Rexhep Qosja: Fullani i BSH, luks pa moral. Merrte rrogën e 23 familjeve

Në qoftë se në një shtëpi bëhen veprime të dënueshme pashmangshëm, përpos bërësit të fajit, fajtor është edhe i zoti i shtëpisë. Figurativisht e thënë del kështu: në qoftë se kalin e vret shala, fajtor është kalorësi. Mendimet e mia tepër dëshpëruese për Ardian Fullanin nuk i nxit vetëm vjedhja në Bankë, por edhe më shumë lukset e tij e të njerëzve të tij, rrogat e tij e të të përzgjedhurve të tij”.

Kështu e sheh akademiku e profesori Rexhep Qosja, vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai thyen heshtjen dhe jep opinionin e tij për vjedhjen në Bankë, për fajtorët e për qëndrimin e politikës, duke dalë fuqimisht kundër “pavarësisë” së shumëpërfolur të Bankës së Shtetit, një pavarësi që duket se ka çuar drejt vjedhjes.

Më herët, profesori komenton një vit qeverisje nga kryeministri Edi Rama, që sipas tij e ka pasur shumë të vështirë, nëse kemi parasysh Lazaratin apo, atë që ai e quan “arsim feudal, me më shumë universitete se ç’kanë vendet prej njëzet milionë banorësh, kurse më shumë se gjysma e këtyre universiteteve prodhonim mosdije, mashtrime, krime!”.
Akademiku, që njihet për qëndrimet e tija të drejtpërdrejta, nuk lë jashtë vëmendjes Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike më 27 shtator. Ai kritikon fjalimet e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duke u shprehur se kjo nuk është gjuha e Shqipërisë etike dhe se sheh një kërcënim, një rrezik për sigurinë shqiptare në gjuhën e tyre, pasi në jetën e popujve, të këqijat më të mëdha në fillim janë foljore e mandej bëhen trupore dhe shoqërore. “Kjo në të vërtetë është gjuha që prodhon bashkëdyzimi i rrugaçërisë së fshatit dhe i rrugaçërisë së qytetit, që është bashkëdyzimi më i ulët që ndot dhe fyen zakonësinë e popullit shqiptar”, – thekson akademiku Rexhep Qosja.

Profesor, qeveria Rama tashmë mbushi një vit që po qeveris vendin. Çfarë mendoni për të, për politikën e saj dhe rezultatet e punës së saj?

