BDI në qeveri: a me njerëz a me parti?

Pasi për sqarimin e plotë të situatës aktuale politike në Maqedoni nevojitet analizë në shumë rrafshe njëra prej tyre është edhe roli i BDI-së në qeveri dhe atë në rrafshin partiak. Sa BDI është parti politike, sa është ajo e tillë për votuesit e vet, sa për anëtarët e vet dhe sa ajo që s’është reflekton në ecurinë e saj të sotme dhe si mund kjo të reflektojë në historinë e saj të nesërme?

Sa për votuesit e saj BDI tani disa cikle zgjedhore në nivel qendror u drejtohet atyre në dy nivele që kryesisht zhvillohen dhe varen jashtë asaj që ato mund të bëjnë nga niveli qendror. Ashtu ose premton kanalizime dhe projekte që kryesisht do bëhen ose jo nga pushteti lokal ose flet për EU-NATO integrimet të cilat mandej varen nga shteti në tërësi e të cilën gjë ata preferojnë të ia lënë në dorë ortakut të tyre të madh në qeveri: partisë DPMNE. Kjo qasje sjell dhe solli deri në anashkalimin e plotë të votuesve të tyre jashtë komunave që ata drejtojnë dhe të folurit për integrimet vetëm në rrafsh spekulativo-analitik prej ku mandej ata nxjerrin konkluzione të vyeshme politike, por vetëm për analizë dhe aspak nuk ndërmarrin iniciativa politike.

Shembull më eklatant për këtë është çështja e emrit ndërkombëtarë të shtetit e cila tani si një konkluzion pasojë-shkak sillet në ngecjen e integrimeve por për të cilën BDI nuk merr asnjë iniciativë politike. Si një parti politike që është në qeverinë dhe parlamentin e vendit. Ashtu ka tendenca për paraqitje të pamundësisë të BDI-së që të kontribuojë në këtë çështje, por ajo nuk është e vërtetë. BDI politikisht mund të ngre shumë iniciativa dhe debate që do ta lehtësonin këtë çështje sidomos duke e ndarë identitetin e shtetit prej identiteteve tjera kolektive apo çështjeve tjera kontestuese.

Njashtu edhe në lidhje me identitetin e maqedonasve BDI mund të kërkojë konsensus në këtë çështje pasi asnjëherë në Maqedoni politika maqedonase nuk ka bërë ndonjë strategji kombëtare në lidhje me negociatat me Greqinë. Greqia ka kështu platformë kurse nga këtu nuk ka vija se ku ndahet dhe ku ngjitet ky identitet kolektiv me atë të emrit të shtetit. Ashtu tani kjo çështje kaq e madhe u lihet në duar dhe atë si në mjegull raporteve dhe marrëdhënieve politike mes DPMNE-së dhe LSDM-së?! E këtë konsensus politik prej tyre duhet ta kërkojë mu BDI-ja si faktori më i madh politik i cili përfaqëson më së shumti votues nga qytetarët e Maqedonisë të cilët nuk kanë lidhje identitare me emrin e brendshëm të shtetit.

Vëmendja politike në BDI duhet të përqendrohet po ashtu edhe në nivel partiak të degëve dhe kuadrove pasi edhe ajo mund të ketë pasoja për këtë organizim. BDI ndoshta edhe mund të ia lejon vetes luksin që me votuesit të sillet në stilin “pasi nuk keni çare do na votoni, ndonëse vetëm në fushatë na kujtoheni”, por sa kjo vlen për vet anëtarët partiak?! Ashtu nëse paramendojmë një situatë ku formohet ndonjë alternativë e re politike shqiptare ajo e njëjta për të marrë votat dhe votuesit ndoshta do i duhej kohë dhe mund shtesë, por për të marrë degë dhe njerëz nga vet BDI-ja do i duhej shumë më pak.

Sidomos tani aktualisht kur nga pak qeverisja dhe pak politika që ka tani BDI ka lënë shumë anëtarë të vet jashtë orbitës. Ashtu opinioni kishte rastin të shohë në vijën e parë të BDI-së ish-deputeten e ish-listës të RDK-së, pa asnjë sqarim dhe të mos shohë, po ashtu pa asnjë sqarim, ish-deputetët e PPD-së Blerim Bexheti dhe Safet Neziri që historikisht i kishin ndihmuar BDI-së në vitin 2006?! Po ashtu opinioni sheh Beqir Hasanin çdo kund kurse Valon Belën askund. Ndonëse i pari kishte ardhur në BDI vetëm si aktivist në PDK-në e dikurshme kurse ky tjetri si kryetar i një partie dhe mandej nënkryetar i PDSH-së?!

Këto disproporcionalitete në trajtim politik edhe mund të kalohen pa pasoja politike në kongrese dhe zgjedhje të ndryshme partiake, por në histori kryesisht kthehen si bumerang. Për këtë ka edhe argument konkret historik te shqiptarët e Maqedonisë e ata janë të vuajturit e PPD-së së parë. Njerëzit që ndonëse ishin dhe mbetën në atë parti përkundër çarjes së madhe të PPDSH-së e që ndiheshin të anashkaluar, por vetëm pak vite më vonë prej në BDI kishin dhe sundonin me shumë. E mes tyre sundonin edhe me kryesinë e atëhershme të PPD-së e cila i pati anashkaluar dhe përvuajtur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button