor e di me siguri se nuk punon. Nëpër korridoret është horor. Disa drita nuk punojnë, të tjerat pulsojnë në mënyrë romantike tërë kohën. Në maj, ashensori në bllokun D nuk ka punuar për dy javë. Kur bie shi, bie shi edhe në katet dhe bëhen lidhje në instalimin elektrik”, tregojnë studentët.

Sipas pohimeve të tyre, në gjithë bllokun ka pasur vetëm një mjeshtër elektricist.

“Kemi katër mjeshtra – marangoz, mjeshtër ujësjellësi, bravandreqës dhe elektricist. Nuk kanë vegla themelore për punë. Pasi shkoi elektricisti, për një llambë të plasur prisja tri javë. Rridhte një ventil në banjë, mjeshtri i ujësjellësit nuk kishte pincë për të rregulluar”, tregon një tjetër student.

“Operacioni konvikti i studentëve” në betejë të re

Anëtarët e “Operacionit konvikti i studentëve” thonë se arsyeja për iniciativën është rënia e ashensorit në bllokun B, nga kati i tetë në katin e dytë, kurse këtë askush nuk e ka pranuar.

Fillimisht kanë qenë 50 studentë. Janë të befasuar se për një kohë të shkurtër kanë arritur sukses për të cilin edhe vetë ata nuk kishin shpresuar – shprehin keqardhje për obstruksionet që ua bëjnë kolegët e tyre të telasheve të studentëve dhe për përpjekjet për t’u ngjitur një etiketë politike. I gëzon ajo që kanë marrë dhjetëra thirrje për donacione. Nga Australia dhe Gjermania i kanë pyetur se si t’u dërgojnë ndihmë, por ata i kanë refuzuar të gjitha ofertat e tilla. Publikimet e tyre kanë më shumë se pesë milionë shikime.

“Ne nuk jemi dhe nuk duam të jemi politikanë. Jemi shumë të kujdesshëm dhe distancohemi nga të gjitha partitë. Sepse u paraqitëm para zgjedhjeve, kishte pasur përpjekje për provokime edhe nga njëra anë edhe nga ana tjetër, por tani për tani qëndrojmë larg prej tyre. Me letra të hapura u tregojmë se ne luftojmë vetëm për të drejtat tona si studentë”, thonë disa nga iniciatorët.

Nga kjo vjeshtë, ata do të vazhdojnë betejën – do të kërkojnë “një monitorim studentor” të kushteve në mensën, bufenë dhe hapësira e tjera të përbashkëta në konviktin e studentëve “Goce Delçev”. Ata planifikojnë ta zgjerojnë nismën edhe në konviktet në Autokomandë dhe në Qendër.

“Detyra kryesore dhe themelore e “Operacionit konvikti i studentëve”, mbetet të jetë medium për imazhin real të jetës për studentët në konviktet e studentëve. Edhe pse formimi i “Operacionit konvikti i studentëve” u përkushtua vetëm për konviktin “Goce Delçev”, duke pasur parasysh se situatën në të cilën ai gjendet është alarmante, me fillimin e vitit të ri shkollor “Operacioni” do të punojë për përfshirjen e konvikteve të tjera të studentëve në Shkup me qëllim që të informohet opinioni. Qëllimi kryesor është të mbështeten studentët – banorë për t’u liruar nga frika se do të humbasin vendin në konviktin nëse flasim për vështirësitë e çdoditshme dhe pikërisht atë lirim nga frika ta shndërrojnë në veprat”, thonë iniciatorët.

Teksti është publikuar në mënyrën origjinale në faqen e internetit të Agjencisë së lajmeve Makfaks

(Storia është përkrahur nga QGH SCOOP Macedonia në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).  

 

Lajme të ngjashme

Back to top button