Prej 28 deri 31 korrik mbahet java e kulturës në Kërçovë

Komisioni komunal për shënimin e festave dhe të përvjetorëve realizoi një konferencë për shtyp, në të cilën e njoftoi opinionin për festat që do të shënohen gjatë vitit dhe mënyrën se si do të manifestohen ato. Ndër të tjera, theks i veçantë u vendos në manifestimin “Java kulturore – verë 2013”, që do të realizohet nga Komuna e Kërçovës, gjatë periudhës 28 – 31 korrik. 

Dita e parë, gjegjësisht 28 korriku, është caktuar si dita e sportit, gjatë së cilës do të organizohen ndeshje të ndryshme sportive. Atë ditë do të ketë aktivitete kulturore dhe artistike, ekspozitë pikturash, poezi, panair librash etj. Një ditë pas saj, është dita e traditave kërçovare, veshjes, valleve dhe të ngjashme, kurse dita e fundit, respektivisht 31 korriku, është paraparë si dita e humorit dhe e satirës.

Ky aktivitet organizohet për nder të mërgimtarëve, për të cilët, nga Komisioni komunal për shënimin e festave dhe të përvjetorëve, thonë se janë të mirëseardhur që të bëhen pjesë e stafit organizativ të javës kulturore dhe pjesëmarrës në të. 

Si një ndër përvjetorët e tjerë më të rëndësishëm që u përmend ishte edhe shënimi i 100 vjetorit të masakrës së pushtuesve serb mbi popullatën shqiptare gjatë vitit 1913, masakra në fshatin Qafë dhe përkujtimi i heroinës, Sulltanës së Qafës. Manifestimi do të realizohet gjatë muajit gusht, në Pallatin e Kulturës në Kërçovë, duke mos harruar vizitën në fshatin Qafë dhe përkujtimoren e viktimave, ku këto ditë punohet intenzivisht për përgatitjen e terrenit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button