Prindërit gjithnjë e më shpesh donator në shkolla

Se sa është falas arsimi në Maqedoni, kur përveç librave, të gjitha gjërat e tjera duhet t’i blejnë prindërit. Duke filluar nga mjetet shkollore, pajisjet e tjera, mjetet e higjienës personale e deri te pjesët e inventarit (televizorët, dollapët, varëset për rroba, kapakët e dritareve dhe madje edhe gardhet e jashtme) shkollat ​​në shumë raste i marrin si donacion nga prindërit. Të vetëdijshëm për kushtet e këqija në shkolla, prindërit vullnetarisht pranojnë të ndajnë një pjesë të buxhetit të tyre për hir të fëmijëve të tyre, thonë mësuesit.

Në raste të caktuara, prindërit janë iniciatorë për të ndihmuar, dhe ne në qoftë se marrim dritën e gjelbër nga komuna, i lejojmë ta bëjnë për shembull, varëse rrobash apo dollapë, shpjegojnë punëtorët e sferës së arsimit.

Prindërit me të cilët bisedoi Inboks7, thonë se e bëjnë atë sepse fëmijët në kujdesin ditor mbajnë me vete shumë materiale që nuk mund të vendosen nën bankë kështu që ka nevojë për një inventar shtesë, si sirtarë apo dollapë.

“Unë për dy fëmijët e mia kam dhënë dy herë para, një herë 600 denarë, ndërsa hera tjetër 800 denarë për dollapë”, thotë një prind, fëmijët e të cilit mësojnë në shkollën fillore “Ljuben Llape” në lagjen e Shkupit Aerodrom.

Në klasën tjetër, thotë prindi, dikush ka dhuruar dollapë me vetiniciativë, ndërsa në disa klasa kanë blerë sirtarë plastikë.

“Kur fëmija ime ishte në klasën e parë, në klasë kishte tavolina të vogla si në kopshtin e fëmijëve, diçka që është në rregull për shkak se tavolinat klasike shkollore janë shumë të larta për fëmijë 5-6 vjeçe, kështu që çanta dhe palltoja e tij ishin varur në karrige. Çdoherë kur fëmija do të ngrihej, karrigia zmbrapsej dhe të gjitha gjërat binin në tokë. Prandaj është dashur të  propozonim, ne si prindër, të blihen, gjegjësisht të bëhen dollapë me madhësi që të mund fëmijët t’i vënë gjësendet brenda”, thotë Elena, fëmija e së cilës mëson në shkollën”Vëllazëria” në Shkup.

Pasi dikush nga prindërit propozoi se ka një marangoz të cilin e njeh dhe mund t’i bëjë dollapët, i gjithë procesi u ndal rreth vendosjes së varëseve të rrobave. Më parë drejtoresha është dashur të kërkonte leje nga komuna nëse mundet të shpohet muri. Rasti ka përfunduar me lejen që varëset e rrobave të vendosen në pjesën e poshtme të murit, e cila është e mbuluar me dru, që të mos dëmtohet muri që është freskët i ngjyrosur, për të cilën gjë më parë janë ndarë fonde nga buxheti komunal.

Për këtë secili nga ne prindërit pagoi 1.000 denarë në dorë, të cilat arkëtari ia dha njeriut i cili i bëri dollapët”, përfundon Elena me tregimin e përvojës së saj.

Këto janë vetëm disa nga shumë shembujt në sistemin modern shkollor ku prindërit dhurojnë për të pajisur shkollat ​​e rinovuara. Këtu janë kapakët variolight të dritareve të cilat pas sugjerimit të mësuesve, përkatësisht administratës së shkollës blihen me ngjyra të ndryshme, por më pas askush nuk dëshiron t’i mirëmbajë.

Kur në Peter Pop Arsov para tri vitesh ishte lëshuar në përdorim shkolla e rinovuar,  dritaret ishin pa kapakë dhe fëmijët brenda i rreziste dielli. Kur njëherë shkova për ta marr fëmijën nga shkolla, të gjitha fëmijët ishin ulur në dy radhët të cilat ishin nën hije. Menjëherë u thashë prindërve të tjerë se duhet të organizohemi. Pasi drejtoria nuk lejoi që të ngjiten foli në dritaret e reja, kurse propozimi për perde klasike u refuzua me arsyetimin se nuk ka kush t’i lajë, se ajo nuk ishte puna e pastrueseve, dhe nuk kanë ku t’i lajnë, ishte pranuar  propozimi për kapakët variolight si më i lehtë për mirëmbajtje“, thotë nëna e Anës.

Përveç kapakëve të dritareve dhe dollapëve, nuk është i rrallë shembulli kur prindërit janë të detyruar të japin para të gatshme edhe për gardhe hekuri në objektet shkollore.

Ne dy herë kemi dhënë para për gardhe, njëherë për gardhin e brendshëm dhe njëherë për atë të jashtëm”, thonë prindërit.

Ka raste kur ata blejnë televizorë në shkollat ​​të cilët më së shpeshti përdoren për të shikuar filma vizatimorë në klasat më të ulëta. Disa prindër dhurojnë makina fotokopjuese dhe CD plejerë.

