Komedia e zezë në ngjyrat e “Gjymtimit”

Mbi shfaqjen fituese të Festivalit Teatror të Tetovës

Pasqyra që shërben jo vetëm për të parë veten, por edhe për të reflektuar disi më gjatë rreth nesh dhe brenda nesh, pa dyshim se ngel të jetë teatri. Ndonjëherë duke na shkolluar se çfarë duhet të bëjmë, më shumë herë duke na mësuar se ku gjenden limitet që s’duhen kaluar, komunikimi teatral tenton të shërbejë si një déjà vu, për t’na paraqitur një jetë të pajetuar por që n’a duket si e njohur, duke ngacmuar shqisat tona dhe duke n’a thënë se këto “budallenj” që i shihni në skenë, janë aq të mençur saqë bashkë me një autor, një regjisor dhe një staf të tërë, kanë arritur të ecin në kohë, madje të kalkulojnë me momente krizash, më pikante të jetës artistike, shpesh herë me propabilitet të lartë për të ngjarë.
Drama Gjymtimi
Thonë se komunikimi telepatik është gati i paarritshëm për njeriun, të tjerë thonë se vetëm njerëz të caktuar e kanë provuar, disa e mendojnë si një sfidë që e pret njeriun e së ardhmes, por rrallëkujt i ka vajtur në mend se teatri luan me “telepatinë” sa herë të dojë, duke e dëshmuar këtë përballë një audience madje. Në fund të çdo shfaqeje, ne që jemi ulur në karriket e sallës, jemi të lumtur që shpëtuam pa rënë në ndonjë grackë që në ato skena të sapondodhura, ra brenda njëri apo disa prej aktorëve. Mbase edhe ata janë të lumtur që roli i tyre përfundon me përfundimin e shfaqjes, sepse natyra dhe karakteret e personazhëve skenik, rritet dhe fuqizohet kur është e shoqëruar me shumë probleme, mundësisht pa zgjidhje. Është komplekse kjo botë imagjinare me plot realitete brenda, ky zhanër letrar pa “sintaksë”, ky komunikim artistik me të gjitha përjashtimet që ndërtojnë rregullin! Është kompleks edhe definicioni që mund të jepet për këtë lloj mediumi, prandaj inkurajojmë veten duke thënë se nuk ka ndonjë definicion të unifikuar për teatrin. Edhe semiotika e tekstit është e “shqetësuar” me këtë lloj varianti për të dhënë ca mendime, ngase papritmas mund të ndodhë që vetë teksti skenik të dalë nga konteksti për të krijuar një tekst të ri i cili i kthehet të parit.

Po marrim si mostër shfaqjen “Gjymtimi” të autorit Martin McDonagh, sa për të ngritur disa paradigma që kanë lidhje me zbardhjen e asaj që u prek më lart. Në fakt kjo shfaqje ka bërë një bujë të madhe këto ditë thuajse në mbarë hapësirën shqiptare, si shkas i vënies në skenë nga regjisori i ri Qëndrim Riajni, madje duke u kurorëzuar edhe me disa çmime nëpër festivale të ndryshëm. Së fundmi ajo arriti të triumfojë në edicionin e tretë të Festivalit Teatror të Tetovës, ku si rrjedhojë e vlerësimit nga ana e publikut, shfaqja e Teatrit Shqiptar të Shkupit, “Gjymtimi”, u shpall shfaqja më e pëlqyer e këtij edicioni. Por neve nuk n’a ekzalton aq shumë kjo pjesë, sepse fundja këto përzgjedhje jodomosdoshmërisht janë indikatorë të cilësimit të një materiali skenik. Aq më tepër kur në ditët tona dëshira e mediatizimit dhe bulevardizimi i çdo lloj informacioni përdoret si maskë kastravecash për t’u shëruar nga aknet në fytyrë.

Grotowsky do të bëhet podiumi i Rijanit për të vënë sipër tij këtë komedi të zezë, e cila zezohet aq sa dëshiron publiku dhe bëhet komike aq sa dëshiron po ai publik. Si duket regjisori entuziast, është i apasionuar pas stilit të Grotowsky-t, ndoshta sepse kjo fashë skenike i shkon më shumë, për shkaqet dhe arsyet e së cilës ka folur vetë regjisori i “Gjymtimit”. Sado e përkryer të jetë regjia, sado fascinante të duket puna e skenografit, sa të dojë le të jetë kreative kostimografja, kushdo le të ketë bërë kompozimin e muzikës skenike…, pa prezencën e aktorëve, çdo gjë është e kotë, biles nëse doni, ju mund të bëni një tip drame pa pasur asnjërin nga këto, përpos aktorëve të cilët në kushte normale, janë dëshmi e gjallë e punës profesionale të krejt stafit. E, pak e vështirë për të bërë një tortë pa pasur të gjithë materialet e nevojshme, apo? Prandaj përtej regjisë fantastike, nuk e teprojmë nëse themi se e po të njejtit nivel ka qenë edhe skenografia e Petrit Bakallit, konstimografia nga Edlira Qyshka, kompozicioni i muzikës nga Nexhat Mujovi – Virusi e kështu me radhë.

