Biden i kërkon falje Erdoganit

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden i ka kërkuar falje të shtunën Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili më herët kishte shprehur zemërimin e tij ndaj komenteve në të cilat Biden kishte thënë se Erdogan ka pranuar se Turqia kishte gabuar kur lejoi luftëtarët e huaj të kalonin në Siri.

Erdogan mohoi të ketë thënë ndonjëherë këtë deklaratë dhe u tha gazetarëve në Stamboll para kërkimfaljes së Bidenit se “ai do të jetë një histori për mua nëse me të vërtetë ka përdorë shprehje të tilla”, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Biden ka folur në telefon me Erdoganin të shtunën, ka bërë me dije Shtëpia e Bardhë.

“Zëvendëspresidenti ka kërkuar falje për çdo implikim se Turqia apo aleatët tjerë dhe partnerët në rajon kanë furnizuar qëllimshëm apo kanë lehtësuar rritjen e ISIL-it apo ekstremistëve tjerë të dhunshëm në Siri”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, transmeton Koha.net.

Zënka vjen tani që Turqia, një aleat i NATO-s, pritet ta definojë rolin e saj në koalicionin e udhëhequr nga SHBA kundër militantëve të Shtetit Islamik që kanë pushtuar pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë.

Të kujtojmë deklaratën e Bidenit. Ky i fundit, duke iu përgjigjur pyetjeve pas një fjalimit të tij në Shkollën Harvard Kennedy të enjten që lamë pas, e kishte përshkruar Erdoganin si “një mik të vjetër”. Biden pati shtuar: “Ai (Erdogani) më ka thënë: ‘Ke të drejtë. Po lejojmë shumë njerëz të kalojnë’. Tani ne po provojmë ta mbyllim kufirin e tyre”.

E Erdogan ka thënë: “Kurrë nuk i kam thënë atij se kemi bërë gabim, asnjëherë. Nëse ai e ka thënë këtë në Harvard, atëherë duhet të na kërkojë falje”.

“Luftëtarët e huaj asnjëherë nuk kanë hyrë në Siri nga vendi ynë. Mund të vijnë në vendin tonë si turistë dhe të kalojnë në Siri, por askush nuk mund të thotë se ata e kalojnë kufirin me armë në duar”, ka thënë Erdogan.

Ai ka thënë se Turqia ka penguar 6,000 xhihadistë të dyshuar që të hyjnë në Turqi dhe kanë deportuar mbi 1,000 të tjerë.

Këtë javë, parlamenti turk ka aprovuar mocionin që i jep qeverisë pushtetin për operacione ushtarake përgjatë kufirit me Sirinë dhe Irakun dhe ka lejuar që ushtarët e huajë të përdorin territorin e Turqisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button