“Kur vajza ime ishte në klasën e tretë, blemë televizor, i cili ka shërbyer që fëmijët në pushimin e madh të shikojnë filma vizatimorë”, thotë Nadica, bija e së cilës tani është në vitin e parë në shkollën e mesme.

Megjithatë, nuk është i paktë numri i shembujve pozitivë, si ai në Kavadar në shkollën fillore “Tosho Vlekov Pepeto”:

“Unë e di se është ndaluar të mblidhen para”, thotë një nënë, fëmija e së cilës është në klasën e dytë në “Pepeto”.

Ne nga paratë e mbledhura nga punët e hartuara për rastin e Pashkëve vitin e kaluar kemi blerë një CD plejer, i cili u nevojitej për përmbajtje të caktuara mësimore. Ndryshe, mbledhim nga 100 denarë për çdo vit për të fotokopjuar materiale dhe ia japim mësuesit”, tha ajo për Inboks7.

Gjithnjë e më shpesh me organizim të shkollave mbahen ngjarjet e ashtuquajtura hepening në të cilat fëmijët shesin gjësendet e bëra me dorë. Për shembull, me paratë e mbledhura gjatë hepeningut në shkollën “Petar Pop Arsov”, kur shiteshin gjësendet e bëra me dorë për rastin e Pashkëve, u ble një sistem folës, tregojnë bashkëbiseduesit tanë. Këto raste prindërit i theksojnë si pozitive.

PAJISJET NDIHMËSE  PËR PUNË SIPAS PROGRAMIT TË KEMBRIXHIT

Litarë, kube, lojëra puzzle, këto janë vetëm një pjesë e lodrave për të cilat kanë nevojë nxënësit e klasës së e parë, të dytë dhe të tretë dhe mësuesit për të ndjekur programin e re të aplikuar sipas Kembrixhit. Mësuesit janë lënë vetë të gjenden në improvizimin e materialeve ndihmëse. Thonë se përdorin kapakë të vegjël, shkopinj me ngjyra e ngjashme.

Dhe përsëri këtu janë prindërit të cilët blejnë sadopak gjësende përkatëse që do t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për të mësuar përmbajtjet e reja, në të cilat kanë hyrë pa asnjë përgatitje paraprake, gjegjësisht pa asnjë njohuri paraprake.

Në Byronë për Zhvillimin e Arsimit thonë se materialet nuk janë të shtrenjta dhe se duhet t’i blejnë shkollat.

PRINDËRIT NUK KANË DETYRIM LIGJOR PËR TË BLERË

A janë prindërit të detyruar të jenë financues në një pjesë të shkollave? A janë shumë të vogla bllok-dotacionet të cilat i marrin nga MASH-i për të mbuluar këto shpenzime apo ndahen në mënyrë jo përkatëse?

Mësuesit thonë se gjithçka bëhet në baza vullnetare, sepse vetë prindërit duan t’i përmirësojnë kushtet në të cilat mësojnë fëmijët e tyre. Sipas Ministrisë së Arsimit, shpërndarjen e mjeteve e kryejnë komunat në marrëveshje me shkollat​​.

Muhamet Hoxha, zëdhënës i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në deklaratën për Inboks7, thotë se arsimi është falas, kurse prindërit nuk kanë detyrim ligjor për të blerë dhe dhuruar për shkollat​​.

Mund të dhurojnë vetëm me vetiniciativë, por askush nuk guxon të bëjë nga ata që të bëjnë një gjë të tillë. Megjithatë, për atë duhet të ketë një vendim i marrë nga Këshilli i prindërve, e pastaj të informohet edhe drejtori i shkollës”, shpjegon Hoxha.

Nga Komuna e Aerodromit theksojnë se ajo vazhdimisht investon në përmirësimin e kushteve në shkolla, kështu që tërësisht i kanë rinovuar të gjitha shkollat.

Kemi përgatitur projekte për ​​pajisjen e brendshme të shkollave, të cilat planifikohet të realizohen në periudhën e ardhshme, e me të cilat do të zgjidhet nevoja për mobilie në shkollat, përkatësisht dollapë, karrige, banka, perde dhe varëse rrobash“, paralajmërojnë nga komuna.

Pastaj, theksojnë se në qoftë se prindërit duan kanë mundësi që plotësisht të sigurojnë materiale për të punuar nxënësit, por kjo nuk është e detyrueshme.

Në pyetjen e Inboks7, për çfarë harxhohen mjetet e buxheti që janë ndarë për shkollat ​​kur prindërit blejnë bile edhe mjete për higjienë personale, gjegjësisht  letër tualeti dhe sapun të lëngshëm, nga komuna e Aerodromit thonë se ato financa janë për mirëmbajtje të vazhdueshme.

Sa i përket financimit përmes bllok- dotacioneve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ata parashikojnë paga për mësuesit dhe mjete për mirëmbajtje të vazhdueshme, ku janë kryesisht faturat për energji elektrike, ujë, ngrohje e ngjashme”, thuhet në përgjigjen e komunës. / Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button