Në qoftë se është i pashmangshëm shpjegimi i subjektit të veprës, po e shlyejmë këtë detyrim duke e përmbledhur të tërin në një fjali. Ngjarja ndodh në një qytet amerikan, ku Karlmajkëll në personazhin kryesor, pëson një gjymtim si pasojë e dhunimit të disa personave racistë të cilët arrijnë t’a shtrijnë personazhin përdhé, duke e vendosur pranë shinave të trenit dhe duke ia këputur dorën e majtë, ku ky i fundit pastaj, për të përmbushur egon e tij, rreket të kërkojë dorën e prerë për njëzeteshtatë vjet. Por ky nuk është thelbi i një drame, në fakt subjekti asnjëherë nuk ka fuqi të dalë përpara moralit dhe urtësive që mund të nxirren nga një tekst.
Tobi dhe e dashura e tij Merilin, dy rrugaçë që shesin hashash, dëgjojnë për një lajmërim në një hotel ku Krlamajkëll e kish vënë për të porositur njerëzit që dijnë gjë për dorën e tij të prerë, ku si shpërblim kish ofruar edhe një shumë të caktuar monetare. Çifti intrigant, me idenë që t’i rrjepin ca lekë hallexhiut, që më tepër se hallexhi, ështe një njeri i cili jeton me ndjenjën e zemërimit dhe rikthimin e asaj që i takon, vendosin të gërmojnë varrin e një kufome për t’i marrë njërën dorë dhe për t’ia ofruar Karlmajkëllit, sikur kjo të jetë dora e tij e humbur. Këto janë histori të cilat nuk ndodhin në skenë, por shpjegohen nëpërmjet narracionit të aktorëve, në të shumtën e rasteve nga Merilin. Pastaj po t’i hymë lojës së aktorëve, flasim vërtetë për delikatesin e krejt shfaqjes, ngase kemi të bëjmë me situata nga më interesantet, duke filluar që nga satira e deri te shkaktimi i tronditjeve psiqike.

Sidomos Mervini, sportelisti i hotelit të cilin e luan Luran Ahmeti, është personazhi tipik që shkakton të qeshura, por në  vetvete ai ka shumë probleme me jetën e tij, vetë varësia nga alkooli e bën këtë dallim e që më pas kthehet edhe në probleme paranojake ku ndërlikueshmëria e personalitetit të tij krijon batutën. Të njejtën s’e thua dot për rolin e Adem Karagës, Karlmajkëllin, dëshpërimi i të cilit nuk n’a bëri në asnjë moment të qeshim, por n’a tha gjëra shumë më të rëndësishme se kjo, siç mund të jetë kompleksiteti i njollosjes së dinjitetit njerëzor dhe të jetuarit pa ndonjë motiv, i orientuar për të rimarrë atë që i takon, ani se nuk ka ç’i duhet më. Dallimi në mes heroit dhe antiheroit nuk është se vërehet aq shumë në këtë rast, që të dy janë të humbur, si Mervini ashtu dhe Karlmajkëlli kanë humbur ndjenjat e lumturisë, vetëm se po t’a pyesësh të parin se çfarë dëshiron, ai s’di të të japë një përgjigje, ndërsa i dyti është rigorozisht i qartë në atë çfarë kërkon, pa iu bërë vonë se sa dëme mund të shkaktojë deri te caku.

Nga ana tjetër, Xhevdet Jashari në rolin e Tobit, është ndërmjetësuesi i këto të dyve, i cili me mjeshtërinë e tij arrin të mbajë në temperaturë të lartë ngjarjen gjatë gjithë kohës. Sakaq, roli i Merilinit të cilin e interpreton aktorja sharmante Amernis Nokshiqi, mundohet me çdo kusht të shpëtojë nga vdekja të dashurin e saj dhe veten, pa pasur ndonjë vështirësi as në joshjen seksuale që i bën sportelistit të hotelit në sy të të dashurit të saj, i cili e inicon këtë intrigë me gjithë rëndesën morale, por ndonjëherë jeta është më e dashur se e dashura!

Çdo vënie skenike është e rëndësishme dhe çdo përpjekje vlen për t’u përshëndetur, festivalet artistikë gjithmonë janë të mirëpritur në trevat tona, sidomos kur kemi parasyshë publikun e etur për të qëndruar përballë të bukurës sa herë i jepet rasti. Publiku tetovar por jo vetëm, e dëshmoi këtë, kurse përzgjedhja e fituesve të festivaleve dhe ndarja e çmimeve, është e udhës t’u dedikohen më të mirëve. Mendoj se kjo u arrit këtë herë!

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Qendrim Rijani per mendimin tim si nje artist, eshte regjisori me premtues dhe me i talentuar shqiptare qe ka dale ne 30 vitet e fundit…..vetem 24 vjecar ..arrin te zbertheje aq sakt dhe aq mire Grotowskitn dhe ka arritur te krijoje stilin e tije te punes , uroj qe te gjithe ne te perkrahim qendrimin duke patur te gjithe privilegjin te punojme me te , njeashtu uroj qe te gjithe drejtuesit e teatrove shqiptare ti ofrojne sa me shume projekte keti djali ne menyre qe , identiteti dhe stili i vecant i keti djali i cili arrin ne menyre kaq te sofistikuar te zbertheje detyren e regjisorit per te shperfaqur te shejten thjeshtesi ne skene..!

Back to top button