-Nuk ka dyshim se Qeveria e Edi Ramës gjatë një viti prej se punon e ka pasur shumë, pamatshëm vështirë.
Së pari, kjo Qeveri është dashur të bëjë shumë përpjekje për ta nxjerrë vendin prej bërrakës shumë të thellë dhe shumë të turbullt politike, pseudoshtetërore, policore, ushtarake, arsimore, gjyqësore, ekonomike, morale, në të cilën ishte zhytur, gjatë sulltanizmit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Prej masave politike dhe shtetërore që ka marrë dhe po merr Qeveria e sotme, mund të shihet, shumë qartë, padëshirueshëm qartë, se në Shqipërinë e Sali Berishës ishin krijuar të gjitha kushtet në të cilat mund të plaçkitej, mund të vidhej, mund të gënjehej, mund të mashtrohej, mund të dhunohej, mund të trafikohej, mund të shpërdorohej, mund të helmprodhohej, mund të vritej, pa farë pasojash! Krejt Shqipëria ishte bërë Lazarat, helmonte veten dhe helmonte Evropën me drogë dhe krejt Shqipëria helmonte veten me lojëra të fatit! Shqipëria me arsim feudal, me më shumë universitete se ç’kanë vendet prej njëzet milionë banorësh, kurse më shumë se gjysma e këtyre universiteteve prodhonim mosdije, mashtrime, krime! Në asnjë veprimtari politike, shtetërore, ekonomike, arsimore, kulturore, juridike pothuajse nuk vlenin ligjet. Shqipëria ishte bërë një sulltanat lindor mesjetar.
Së dyti, Qeverisë së Edi Ramës, pikërisht pse donte ta nxirrte Shqipërinë prej asaj bërrake të thellë e të turbullt dhe ta bënte shtet të së drejtës, shtet modern, shtet vërtet evropian, iu bënë dhe po i bëhen shumë, shumë pengesa me propagandë të pashembullt në historinë e Shqipërisë dhe me veprime kundërshtuese të fshehta dhe të hapëta! Dymbëdhjetë muaj, domethënë treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë për këtë Qeveri, për kryeministrin e saj dhe ministrat e saj flitet vetëm me folje dhe me cilësorë skajshëm negativë, zhvlerësues, komprometues, fyes, me përmbajtje nëntëdhjetë e nëntë për qind të gënjeshtërt. Qeverisë së Edi Ramës pashmangshëm i është dashur të bëjë ç’mund të bënte, të harxhonte jo pak fuqi politike për të përgënjeshtruar këtë propagandë në vend, në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, këto përpjekje për përgënjeshtrimin e asaj propagande Qeveria e Edi Ramës do të jetë e detyruar t’i vazhdojë gjatë.
I shikova dhe i dëgjova fjalimet dhe diskutimet në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike me 27 shtator. Po i shënoj në këtë bisedë me Ju tri fjalime dhe po i shënoj shkurt për të treguar se sa vështirë do ta ketë qeveria e Edi Ramës edhe më tej. I pari është fjalimi i Sali Berishës. Për qeverinë e Edi Ramës, ish kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përpos të tjerash, tha:
-”Kjo është qeveria më antikombëtare e më përçarëse pas asaj të Enver Hoxhës!”
Ç’do të thotë kjo rrenë e dyfishtë e frymëzuar prej urrejtjes? Do të thotë se Qeveria e Enver Hoxhës, së cilës Sali Berisha i shërbeu me servilizmin më të neveritshëm që mund të imagjinohet, duke qenë sekretar partie në Universitetin e Tiranës, duke u përpjekur t’i përdorte djemtë e Enver Hoxhës për t’u futur nga pas në shtëpinë e tij, duke u sjellë si nënbisht i çdo zyrtari si më të lartë të Partisë së Punës, na paska qenë qeveria më antikombëtare, madje më antikombëtare se partitë profashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, me emrat dhe shtatoret e anëtarëve a ideologëve të të cilave ai, Sali Berisha, ka arritur të shëmtojë sa e sa bulevarde e sheshe të Shqipërisë, madje edhe të disa qyteteve të Kosovës!
-”Vendi po qeveriset nga klika mafioze”. Domethënë: votuesit shqiptarë janë aq të pamendje saqë me shumicë dërrmuese të votave do të zgjedhin klikë mafioze për t’i qeverisur! Kështu e fyen popullin që e ka lindur kjo mendje e terratisur prej etjes sulltaniste1
-”PD – ja ka qenë dhe mbetet forca e vetme euroatlantike”.
Domethënë: të gjitha partitë e tjera në Shqipëri, madje, edhe ato që hyjnë në koalicione fatzeza me partinë e Sali Berishës na qenkan: proruse, prokineze, proverikoreane, prosiriane, proserbe, në të vërtetë antieuroatlantike!
-”Revanshi i terrorit të aleancës së qelbësirave është në rritje”! Domethënë: aleanca midis Partisë Socialiste dhe Partisë Socialiste për Integrim me të gjitha partitë e tjera, që bëjnë pjesë në këtë aleancë, na qenkan të përbëra prej qelbësirave! Dhe, kështu, qelbësira quan ish-kryetari i PD-së gjithë ata burra, gjithë ato gra, gjithë ato vajza, gjithë ata djem, gjithë ata punëtorë, fshatarë, intelektualë, mjekë, inxhinierë, ekonomistë, artistë, shkrimtarë, arkitektë, studiues shkencorë, e krijues të fushave të tjera, gjithë atë elitë mendore të Shqipërisë, që janë anëtarë të këtyre dy partive! A ka nevojë të thuhet se kjo nuk është gjuha e Shqipërisë etike, që ka lindur Pashko Vasën, Jani Vreton, Abdyl, Naim e Sami Frashërin, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Ndre Mjedën e shumë figura të tjera të mëdha, që e kanë krijuar Shqipërinë dhe që e kanë edukuar shqiptarin etik. Jo. Kjo në të vërtetë është gjuha që prodhon bashkëdyzimi i rrugaçërisë së fshatit dhe i rrugaçërisë së qytetit, që është bashkëdyzimi më i ulët që ndot dhe fyen zakonësinë e popullit shqiptar. Dhe, me këtë gjuhë të përlloçur e përlloçëse Sali Berisha shkaktoi lotët e disa grave të partisë së tij!
Fjalimi i dytë është ai i një gruaje a një vajze, s’e di ç’status kishte, e cila paraqitjen e saj në foltoren e Kuvendit të PD-së e përmbylli me fjalë adhurimi të perëndishëm për kryetarin e tanishëm të PD-së, Lulëzim Bashën, që m’i solli në mendje fjalët tejservilizuese, me të cilat nënbishtet partiake i përfundonin fjalët e tyre në kongreset e Xhungashvillit,Titos dhe Çausheskut!
Fjalimi i tretë është fjalimi me të cilin kryetari fiktiv i PD-së, Lulzim Basha, e stolisi përfundimin e Kuvendit. Deri te foltorja ai mbërriti me hap ushtarak të pjesëtarëve të Armatës së Kuqe në Moskën e Stalinit, krahëdrejtë, kokëpërpjetë, duarngjitur për kofshët, sy zmadhuar dhe ashtu trupshtangur, e pushtoi foltoren ku i shqiptoi disa fjali në të cilat ishte i përmbajtur një delir patologjik i denjë për psikanalizën e Frojdit të lavdishëm. Mund të më thotë dikush: po pse, more Rexhep Qosja, po i merr seriozisht fjalimet, fjalët dhe diskutimet e Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës. Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria e Shqipërisë, partitë e tjera të Shqipërisë po i lënë të thonë e ç’thonë krejt çka duan, të shpeshtën e herëve, pa reaguar ndaj tyre me qëllim që të tregohen kush janë, që të komprometohen keq e më keq në sytë e ndërkombëtarëve. Mund të jetë kështu! Por unë shoh një kërcënim, një rrezik për sigurinë shqiptare në gjuhën e tyre. Në jetën e popujve të këqijat më të mëdha në fillim janë foljore e mandej bëhen trupore dhe shoqërore. Me gjuhën e tyre politike, në të vërtetë me gjuhën e tyre instinktive, të pakultivuar prej kulturës dhe etikës, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, me disa gardistë të tyre, duan ta fashistizojnë shoqërinë shqiptare. Studiues të fashizmit në Evropë po shkruajnë se fashizmi i sotëm nuk është më si ai i gjysmës së parë të shekullit njëzet. Edhe fashizmi ka pësuar shndërrime (transformime). Është “modernizuar”, thonë e shkruajnë ata. Me këtë gjuhë të fashizmit të shndërruar Berisha dhe Basha po i paraqiten popullit shqiptar prej se janë gjetur në opozitë; por, me këso gjuhe të fashizmit, kur e kur, i paraqiteshin popullit shqiptar edhe kur ishin në pushtetin sulltanor të Sali Berishës. E quaj të nevojshme, shumë të nevojshme, që populli shqiptar në të dy anët e kufirit të bëhet i vetëdijshëm për rrezikun që mund t’i vijë prej këtij fashizmi të shndërruar, të “modernizuar, që e prodhon gjuha instinktive e privuar prej kulturës dhe etikës e Sali Berishës dhe e rrogëtarit të tij politik, Lulzim Basha. Them kështu edhe për arsye se në Shqipëri gjatë gjithë kohës së sundimit të Sali Berishës vazhdon propaganda kundër Luftës Nacional- Çlirimtare të udhëhequr e të bërë prej komunistëve në krye me Enver Hoxhën, që bënte pjesë në Aleancën antifashiste e pa të cilën Luftë Shqipëria ose do të ishte copëtuar edhe në shumë ose, madje, nuk do të ishte më. Dhe këtë propagandë e bëjnë trashëgimtarët e shërbëtorëve politikë dhe shtetërorë të Musolinit, kur e kur edhe stalinistët e konvertuar ala Sali Berisha.

