Shvercerat dhe Plisat: Ndalesa për Beograd, racizëm

Ndalesa e Federatës Serbe për ndjekjen e sfidës eliminatore mes Serbisë dhe Shqipërisë për tifozët shqiptarë jashtë Shqipërie, ka nxitur reagimin e tifozëve nga Shkupi dhe Prishtina.

Grupimi i tifozëve “Shvercerat” nga Shkupi, të cilët rregullisht përcjellin ndeshjet e kombëtares, theksojnë se vendimi që në Beograd të udhëtohet vetëm me pasaportë të Shqipërisë përbën racizëm klasik dhe diskriminim të pashembullt të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, shkruan Alsat-m.

“Ne kërkojmë që Federata Shqiptare të na mundësojë që edhe ne të udhëtojmë drejt Beogradit. Dua t’ia bëj me dije Federatës Shqiptare dhe Federatës Serbe se edhe ne të Shkupit jemi shqiptarë si gjithë të tjerët. Kjo ndalesë nuk është parë asnjëherë më parë, kjo është drejtpërdrejtë racizëm klasik. Shpresojmë që Federata Shqiptare të gjejë ndonjë zgjidhje që edhe ne të udhëtojmë drejt Beogradit”, thotë përfaqësues i “Shvercerat Shkup”

Kanë reaguar edhe Plisat e Prishtinës, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e Federatës Shqiptare për heqjen e kësaj ndalese kundërligjore. Nëse ndalesa nuk hiqet, sipas kryetarit të Plisave, edhe tifozët e Shqipërisë do të solidarizohen me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë dhe do të bojkotojnë ndeshjen në Beograd.

“Nuk ka ligj që mund ta ndalon. Federata jonë duhet të kërkojë që tifozët shqiptarë të vijnë prej të gjitha trojeve ku ka shqiptarë. Ndoshta edhe Amerikës. Federata duhet që sa më shpejtë të na jep përgjigje, sepse ne jemi marrë vesh edhe me tifozët e Shqipërisë, që nëse nuk udhëtojmë ne, Plisat, Shvercerat, Ballistët dhe tifozët e tjerë nga Kosova, nuk do të udhëtojnë as ata”, Albert Kastrati, kryetar i “Plisave”

Federata Serbe gjatë bisedimeve me atë shqiptare, kërkoi që të dyja ndeshjet të zhvillohen pa tifozë. Për shkak të këmbënguljes së FSHF-së për praninë e tifozëve mysafir, u arrit kompromisi që në Beograd të udhëtojnë vetëm tifozë nga Shqipëria. Ndeshja e shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë në kuadër të grupit “I” të eliminatoreve për EURO 2016 zhvillohet më 14 tetor në Beograd. Pas fitores së kombëtares kundër Portugalisë jashtë fushe, dy ndeshjet e tetorit, kundër Danimarkës dhe Serbisë, po priten me shumë entuziazëm nga tifozët shqiptarë gjithandej Evropës. /Alsat

Lajme të ngjashme

Back to top button