Rama propozon argjentinasin për Guvernator të BSH, Nishani kundër: Duhet shqiptar

Mazhoranca dhe Presidenti nuk bien dakord për kandidaturën e parë që u propozua nga kryeministri Edi Rama për të zëvendësuar ish guvernatorin Ardian Fullani.

E përditshmja “Panorama” zbulon sot se kryeministri Rama i ka propozuar Presidentit Bujar Nishani në takimet që zhvillonte me të emrin e një argjentinasi të quajtur Mario J. Blejer për Guvernator të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë pas arrestimit të Fullanit në lidhje me skandalin e vjedhjes së thesarit. Blejer ka punuar si Guvenrantor në Bankën e Argjentinës dhe është një prej ekonomistëve më të njohur botërorë, por kreu i shtetit siç është shprehur edhe publikisht kundër kandidaturave të huaja, e ka refuzuar këtë propozim duke parashtruar dy argumente; së pari, ai i është referuar ligjit për Bankën e Shqipërisë të vitit 1997 që flet qartë se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë me shtetësi shqiptare.

Ndërsa argumenti tjetër lidhet me faktin se Nishani është kundër kandidaturave të huaja. Sipas tij edhe sikur legjislacioni mos të jetë pengesë, ai do të preferonte një kandidaturë shqiptare.

Dy ditë më parë kreu i shtetit gjatë një interviste televizive duke folur për bisedimet me kryeministrin shfaqi edhe një herë p[publikisht qëndrimin e tij se është pro një guvernatori shqiptar, pasi sipas tij shqiptarët kanë kapacitete për ta menaxhuar jetën e tyre dhe vendin e tyre. prej më shumë se dy javësh në presidencë është hapur edhe një adresë ku ekspertë të fushës mund të kandidojnë për tu propozuar nga kreu i shtetit si Guvernator. Dita e sotme është afati i fundit për aplikantët ndërkohë që deri dje numri i atyre që kanë dorëzuar CV ka shkuar në 31. / BalkanWeb

Lajme të ngjashme

Back to top button