Prej dy muajsh në Shqipëri është aktuale çështja e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Sipas jush, si po sillet politika ndaj kësaj çështjeje?
Sipas bindjes sime është harxhuar shumë energji rreth asaj vjedhjeje, që nuk do të duhej të konsiderohej e papritur. Gjendja e përgjithshme politike, shtetërore, morale në Shqipëri sikur e ka bërë të mundshme atë vjedhje! E quajtën të arsyeshme që për atë vjedhje ta thonë fjalën e tyre medie, organizata, parti, shoqata, institucione politike e shtetërore, vetje, të varfër e të pasur, të pushtetshëm e të papushtetshëm. Në gjykimet për atë vjedhje në Bankën e Shqipërisë më ka bërë përshtypje të veçantë mendimi i përsëritur pa pushuar: pavarësia e bankës, të ruhet pavarësia e bankës. E kuptoj pavarësinë e presidencës së shtetit, të gjyqësorit, të mediave, por nuk e kuptoj pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, domethënë të Bankës së Shtetit. Pavarësi prej kujt? Pavarësi prej Shtetit? Pavarësi për të mundësuar vjedhjen? Jo. Banka e Shqipërisë nuk mund të jetë e pavarur në kuptimin e Presidencës, të Gjyqësorit apo të Mediave. Jo!

