VALLË A AQ E LIRË QENKA VOTA JONË?

A i keni dëgjuar ndonjëherë lajmet për rrahjet e turpshme të shqiptarëve nëpër autobusët urbanë të Shkupit? I keni dëgjuar sigurisht, por vetëm një ditë. Një ditë – dy. A ju kujtohet dhuna e ushtruar në Gjorçe Petrov në maj të këtij viti, pas vrasjes fatkeqe të një të riu maqedonas nga një i ri shqiptar? Ndoshta e keni harruar, sepse fatkeqësinë e mbuloi dhuna propagandistike e mediave maqedonase ndaj shqiptarëve, e ndihmuar nga mediat serbe të cilat ishin shumë aktive me akuza antishqiptare. Pronat e shumë shqiptarëve atëherë  u dogjën. Shtypi shkroi se pat dhunë, se u burgosën rreth tridhjetë vetë. Vetëm kaq. Por, sipas mediave, sipas nëntekstit të shkrimeve të tyre, del se fajtorë janë shqiptarët. Si gjithmonë. Për njëqind e sa vjet me radhë. “Faji” që na e ngjitin si bisht ata, mbahet mend. Sepse përsëritet vazhdimisht.

Dyqanet e djegura, dëmet materiale që iu bënë shqiptarëve i rralli i mban në mend. Po sulmet brutale të komitëve në lagjen shqiptare të Nerezit? Edhe këtë e ka marrë era e harresës dhe e ka çuar në thellësitë e asgjësë. Dhe, shumë e shumë raste të tjera. Mirëpo… Mirëpo ndryshe ndodh kur personazhe të dëmtuara mediat i qesin maqedonasit. Si në rastin e kinse shuplakës që një arsimtar shqiptar i kulturës fizike ia paska dhënë një nxënëseje maqedonase. E në këso rastesh mediat e këtushme në gjuhën maqedonase shkruajnë disa ditë me radhë, edhe pse gjyqi s’e ka dhënë fjalën e fundit të drejtësisë për këtë rast. Po mediat e këtushme dhe ato të Serbisë fare s’e kanë dert e fare pa fytyrë e marrin rolin e gjykatësve dhe a priori shqiptarët shpallen kriminelë, mafiozë, primitivë e ku ta di unë se çka.

Kam pasur rastin të dëgjoj njerëz që e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për padrejtësitë e ndryshme që u bëhen shqiptarëve. Ja një bisedë:

“E din xhit, a hala i lexon gazetat në gjuhën maqedone?”

“Xhit boj? Du t’kem ma shuam informata, vlla”.

“Epo majr, lexo atëhere, knaçu me dezinformata”.

Do të kisha pasur dëshirë të iki nga ky realitet, nga kjo situatë e elektrizuar, nga sytë e njerëzve në të cilët lexoj qartazi se më trajtojnë si “shiptar”, pra si njeri të dorës së dytë, si njeri i cili i përket një etnie të cilës propaganda ia ka vënë vulën e njerëzve që janë të prirë për malverzime, për mashtrime, tradhti, hajni, shantazhe, krime, tregti me njerëz, me një fjalë për të gjitha të zezat. Del se si të tillë që qenkemi, ky shtet është aq i butë, aq human saqë na mban si barrë, se ne nuk kemi bërë asgjë për shtetin, se neve na falin gjithçka. A i thonë mendje kësaj?! Besa hiç. Po ku paska në këtë botë që një popull ta ushqejë popullin tjetër  me bukë. Vëllai për vëllain nuk kujdeset, fëmija për prindin nuk çan kokë, jo po ta falka bukën e strehën dikush tjetër, aq më pak dikush që s’ta di gjuhën, s’ta njeh traditën, s’ta di hallin dhe edhe më keq, po të ndihmuaka ai që vazhdimisht është i bombarduar me dezinformacione për ty, me dezinformacione që të paraqesin në edicionin më të zi të mundshëm. E pra shumë vështirë është të jetosh në këso kushtesh.

Po të kishte pasur merhamet të tillë, siç qajnë mediat maqedonase e serbe, nuk do ishte kujdesur shteti që të na ngulfasë nëpër getot siç janë Dizhoni, Serava, Gazi Baba e të tjera, po do ta kishte ngritur rampën nga ana e djathtë e Vardarit dhe do të na kishin dhënë mundësi të njëjta që edhe ne shqiptarët të bëjmë shtëpi e banesa andej, andej ku ndjehet liria dhe dinjiteti. Dhe, të jetojmë si jetojnë të tjerët. Kjo njëherë për një herë mbulohet me grindjet e partive tona për interesa personale e partiake.

Ndërkohë partitë shqiptare vazhdojnë të grinden mes vetes. Dhe, derisa të grinden ato, ne do të jemi të rrahur nga rrebeshi i fyerjeve dhe do të na trajtojnë ashtu siç na trajtojnë.

Vallë a aq e lirë qenka vota jonë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button