Çfarë mendimi keni për burgosjen e guvernatorit Ardian Fullani?

Unë nuk jam prokuror, nuk jam as avokat i Fullanit, unë nuk jam anëtar i asnjë gjykate, prandaj nuk mund të them a është a s’është në pajtim me ligjet e Shqipërisë burgosja e tij. Unë, ndërkaq, mund të them: në qoftë se në një shtëpi bëhen veprime të dënueshme pashmangshëm, përpos bërësit të fajit, fajtor është edhe i zoti i shtëpisë. Figurativisht e thënë del kështu: në qoftë se kalin e vret shala fajtor është kalorësi. Mendimet e mia tepër dëshpëruese për Ardian Fullanin nuk i nxit vetëm vjedhja në Bankë, por edhe më shumë lukset e tij e të njerëzve të tij, rrogat e tij e të të përzgjedhurve të tij. Më shumë se për atë vjedhje në Bankë unë e gjykoj Ardian Fullanin pse i lejonte vetes të merrte rrogë 7.500 dollarë në muaj, pse i lejonte vetes të merrte mbi 90.000 dollarë në vit. Unë e gjykoj Ardian Fullanin pse në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës ai kishte përzgjedhur edhe njërin që merr rroga e honorarë, hiç më pak se, edhe në tetë vende të tjera. A i shkonte, mendja këtij Fullani ndonjëherë se jetonte në Shqipëri – në shtetin më të varfër të Evropës? Ai shkonte mendja këtij njeriu se me rrogën e tij prej 7500 dollarësh po merrte rrogat e 23 familjeve shqiptare. A i shkonte mendja këtij njeriu se shumë, shumë familje në vendin e tij nuk e lidhin me çka iu duhet fillimin me fundin e muajit? A i shkonte mendja këtij njeriu se pensionistët shqiptarë me pensionet e tyre s’arrijnë të paguajnë as shërbimet komunale, kurse njerëz të tij e fshijnë kozmetikën e faqeve me pesëqind euro! Lukse të pamoralshme dhe lukse kundërkombëtare janë këto lukse të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Ish kryeministri Berisha është shprehur se arrestimi i Fullanit është stalinist, dhe se atë e bëri Rama e jo kryeprokurori. Si i lexoni ju këto deklarata?

Si? Si ndryshe përpos si fatamorganë të ish-kryeministrit! Kur të vdesë, Sali Berisha do të vdesë duke pasur parasysh pamjen e Edi Ramës të zmadhuar sa Dajti!

Në gjykimin tuaj, guvernatori i ri duhet të jetë shqiptar apo i huaj?

Guvernatori i ri, sipas bindjes sime, duhet të jetë shqiptar, dua të them, nënshtetas i Shqipërisë.(BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Back to top button